Rindërtimi pas tërmetit, si do strehohen të prekurit, zbardhet dëmi

Neritan Gjergo

Qeveria ka hartuar vendimin për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit. Gjatë pasdites, ishte ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ai që njoftoi se banesat e reja do të ngrihen në toka shtetërore dhe u dha 20 ditë afat bashkive për të përcaktuar tokat.

Por “Shekulli” ka siguruar vendimin, i cili ende nuk e ka faturën e plotë financiare, por ka dëmet sipas qarqeve që u goditën më rëndë.

Kështu, sipas relacionit, nga tërmeti i datës 26.11.2019 rezulton se qarqet më të prekura janë: Durrësi, Tirana dhe Lezha. Sipas informacionit zyrtar që shoqëron këtë propozim rezulton se:

– Për Qarqet Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar rëndë: 2002 banesa; 135 pallate dhe 60 pallate janë shpallur të pabanueshme.

Ndërkohë rezulton se 4380 pallate dhe 543 banesa janë të dëmtuara lehtë.

– Për Qarkun Lezhë janë dëmtuar rëndë 1353 apartamente; 235 vila dhe 66 pallate. 45 pallate, 559 apartamente dhe 181 vila janë me dëmtime të mesme si dhe 263 pallate dhe 1297 apartamente dhe 57 vila janë me dëmtime të lehta.

Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore

Për sa i takon kohëzgjatjes maksimale të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Kushtetuta dhe ligji nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, parashikojnë një kohëzgjatje maksimale prej 30 ditësh. Duke mbajtur në konsideratë që gjatë 30 ditëve të para përfundoi faza e kërkim-shpëtimit dhe filloi faza e verifikimit të dëmeve, nevoja për përfundimin e fazës së verifikimit si dhe hartimit e zbatimit të masave afatshkurtra të rregullimit të pasojave me qëllim sigurimin e jetës dhe shëndetit të individëve, Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit dhënien e pëlqimit për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë deri më 31.3.2020. Persona të evakuuar si rezultat i situatës së fatkeqësisë natyrore nga tërmeti i datës 26.11.2019, rezulton të jenë 3224 persona pa kushte të sigurta strehimi.

Rindërtimi në të njëjtin truall

Rindërtimi i objekteve të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall

  1. Me financim nga fondi i rindërtimit apo me investime nga donatorët ndërtohen ose rikontruktohen ndërtesat e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, në truallin ekzistues, sipas parashikimeve të këtij akti.
  2. Përfitues të njësive të banimit në objektet e reja janë pronarët e njësive të banimit të objekteve të shembura, në trojet e të cilave ndërtohen objektet e reja. Struktura e njësisë së banimit që i kalohet përfituesve nuk duhet të jetë më e madhe se struktura e njësisë së banimit që përfituesi kishte në pronësi në objektin e shembur. Rregulla për trajtimin e mospërputhjeve midis sipërfaqeve dhe strukturës së njësisë së banimit përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon strehimin.

Fondi i banesave të përballimit të fatkeqësive natyrore

  1. Për nevoja të strehimit të familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore, Enti Kombëtar i Banesave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe/ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, krijon fondin e banesave të nevojshme për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, që 18 konsiston në banesat e blera me fonde nga fondi i rindërtimit në tregun e lirë si dhe nga banesat e dhuruara nga subjektet e treta në favor të shtetit, me qëllim përballimin e fatkeqësive natyrore.
  2. Enti Kombëtar i Banesave ose njësitë e vetëqeverisjes vendore blejnë banesa në tregun e lirë, në rast se vlera e banesës në treg është më e ulët ose e barabartë me koston e ndërtimit. Banesa mund të blihet nga tregu, përjashtimisht, kur vlera e banesës në treg është më e lartë se kostoja e ndërtimit, vetëm kur: a) vërtetohen kushte emergjente për strehimin e subjekteve përfituese, sipas këtij akti; ose b) autoritetet shtetërore janë në pamundësi për të plotësuar nevojat për strehim të subjekteve përfituese, sipas parashikimeve të këtij akti.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet