
Shqipëria na mbetet e vetmja zgjedhje për verën e këtij viti, ndaj nuk duhet ta humbisni si mundësi për t’u njohur me bukuritë e vendit. Blogerja e udhëtimeve, Delinda Muçollari sugjeron 5 destinacionet që duhet t’i vizitojmë patjetër këtë vit në Shqipëri.
Lorena Resulaj
Pandemia ndryshoi çdo plan që kishim thurur për verën e këtij viti, duke qenë se një pjesë e madhe kishin menduar që të udhëtonin larg e të zbulonin destinacione të reja nëpër botë. Por situata e kthyer mbrapsht në 360 gradë nuk na lejon të lëvizim askund tjetër veçse brenda kufijve tanë.
Duhet ta pranojmë se shqiptarët e njohin pak Shqipërinë, për shkak të shumë rrethanave, ndaj këtë mundësi mund ta shfrytëzojmë për të eksploruar bukuritë tona që janë të pafundme nga jugu në veri. Blogerja e njohur e udhëtimeve, Delinda Muçollari, zbulon për lexuesit e “Shekulli”-t 5 vendet që nuk duhet të humbisni në asnjë mënyrë nga Shqipëria. Si një person që ka udhëtuar në 35 shtete me kroçere dhe e njeh botën “në pëllëmbë të dorës”, duhet që sugjerimet e Delindës t’i fiksoni mirë dhe të mos ju shpëtojë asnjë nga vendet e mëposhtme pa vizituar nga Shqipëria.
Vlen për t’u theksuar se këto 5 destinacione janë mjaft ekonomike, jo vetëm që do t’i shijoni pafund pamjet mahnitëse të tyre, por edhe do të kaloni disa ditë relaksuese me fare pak para.
Kanionet e Osumit, Berat.
Filloni me një vizitë në kalanë e Beratit, Antipatrean e lashtë të shekullit V p.e.s, e pasi të keni eksploruar rrugicat e kalldrëmta të Mangalemit, nisni rrugën drejt pyjeve plot thesare të Skraparit. Më të guximshmit mund të bëjnë rafting në kanione apo edhe të ngjisin malin e Tomorrit, por të gjithë mund të vizitojnë fshatin e Bogovës, fshatrat rreth Çorovodës për të zbuluar shpellat dhe ujëvarat që fshihen nëpër pyje si Ujëvara e Bogovës, Shpella e Pirogoshit dhe Ura e vjetër e Kasabashit.
Liqenet e Dumresë, Elbasan
Dumreja e bekuar me liqene ka plot 86 të tillë që mund t’i gjeni pranë qytetit të Belshit, që tashmë është një atraksion turistik shumë i veçantë për fundjavën. Liqenet e Belshit, Seferanit, Merhojes, Cestijes e të tjerë mund të arrihen shumë lehtë me makinë, por një eksperiencë hiking ose me biçikleta do të ishte zgjidhja më e mirë për t’i soditur ato nga afër.
Kishat e Voskopojës, Korçë
Pak histori e këtij qyteti dikur shumë të rëndësishëm është zgjidhja e duhur e një fundjave në Juglindje. Bonus do të keni peizazhin e gjelbër të maleve voskopojare dhe tavernat më të mira të traditës korçare. Një mbrëmje në Pazarin e restauruar të Korçës nën tingujt e serenatave do të ishte mbyllja perfekte e ditës.
Rrënojat e Antigoneas, Gjirokastër
Nëse ke dëgjuar për Pirron e Epirin, me siguri nuk të ka shpëtuar historia unike e qytetit që ai ngriti për nder të bashkëshortes së tij të parë, Antigoneas, qytet i cili u shkatërrua nga ushtritë romake vetëm 1 shekull pas ndërtimit të tij. Pranë fshatit Asim Zeneli në Gjirokastër do të gjeni rrënojat e atij qyteti antik që do t’ju zgjojnë kureshtjen për të mësuar më shumë për paraardhësit tanë.
Lumi i Shalës, Shkodër
‘Tajlanda shqiptare’ e kanë quajtur turistët dhe është vërtet një perlë mes Alpeve shqiptare që duhet vizituar. Me një shpenzim shumë të vogël mund të bëni një udhëtim një ditor në këtë atraksion, ku pas lundrimit me varkë në liqenin e Komanit, do të zbuloni këtë oaz të natyrës. Nëse shkoni me makinat tuaja personale, kujtohuni të merrni çadra me vete për të kaluar natën, sepse një ditë nuk do t’ju mjaftojë të ngopeni me kaltërsinë e ujit dhe pyjet rrotull për t’u eksploruar.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply