Rilindja e premtuar për Lezhën u zvenit në investime të dështuara

Tre projekte me vlerë 170 milionë lekë në kuadër të Rilindjes urbane në Lezhë kanë degraduar vetëm 4 vjet pas inaugurimit dhe konsiderohen nga banorët si investime të dështuara, por askush nuk mbahet përgjegjës.

Buzë lumit Drin në qytetin e Lezhës, shëtitores së re i ka mbirë bari dhe frekuentuesve të paktë u duhet të mbyllin hundët për të mos ndjerë erën e rëndë që shpërndahet nga shtrati i lumit. Parmakët rrethues prej druri janë hequr, ndërsa një pjesë e shëtitores është zhytur në errësirë prej një viti për shkak të vjedhjes së kabujve të ndriçimit.

Errësira pllakos mbrëmjeve edhe rrugën hyrëse të qytetit nga shesh-rrotullimi i njohur si rotonda deri te Ura e Drinit. Ndërsa sheshit kryesor që mban emrin e heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti” i është vënë trau dhe funksionin prej një viti si parking me pagesë.

Shëtitorja, rruga hyrëse dhe sheshi “Gjergj Kastrioti” janë pjesë e korpusit të Rilindjes Urbane për qytetin e Lezhës dhe i kanë kushtuar qeverisë shqiptare mbi 170 milionë lekë [1.4 milionë euro] në vitin 2014. Projektet u trumbetuan si “një erë e re ndryshimesh” për bashkinë me 65 mijë banorë nga kryeministri Edi Rama, por 4 vjet pas inaugurimeve, asnjëri prej investimeve nuk është funksional.

Punimet e dobëta dhe mungesa e vëmendjes nga autoritetet lokale kanë irrituar banorët e Lezhës, të cilët i thanë BIRN se ndonëse i pritën me gëzim premtimet për ndryshimin e qytetit, mbetën në fund të zhgënjyer.

Të pakënaqur u shprehën për BIRN edhe dy kryebashkiakët e fundit të Lezhës, Fran Frrokaj dhe Pjerin Ndreu, ndërsa ndanë qëndrime të ndryshme për përgjegjësitë.

“Mirëmbajtja ka qenë shumë e vështirë. Materiali për sheshin është marrë nga jashtë, edhe për të ndërruar llampat duhej të kërkonim në fund të botës,” tha Frrokaj, duke fajësuar punimet si jo-cilësore dhe të kryera për efekte elektorale.

Ndërsa kryebashkiaku aktual, Pjerin Ndreu e quajti degradimin e investimeve një çështje paaftësie dhe fajësoi administratën e mëparshme për mungesë mirëmbajtjeje.

“Para të harxhuara kot”

Banorët e Lezhës ngarkojnë me përgjegjësi si cilësinë e punimeve, ashtu edhe lënien e projekteve në mëshirë të fatit nga ana e bashkisë.

“Që në punime kam parë se aty nuk po bëhej një punë cilësore. Ende pa u inauguruar, shëtitorja pësoi shembje,” tha për BIRN Preng Gjoka, qytetar i Lezhës. “Mendoj se ky është një investim i dështuar dhe ato para janë harxhuar kot”.

Ndonëse kushtoi rreth 30 milionë lekë, shëtitorja prej 4 kilometrash buzë Drinit u kthye në një problem ende pa përfunduar mirë puna. Për shkak të rrëshqitjes së saj dhe lëvizjes së pllakave, investimi nuk u mor fillimisht në dorëzim nga Bashkia e Lezhës, por kompania zbatuese bëri disa ndërhyrje sipërfaqësore, duke bindur më pas zyrtarët lokalë.

Sheshi “Gjergj Kastrioti” është projekti më i kushtueshëm i Rilindjes në Lezhë, i financuar me rreth 100 milionë lekë [ 811 mijë euro] nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve në prill të vitit 2014. Punimet u kryen nga bashkimi i kompanive T.T.A Alba-Lam dhe Junik sh.p.k, por sheshi i planifikuar si pedonale u kthye brenda një viti në vendparkim për automjetet.

Rapsodi lezhian Llesh Prenga i tha BIRN se e mikpriti veshjen e sheshit “Gjergj Kastrioti” me gurë si një hapësirë për qytetarët, fëmijët dhe turistët. Por katër vite më vonë, ai mendon se kjo hapësirë është kthyer në një rrezik për ta.

“Këtu u investua gjithë ai lek dhe sheshi u vesh në gurë për të qenë pedonale për qytetarët dhe turistët që vizitojnë Lezhën. Tani e gjithë hapësira e sheshit zaptohet nga automjetet dhe po të duam t’i nxjerrim fëmijët, këtu është rrezik, pasi lëvizin gjatë gjithë kohës makina,” tha Prenga.

Njësoj si dy projektet e mësipërme, edhe rruga hyrëse Ura e Drinit-Rotonda konsiderohet një investim i dështuar nga banorët e Lezhës. Projekti me kosto 40 milionë lekë [322 mijë euro] i realizuar nga kompania e ndërtimit Junik sh.p.k ka probleme me ndriçimin, i cili funksionoi vetëm një muaj dhe më pas u fik.

Bashkia e Lezhës nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje për ndriçimin e rrugës hyrëse të qytetit, e planifikuar fillimisht për të funksionuar me panele diellore. Rruga administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës. Për qytetarët e Lezhës, zvarritja e një zgjidhjeje konsiderohet absurde.

“Këtu është bërë investimi, është ndriçuar rruga, por nuk ka funksionuar asnjëherë. Ndizen ndonjëherë vetem 1 orë dritat dhe fiken sërish. Është absurditet që hyrja e Lezhës të jetë në këtë gjendje, pasi ky qytet gjatë verës vizitohet edhe nga mijëra turistë të huaj dhe është një panoramë skandaloze,” thotë i zemëruar Mark Kola, 60 vjeç, banor i lagjes “Nënë Tereza” në Lezhë.

“Nga ana tjetër, kjo rrugë në errësirë është edhe burim aksidentesh,” shtoi ai.

Premtime të reja

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se projektet për shëtitoren buzë lumit Drin, rikualifikimin e sheshit “Gjergj Kastrioti” dhe rehabilitimin e rrugës Ura e Drinit-Rotonda zënë ¼ e projekteve të financuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve për Bashkinë e Lezhës në pesë vitet e fundit.

Në total, qeveria ka financuar rreth 590 milionë lekë për ndërtime rrugësh, shëtitoresh dhe shkollash në qytetin e drejtuar fillimisht nga Viktor Tushaj i LSI-së, më pas nga Fran Frrokaj i PD-së dhe së fundmi nga Pjerin Ndreu i Partisë Socialiste.

Ish-kryebashkiaku Frrokaj i kritikoi investimet në kuadër të Rilindjes Urbane si ndërhyrje që nuk ishin të domosdoshme për Lezhën, ndërkohë që u shfajësua për gjendjen e investimeve duke i konsideruar punimet jo-cilësore.

“Duhej të zgjidhej më parë problemi i përmbytjeve dhe kanalizimeve nëntokësore,” tha Frrokaj. “Te shëtitorja kemi ndërhy disa herë në merimetimin e parmakëve, por ndërhyrjet që janë bërë, investimi nuk ka qenë cilësor, por për efekt elektoral,” shtoi ai.

Ndërsa kryebashkiaku aktual, Pjerin Ndreu shpalosi premtime të reja për t’u kthyer investimeve shkëlqimin e munguar.

“Sheshi do mbetet parking deri në fund të sezonit. Lezha nuk ka parkingje, por do ta kthejmë në pedonale siç ishte planifikuar. Shëtitorja do rikonstruktohet. Kemi një projekt për rregullimim e saj. Për ta sjellë në gjendjen e mëparshme,” tha Ndreu në një bisedë telefonike për BIRN.

Ndreu shtoi gjithashtu se një projekt për pastrimin e lumit do të fillonte në vitin 2021, ndërkohë që skarpatet e shëtitores do të mbillen me bar dhe lule. I pyetur se kush duhej të mbante përgjegjësi për shkatërrimin, Ndreu u përgjigj: “nuk janë mirëmbajtur, por nuk do të merrem me të tani. Kemi punë të tjera”./BIRN/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet