
Ditën e sotme ka vdekur producentja nga Kosova, Vjosa Berisha. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha përmes një postimi të në rrjetin social “Instagram”.
“Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër. Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë. Familjet Berisha dhe Istrefi.”, ka shkruar ai.
Në shtator 2021, Berisha, foli për sëmundjen, pasi ishte diagnostikuar me kancer në vezore. Në një intervistë të fundit për “Prive”, Vjosa theksonte pesë datat më të rëndësishme në jetën e saj, duke përmendur ndër to 7 prillin e këtij viti, kur edhe ka kryer operimin e parë.
“Unë në mars të këtij viti e kam marr vesh që kam kancer në vezore edhe ai ka qenë një moment shumë i vështirë, si për mua, si për Fatosin, si për Lekën, si për krejt familjen sepse nuk iu kem i treguar në fillim edhe në konsulta me doktorët është sjell vendimi që duhet të operohet edhe në kohë të pandemisë ka qenë shumë vështirë me ardhë deri te ajo, unë nuk e di hala sot se qysh ka mbërritur doktori im edhe doktori në Gjermani që aq shpejt në një kohë kur ne ishim aq të mbyllur dhe udhëtimet ishin problematike, ta caktojnë datën e operacionit”, ka thënë fillimisht Vjosa.
Foto: Vjosa Berisha/Instagram
Ajo shprehej se në jetë është mjaft optimiste për çfarëdo situate të vështirë dhe rezilienca ndaj kësaj beteje ka qenë mënyra se si ajo ka ecur përpara.
Foto: Vjosa Berisha/Instagram
Për fund, organizatorja e Pri Film Fest tregoi se po vazhdon të trajtohet me kimioterapi në Kosovë, ndërsa dha disa këshilla për të gjithë ata që po ballafaqohen me një sfidë të tillë.
“Pas prillit, gjatë muajit maj dhe deri tani kam vazhduar me kimioterapi këtu në Kosovë dhe unë vazhdoj të mendoj se kanceri është një sëmundje si çdo sëmundje tjetër, fatmirësisht në ditët e sotme ka zgjidhje, ka shërim. Është me rëndësi sidomos për të gjitha ato gra që janë duke u ballafaquar me këtë sëmundje, është shumë me rëndësi t’ju them që edhe nëse s’jeni e fortë, duhet të dini që unë për shembull prej marsit e deri tash më ka rastisur të shoh shumë më shumë njerëz që më kanë thënë se janë shëruar se sa ndonjë rast fatal. Kështu që kjo sëmundje duhet të trajtohet si çdo sëmundje tjetër, qoftë me ushqim, qoftë me pozitivitet, qoftë me të gjitha aspektet tjera, me i dëgju këshillat e doktorëve edhe mendoj me këtë pjesë ti e bën atë që mundesh të bësh, d.m.th. më shumë nuk mundesh të bësh – pjesa jote është ajo”, përfundoi rrëfimin e saj Berisha.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply