Seksi në shkolla/ 5 rregulla për të përjashtuar mësuesit perversë, shtoni “vetting-un” znj. ministre

vetting

Abuzimet e mësuesit “zhigolo” Agron Bego me nxënëset në Fier/ Flasin Yllka Beci nga DAR Fier, sociologu Gëzim Tushi, psikologia Aurela Agalliu dhe Koordinatori CRCA-së Klaudio Pulaha. “Me rregullore, duhet që mësuesi as verbalisht, as fizikisht nuk duhet të prekë nxënësin. Të bëhet vlerësim psikologjik. Të firmoset një kod sjelljeje etike me fëmijët. Të bëhet vetting-u moral, nëse arsimtari është i denjë”

Enida Vërça

Rastet e ngacmimeve seksuale në shkolla nga figura e mësuesit sa vijnë e shtohen në raportimet e mediave. Rasti më i fundit, ishte në shkollën e mesme artiske “Jakov Xoxa” në Fier, ku mësuesi i kantos, Agron Bego ngacmoi seksualisht një nxënëse, ndërsa pas tij u zbulua se fshiheshin edhe mësues të tjerë, të cilët kanë abuzuar në këtë shkollë. Për këtë rast opinion publik është i tronditur. Psikologët, sociologët dhe institucionet përgjegjëse shprehen të shokuar për “Shekulli”-n teksa kërkojnë reagim nga Ministria e Arsimit dhe marrje të të gjitha masave për parandalimin e rasteve potencialë.

Sociologu Gëzim Tushi, shprehet se mënyra e parandalimit të këtyre rasteve është kontrolli i mësuesve jo vetëm në anën e aftësive profesionale, por edhe atyre morale. Ai kërkon një vetting moral për të gjithë mësuesit. “Ka ardhur koha që mësuesit e shkollave tona, sidomos shkollat 9-vjeçare të kontrollohen, jo vetëm në pikëpamje të kapaciteteve dhe formimit të tyre. Duhet bërë një vetting moral. Duhen kontrolluar në sjelljet e tyre publike dhe të personalizuara, nëse janë të denjë për të qenë pranë fëmijëve”, shprehet sociologu. Më tej, Tushi thotë se ngacmimet seksuale në shkollë kanë një mekanizëm të sofistikuar, i cili ka të bëjë si fillim me komunikimin verbal që në shumicën e rasteve është ngacmues.”Mësuesi i bën kompliment nxënësit, për trupin, veshjen. Ky është hapi i parë i ngacmimit. Mësuesi e ka rreptësisht të ndaluar të bëj elozhe, komplimente apo vlerësime të performancës fizike. Së dyti, ka të bëjë me çështjet e kontaktit fizik. Në shkollat tona, herë pas herë mësuesit krijojnë kontakte fizike le të themi pa të keq. Unë mendoj që në shkollat tona duhet të ndalohet kategorikisht prekja e nxënësit. Kjo është lehtësisht e kontrollueshme. Me rregullore, duhet që mësuesi as verbalist, as fizikisht nuk duhet të prekë nxënësin. E treta, është komponenti psikologjik, që ka të bëj me presionin. Herë pas here ka mësues që janë mjeshtër të presionit psikologjik, duke shfrytëzuar ndonjë dobësi të nxënësit. Raste të tilla kur dinë informacione personale të nxënësit, i shfrytëzojnë për favore të tyret”, deklaron ai.

                          Gëzim Tushi, sociolog

Pasojat

Sakaq, Tushi thotë se mësuesit që shfaqin veprime të tilla shkaktojnë pasoja të rënda në formimin e nxënësve. “Kohët e fundit në shkollat shqiptare po shfaqen mjaft probleme deri në perversitet. Edhe në vendet me liberale, ka disa raporte të cilat konsiderohen të penalizuar. Vlen të pamenden këtu marrëdhëniet mësues-nxënës, të cilat janë të shenjta, që është i patolerueshme ngacmimi seksual. Së dyti, është raporti mjek-pacient dhe e treta pedofilia, të cilat nuk tolerohen. Shkolla është një institucion i shenjt, fëmijët që vijnë në shkollë pavarësisht identitetit të tyre gjinor janë të paprekshëm. Sidomos nga mësuesit, i cili në konceptin shoqëror shqiptar ka qenë i barabartë me Perëndinë. Në këtë pikëpamje akti i mësuesit nga Fieri, është shumë i kriminalizuar. Mua më vjen keq që në shkollat shqiptare herë pas herë ka raste të tilla, të shfaqjes së maniakëve seksual. Mësues të cilët nuk administrojnë dot fizikun e tyre. Janë njerëz që nuk kontrollojnë dot instinktet e tyre. Janë mësues të degjeneruar, të cilët u krijon fëmijëve korniza të gabuara, që seksi është një gjë normale dhe mund të bëhet me këdo. Në këtë mënyrë ata i fusin fëmijët në një kundërkulturë për t’i shthurur ata. Këta njerëz duhen ndëshkuar përballë ligjit”, përfundoi ai.

 Kërkesat

Koordinatori i “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”CRCA-së, Klaudio Pulaha thotë se i kanë dërguar disa rekomandime Ministrisë së Arsimit.

“Së pari kemi bërë një protestë para Ministrisë së Arsimit, ku ministres i janë adresuar një seri rekomandimesh dhe masat që duhen ndërmarr. Ajo që ne kemi rekomanduar është që të bëhet një vlerësim psikologjik i thelluar i të gjithë mësuesve apo edhe personalit që kanë lidhje direket me institucionet arsimore. E dyta, është shumë e rëndësishme që t’i hiqet licenca njëherë e mirë dhe të mos ushtrohet profesioni për gjithë jetën për mësuesit që vërtetohet se kanë ngacmuar seksualisht një fëmijë, apo kanë ushtruar dhënë të të gjitha formave. Po ashtu, duke iu referuar edhe mos denoncimit, shumë mësues mund të jenë në dijeni për format e dhunës që ushtrohet ndaj fëmijëve, në momentin që ara kanë qenë në dijeni, duhet automatikisht të pezullohen nga puna. Mos denoncimi përbën krim. Një tjetër gjë që është rekomanduar është që të gjithë mësuesit të firmosin një kod sjellje etike me fëmijët. Do të thotë nëse ti ke kontakt direkt me fëmijët, duhet të kesh firmosur një kod që të jesh i qartë se çfarë të lejohet, ose çfarë jo, duke marr parasysh edhe masat që do merren nëse ti e shkel këtë rregullore”, deklaroi ai. Më tej shtoi si kanë dërguar edhe një letër kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për shkarkimin nga detyra të ministres së Arsimit, Besa Shahini. Në fjalën e tij ai shton se  kanë kërkuar interpelancë të jashtëzakonshme me ministren Shahini për çështjen në fjalë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim.

                                       Klaudio Pulaha, koordinatori i CRCA-së

 

DAR-i Fier

Në lidhje me rastin në fjalë, “Shekulli”, kontaktoi edhe drejtoreshën e Arsimit Rajonal Fier, Yllka Beci. Në një prononcim ajo shprehet e indinjuar me çështjen e publikuar në media, teksa sqaron se institucioni që ajo përfaqëson ka  kryer të gjitha detyrat institucionale dhe udhëzuese. E pyetur për mësuesit e tjerë të cilët kanë qenë të implikuar në këtë çështje, nëse janë marrë masa ndaj tyre, ajo u shpreh se ende nuk ka emra konkretë.  “Agron Bego është shkarkuar nga detyra dhe tashmë janë institucionet e tjera që merren me të. Rastet e mësuesve të tjerë, ende nuk kemi emra. Unë si titullare e këtij institucioni kam kryer të gjitha detyrat institucionale ligjore dhe udhëzuese. Kam ngritur grupin e punës së shërbimit social. Ne jemi për të zbatuar çdo urdhër që na vjen”, deklaroi ajo. Beci po ashtu kërkoi që mos baltoset emri i një shkolle të vjetër e cila përmban mjaft vlera dhe ka nxjerr me qindra artistë të cilët sot e përfaqësojnë vendin denjësisht. “Nuk mund të përbaltet emri i shkollës sonë nga një apo dy mësues. Kjo shkollë ka 70 mësues të cilët janë në prag pensioni dhe kanë dhënë kontribute te vyera për vendin. Në liceun artistik “Jakov Xoxa”, jeta mësimore vazhdon normalisht. Sigurisht që jemi të shqetësuar për çdo gjë që është publikuar. Së pari si nënë, sepse kam edhe vajzën time në këtë shkollë, së dyti si titullare dhe së fundmi si qytetare, por nuk është faji i jonë për një zgjedhje vetjake që kanë bërë mësuesit e publikuar në media tashmë”, përfundoi ajo.

               Yllka Beci, drejtoresha e Arsimit Rajonal Fier

Mungesa e psikologut

Për psikologen Aurela Agalliu, mungesa e psikologëve në shkollë është një arsye shumë e fortë e rasteve të tilla. Ajo thotë se Ministria e Arsimit duhet të marrë masa me ndërhyrje specifike në përfaqësimin e psikologëve në të gjitha shkollat. “Roli i psikologut i jep akses nxënësve që të shprehnin shqetësimet që ata kanë. Duke munguar psikologu në shkollë, ose duke përfaqësuar një psikolog pesë shkolla, krijon mungesën e tij. Kjo nuk krijon një lidhje kofidenciale të besueshme midis psikologut dhe nxënësit për të treguar problematikat që mund të ketë. Ne jetojmë edhe një paradoks të psikologjisë familjare, ku fëmijët nuk mund të raportojnë çdo gjë që u ndodh në shkollë. Për këtë arsye, bëhet e mundur që problematika të shfaqet më vonë. Ndërkohë nëse do të funksiononte trekëndëshi mësues-psikolog-prind, problematika do ishte treguar më herët dhe ndoshta do të ishin marrë masat e nevojshme. Nga ana tjetër flasim për një institucion edukimi. Është e papranueshme që një profesor të prezantojë anti-vlera, kur duhet të prezantoj vetëm vlera. Ky është një shok nga ana ime profesionale. Numri i rasteve të raportuara është shumë i lartë dhe kërkon aftësi të larta menaxhimi”, përfundoi ajo.

 

                                                                  Aurela Agalliu, psikologe

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet