
Arben Rrozhani
Një fëmijë vetëm 5 vjeç u vra sot në bregdetin e Himarës prej skafit që drejtohej nga një polic. Sipas informacioneve të para fëmija u vra përpara syve të prindërve, ndërsa luante në bregdetin e Potamit.
Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen e kësaj familjeje të gjorë që humbi krijesën e pafajshme, ndërsa kishte ardhur nga Holanda për të kaluar disa ditë të lumtura në Jugun e bukur të Shqipërisë.
Nuk është fatkeqësi, por krim i paralajmëruar dhe i përsëritur. Ky ishte aksidenti i tretë brenda dy javëve të fundit kur një drejtuesi i iku skafi që përfundoi duke u thyer brinjët një çifti që rrezitej në shezlong në Jalë dhe dy ditë më pas një fëmijë 7 vjeç u plagos. Të dy autorët janë të lirë.
Normalisht, sot, në një vend normal, pas një analize të thellë, duhet të kishte një dorëheqje të madhe.
Nuk pritet të ndodhë gjë në Shqipërinë e kontrolluar nga qentë e tërbuar që i ka zgjidhur pushteti qendror dhe vendor nga zinxhirët. Ata kanë zaptuar bregun me leje korruptive për të vjelë për disa javë fitimet e një viti. Ata që shqyejnë, të çajnë gurmazin dhe të kapin për leckash po u ule në bregun që kanë zaptuar me lejen e të madhit.
Vrasësit kanë kontrollin e ujit, duke terrorizuar, plagosur dhe më së fundi duke vrarë, sepse policia nuk ka b***thë të merret ta dhe drejtësia e re i nxjerr në “detyrim paraqitje” pas çdo vepre të rëndë.
Vendi ynë është i bukur, por ka rënë në duart e qenërisë së tërbuar që ka ikur nga zinxhirët. Ata që të shtypin te vijat e bardha familjarisht dhe dalin nga burgu pasi gjoja janë falur nga viktimat, të bëjnë copash në breg dhe lirohen se nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.
Ndaj shqiptarët, përditë e më shumë, e mendojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve diku, në një vend ku mbrohet jeta dhe dinjiteti. Ndaj dhe ikin përditë, pandalur, për të rindërtuar jetën në mërgim. Ndaj dhe për pushimet e vitit arratisen në plazhet e vendeve fqinje ku kalojnë disa ditë si njerëz, jo të kafshohen nga qenëria që ka marrë me tapi çdo plazh që duhet të ishte publik.
Shprehja “ky vend nuk bëhet” nuk është as fataliste dhe as antikombëtare, por realitet dhe me viktima që kanë emër. Kështu do të jetë derisa vendi do të jetë i zaptuar nga qenëria, në tokë, ujë dhe ajër.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply