Shkolla e Policisë/ 1 në 4 aplikantë shpallet fitues

Nis sot provimi me shkrim, për të qenë pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Testimi do të kalojë në dy faza brenda ditës. Provimi do të zhvillohet pranë Pallatit të Kongreseve

Enida Vërça

Aplikantët të cilët konkurrojnë për të bërë pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të zhvillojnë provimin me shkrim ditën e sotme. Mësohet se janë mbi 2100 aplikantë, për 500 vende,  të cilët do t’i nënshtrohen provimit, i cili do të kalojë në dy faza po brenda kësaj të mërkure. Testimi do të zhvillohet pranë ambienteve të Pallatit të Kongreseve dhe po aty do të afishohen rezultatet e provimit. “Më datë 4 shtator, në Pallatin e Kongreseve, 2120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim. Testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës. Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve”, sqaron kjo deklaratë.

Testimi

Sa i takon mënyrës se si do të ndërtohet testimi, kjo mbetet në dorë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Me tej thuhet se testet do të jenë të mbyllura dhe hapja e tyre do të bëhet vetëm në prani të aplikantit i cili e ka dhënë atë. “Pyetjet e testimit me shkrim prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe janë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm. Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve. Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve”, nënvizon deklarata.

Zhvillimi

Në momentin që kandidatët do të hyjnë në sallën e konkurrimit për të zhvilluar këtë provim, nuk duhet të jenë të pajisur me celular. Po ashtu, atyre u ndalohet të komunikojnë mes njëri-tjetrit gjatë zhvillimit të testit. Kushdo i cili ka një celular me vete, apo bashkëbisedon me dikë tjetër, automatikisht do të skulifikohet nga gara. Një tjetër pikë në të cilën ndalet deklarata e Policisë së Shtetit, është edhe monitorimi gjatë zhvillimit të provimit. “Për të eliminuar çdo abuzim sado të vogël, të dyja fazat e testimit do monitorohen me kamera, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, thuhet në këtë deklaratë.

Ankimimi

Si në çdo provim tjetër edhe në këtë rast, aplikantët kanë të drejtën e anikimimit të rezultateve nëse mendojnë se nuk janë vlerësuar siç duhet. Në këtë mënyrë, ata mjaftohet të bëjnë një ankesë për rezultatin dhe më pas ta depozitojnë atë pranë Akademisë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore. Ankimimi duhet të bëhet një periudhë dy ditore, pas marrjes së rezultatit. Çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës” thotë deklarata e Policisë së Shtetit.

Fazat e tjera

Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, pas testit me shkrim, i nënshtrohet disa fazave të tjera të konkurrimit. Në këtë mënyrë, pasi ai kualifikohet në testimin me shkrim, do t’i nënshtrohet testimit të aftësive fizikë. Më pas: Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit; Testimi psikologjik; Kontrolli shëndetësor; Marrja e shenjave të gishtave; Verifikimi përfundimtar i aplikantit. “Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit. Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit”.

Studentët e ekselencës

Në këtë deklaratë një tjetër thirrje i është drejtuar edhe studentëve të ekselencës, që të bëhen pjesë e policisë së Shtetit ku aplikimet do të jene të hapura deri më 15 shtator. “Vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklet e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!”, thuhet në këtë deklaratë.

Kriteret dhe dokumentacionet për aplikantët

Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, kuota e pranimit do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë 500 kursantë, të ndarë në bazë të renditjes sipas pikëve të fituara në listën e rezultateve të arritura në fazat e konkurrimit. Kjo e ndarë në 2 kurse, në periudhat: Tetor 2019 – Prill 2020 dhe Maj 2020 – Nëntor 2020. Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.

Kriteret e aplikantit

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”: Të jetë shtetas shqiptar; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil; Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; Të ketë mbaruar arsimin e mesëm; Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje; Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”. Dokumentacioni e nevojshme për aplikim janë: Formularin e aplikimit; Fotokopje të kartës së identitetit; Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit; Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; Certifikatë të gjendjes gjyqësore; Certifikatë familjare; Vërtetim nga Gjykata; Vërtetim nga Prokuroria; Raport mjeko-ligjor; Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon); Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike; Mandat pagesa e tarifës së aplikimit. Sa i takon procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve do të ndiqen këto hapa: Dorëzimi i dokumentacionit nga aplikanti dhe dhënia e numrit të regjistrimit nga struktura vendore e burimeve njerëzore; Shqyrtimi i kritereve dhe dokumentacionit nga struktura vendore e burimeve njerëzore, nëse aplikanti plotëson kriteret e përcaktuara; Verifikimi paraprak i aplikantëve, për rekorde të mundshme kriminale; Njoftimi me shkrim nga struktura vendore i aplikantëve, që nuk plotësojnë kriteret për të vazhduar testimin; Dërgimi në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore i listës emërore të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet