Rrëfimet e ilustratorëve shqiptarë nga abetarja te librat për fëmijë (FOTO)

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Ekspozita retrospektivë “Ilustrime për fëmijë”  është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Piktorët Gazmend Leka dhe Ilir Zaloshnja rrëfejnë historinë e ilustrimit shqiptar në 60 vite. Artistët, si Safo Marko dhe Agim Faja, gjithë jetën ja kushtuan letërsisë për të vegjlit

Në Shqipëri nuk ka pasur një atelie për ilustratorët. Vetë ata, zgjedhën që të krijojnë një të tillë, duke ngritur shkollën e ilustrimit shqiptar. Këtë e rrëfen, njëri prej tyre, piktori i njohur Gazmend Leka, i cili gjatë inaugurimit të ekspozitës së parë retrospektivë “Ilustrime për fëmijë”. “Kur fjala bën zbaticë, boshllëkun e mbush shkrimi, por mund të them pa hezitim, se kur shkrimi bën zbaticë, atë e mbush ilustrimi”, rrëfen Leka, i cili prezantohet në këtë ekspozitë me ilustrimet që ka bërë për librin “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit. Për piktorin, ashtu sikurse ujërat tërhiqen, e lenë në breg si dëshmi, guaska me shumë forma e shumë ngjyra, leshterikë e deri te mbeturinat e anijeve të mbytura, po ashtu dhe kur gjuha tërhiqet, lë në bregun e memories sonë, shkrimin dhe ilustrimin shumëformësh e shumëngjyrësh. “Të dyja ato, rrëfejnë historinë e asaj ngjarje që pat ndodhur, aty ku lexuesi nuk kishte si të ishte. Ilustratorët shqiptarë histori të tilla kanë rrëfyer”.

Për Lekën kjo ekspozitë ka rëndësi të veçantë, sepse jo vetëm është e para e këtij lloji, por sepse ka pamjen e ditës së parë të zgjimit nga një letargji e gjatë, duke bërë dëshmitarë për të dëshmuar përmendjen jo vetëm artistët, por edhe vizitorët, që kanë qenë jo të paktë këto ditë për të parë këtë ekspozitë.

“U pagëzuan me emrin ilustratorë, sikur të ishin një racë e veçantë, racë, e cila me keqardhje mund të them, se sot ka filluar pak e nga pak të tretet e të zhduket. Është një racë që luajti rolin e shkesit. Pajtoi lexuesin me shkrimtarin. Shkrimtari dhe ilustratori, krijuan një simbiozë dhe bashkëjetuan me njëri-tjetrin”, rrëfen profesor Leka.

Profesori tregon se kontakti i parë me një libër është kopertina, më pas ilustrimi e në vazhdim shkrimi, të cilin e këndonin në një qoshe të rehatshme shtëpie apo biblioteke. “Sapo e merrnim në dorë, i bënim një shfletim të shpejtë, por sytë na mbeteshin tek ilustrimi dhe aty ngjizej dashuria e parë për ngjarjen e treguar. Ndoshta me pa të drejtë, librat pa ilustrime, na dukeshin si një shkretëtirë e madhe, ku nuk dallonim asnjë oazë, që të ndalonim për t’u freskuar sadopak”. E kështu, rrëfen artisi, çdokush e krijonte ilustrimin vetë, si një mirazh dhe në thelb, çdokush me fantazinë e vet, tentonte të bënte pjesë në racën e ilustratorëve. “Ilustrimet ilustre, ilustrimet e shkëlqyera, kurrë nuk qenë shërbëtorë të fjalës, por rrëfimtarë alternative. Krijonin një tjetër lloj ungjilli. Krijonin një ungjill imazhi, që në thelb qe i pavarur, por paralel me ungjillin e shkruar”.

“Lexues të shumtë subjektin e një libri e kanë të memorizuar nga ilustrimet, sikundër na ndodh me fabulën e Ezopit, që prej saj ruajmë ende në mendje vizatimet e Zef Bumçit apo heronjtë e “Tregimeve të Moçme Shqiptare” i kemi fillimisht dhuratë nga Agim Faja, “Fatosat e vegjël” nga Safo Marko e Dolli Gjinali, ilustrimet e para të abetares nga Abdurrahim Buza e Qamil Guranjaku, zotin Maksut nga Bujar Kapexhiu, e kështu, shumë ilustrime e kopertina të pafundme nga Llazar Taçi, Bujar Zajmi e Zef Shoshi. Ato çka na ofronin, nuk ishin thjeshtë ilustrime, por për ne të vegjlit e asaj kohe, ishte Bibla e personazheve dhe bëmat e tyre”, rrëfen profesori, duke i konsideruar ata gurët e themelit, sepse ata kanë ngjizur dhe e mpiksën fillimisht fantazinë e artistëve. Më pas, erdhën shumë të tjerë, si Besim Tula, Alida Frashëri, Gëzim Tafa, Anastas Kostandini, Ilir Pojani, Tonin Vuksani, Artur Muharremi, Ardian Kapo etj., ilustrimet e të cilëve këto ditë qëndrojnë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar.

Ndërsa, piktori Ilir Zaloshnja teksa u shpjegonte studentëve të gazetarisë, që kishin shkuar për ta parë këtë ekspozitë, se si ishte krijuar ky zhaner, ndali edhe tek influenca e realizmit socialist në revistat e kohës, që në qendër të tyre kishin ilustrimet. “Ne duam që të sjellim nga një kohë e largët, themeluesit e ilustrimit shqiptar, që para 60 vitesh krijimtarinë e tyre ia kushtuan ilustrimit. Të tillë janë Safo Marko, Agim Faja, Pandi Mele apo Zef Bumçi në fushën e karikaturës etj”.

Ndonëse, librat ishin për fëmijë, që ende nuk ishin zhvilluar plotësisht, brenda tyre përcillej ideologji socialiste shpjegon Zaloshnja. Piktori rrëfen se ideologjia përcillej qysh në kopertinën e një reviste, për të ardhur më pas në dy faqshin e parë, në të cilën përmblidheshin ngjarjet më të rëndësishme të kohës, si festat e Nëntorit, ato të çlirimit të vendit, festa e Ushtrisë, që lidhej me formimin e Shtabit të Përgjithshëm apo festave, që kishin të bënin me prodhimin në bujqësi. Apo dhe detaje, që i përshtateshin asaj periudhe, si festat e partisë, rinisë, gruas etj., pa harruar edhe Vitin e Ri në dyfaqëshin e parë. Veçse reportazhit, që kishte orientim politike, piktori shpjegon se, vinte poezia, që në përmbajtje duhet të kishte elemente të tilla, por që trajtonte dhe tema të tjera. Përrallat, tregimet humoristike, lojërat zbavitëse dhe debutimet e fëmijëve ishin gjithashtu pjesë e revistave të kohës.

Piktori rrëfen, në ekspozitën e organizuar nga Shtëpia Botuese “Dituria”, se kjo situatë ishte e tillë deri në periudhën që Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik, sepse pas prishjes pati një luftë edhe më të fortë, që kishte si parim ruajtjen e sistemit. “Nisi censura, derisa u ndaluan edhe ilustrimet e përrallave dhe tregimeve të ndryshme, sepse konsideroheshin, si të pamoralshme”.

Abetarja nga ilustrues të huaj, që nuk njohin mentalitetin shqiptar 

“Dikur abetarja bëhej nga Agim Faja apo Dolli Gjinali, të cilët tregonin kujdes shumë të madh për të ilustruar sa më saktë atë që shoqëronte tekstin përkatës. Ndërsa, tani kjo gjë ka ndryshuar duke rendur pas fitimit. Tenderët për abetaret tona merren nga të tjerët, shqiptarët nuk ilustrojnë më, por e marrin të gatshëm. Këto ishin ilustrime të bëra nga piktorë shqiptarë, që njihnin mentalitetin shqiptar. Mendoj se është shumë e vështirë, që sado të zgjuar të jemi ne, të kuptojmë mentalitetin e një vendi tjetër”, tregon Zaloshnja.

Ilustrimet pas viteve ‘90

“Çfarë ndodhi?! Atëherë piktorët ashtu si edhe shkrimtarët, që e shihnin si një portë për të bërë karrierë më vonë nga letërsia për fëmijë tek ajo artistike, kërkonin të hapnin një portë, duke u angazhuar tek librat dhe revistat për fëmijë, si “Fatosi”, “Yllkat”, “Pionieri” etj. Ata përpiqeshin që të bënin më të mirën, që të futeshin në fushën e artit figurativ, duke iu përkushtuar ilustrimeve. Ndërsa, në ’90 gjërat ndryshuan. Sot ka mundësi që çdo njeri që mban një laps të shkruaj diçka edhe ta botojë, po kështu edhe një piktorë, duke hapur një ekspozitë. Falë botuesve shqiptarë, që kanë interesat e tyre në bosht të tyre, por që kanë në duar edhe kulturimin e shoqërisë shqiptare, gjërat bëhen të tilla. Sot është iniciativa e lirë!”

Të tjera

Abissnet