“Punëtorët do të paguhen për aq orë sa punojnë”/ Fasonet vazhdojnë punën mes rrezikut!

Biznesi fason një vatër rreziku për përhapjen e COVID-19. Sa i sigurtë është shëndeti i punonjësve, si është gjendja aktuale e kompanive dhe cilat  janë masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit? Flet për “Shekulli”-n administratori Ilir Pepa dhe drejtuesi i një ndër kompanive fason, Florian Zekja. 

Briselda Hoxha

Bllokimi i punës për shumë qytetarë në të gjithë vendin, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirus, po përball shumë familje me mjaft vështirësi financiare, si të vetëpunësuarit ashtu edhe të punësuarit në bisnese të vogla e të mëdha. Biznesi fason në Shqipëri është një tjetër, sektor i rëndësishëm që punëson një pjesë të madhe të popullsisë. Por kur flitet për pagesat e punonjësve nga këto biznese të mëdha, opinionet janë të ndryshme në lidhje me mundësitë reale dhe kapacitetet e një biznesi të madh për të përballuar pagesat në këtë situatë financiare që ka përfshirë vendin tonë.

Sakaq, rrezik i madh është puna që vazhdon rregullisht ose edhe me orare të reduktuara në disa nga kompanitë pasi punëtorët rrezikojnë shumë të infektohen nga COVID-19 në hapësira të tilla pune ku ka qindra punonjës dhe ndërkohë rreziku vazhdon zinxhir, pasi të gjithë e dimë lehtësinë e përhapjes së koronavirusit nga një person në tjetrin. Pra, nëse një prej tyre infektohet, atëherë përveç rrezikut që kanë kolegët e tjerë aty, rrezikon çdo person që mund të ketë kontakt me të apo edhe e gjithë familja e të infektuarit. Deri tani, shumica e kompanive kanë vijuar punën rregullisht, pra përditë por në fashën e orarit të caktuar nga qeveria, midis orarit 05:00 -13:00 çdo ditë.

Administratorë të ndryshëm shprehen se është e pamundur që ata të mund të munësojnë pagat e të gjithë punonjësve por do t’i paguajnë ata sipas orëve që punojnë dhe ndërkohë ndoshta mund t’ju plotësojnë rrogat me pjesën e ditëve të pushimit që do të kenë, pra të quajtura ndryshe ‘leje të zakonshme’. Fasonet nuk bëjnë pjesë në paketën e prezantuar nga Qeveria, pra në planin A dhe shpresojnë se në planin B, C apo D që ka deklaruar Kryeministri që do të ketë në vijim të situatës, thonë se shpresojnë që të përfshihen në ndihmën e qeverisë pasi deri tani kanë në kurriz çdo gjë vetë.

Ndërkohë, administratorët kërkojnë të paktën lejen për të ushtruar punën në orare të plota dhe për të mos u shkëputur nga puna normale duke u ndikuar nga masat shtrënguese të marra për parandalimin e COVID-19. Sipas tyre, kërkesa kryesore është që të gjendet një mënyrë, që të kombinohet siguria e jetës së njerëzve, e kombinuar kjo me një rrugë të menduar mirë pro biznesit.

Përsa i përket rrezikut në lidhje me punonjësit në punë dhe për situatën aktuale në kompanitë fason, ka folur për “Shekulli”-n administratori Ilir Pepa dhe drejtuesi i një prej kompanive fason, Florian Zekja tregojnë se janë marrë masat për të parandaluar kështu përhapjen e COVID-19 në fasoneri.

Pepa shprehet se po bëhen shpenzime shumë të mëdha në lidhje me përballimin e kësaj situata. Ai thotë se shkon deri në 350 euro në ditë shpenzimi që ka kompania vetëm për masat, pra furnizimi me maska, me doreza dhe me dezinfektant. Pepa vijon duke thënë që po bën një sakrificë të jashtëzakonshme vetëm për punëtorët dhe jo si biznes, sepse biznesi është totalisht në humbje. Ai shprehet se të punësuar janë rreth 530 punonjës dhe aktualisht, për shkak të situatës, janë rreth 75 % të tyre që punojnë me orare të reduktuara. Këto punonjës do të paguhen në bazë të orëve të punës që bëjnë. Pepa thotë se sot për sot biznesi nuk ka momentalisht asnjë ndihmë nga qeveria dhe kompania ka marrë një kredi prej 150 milionë lekësh dhe sipas tij, kjo sakrificë është vetëm për punëtorët pasi për të kjo është një humbje drastike. Ai shprehet se vetëm një dizenfektim fabrike kushton 4 milionë lekë. Sipas Pepës, fabrika mbahet hapur vetëm që punonjësit të marrin një pjesë të rrogës ose të mund të arrihet t’jua japin rrogën e plotë atyre, por biznesmenët janë në humbje. Ilir Pepa shprehet se kjo gjë mund të përballohet vetëm për një muaj dhe nëse kjo situatë vazhdon kështu do të ketë humbje të tmerrshme për kompaninë saqë biznesi nuk do të mund të ‘ngrejë kokën’.

Sakaq, Florian Zekja shprehet se situata në biznesin fason po vuan pasojat dhe është e njëjtë me situatën në të gjithë Europën. Zekja thotë se biznesi  po punon me kapacitet jo të plotë që varion nga 30-80 % të personelit. Shkak sipas tij është mungesa e transportit publik, mbyllja e shkollave dhe kopshteve si dhe paniku i cili është i justifikueshëm deri diku, por pavarsisht kësaj mungese personeli, biznesi fason ka marrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ai shprehet se janë marrë masa që nga dizinfektimi i ambjenteve, respektimi i largësisë ndërmjet punëtorëve, apo paisjen me maska e doreza . Po evitohet ngrënia në të njëjtin orar, pra bëhet e organizuar në grupe të vogla duke u respektuar hapësira midis punonjësve. Rreziku i përhapjes së virusit është eminent si për jetën e punëtorëve ashtu edhe për vetë ne, por titullarët apo përgjegjësit e prodhimit po mundohen të zbatojnë të gjitha pikat e rregullores për mbrojtjen kundra virusit, thotë Zekja. Ai shprehet se pasojat do jenë katastrofike për biznesin në përgjithësi, por për biznesin tonë në veçanti, duke pasë parasysh se kemi të punësuar 70,000 veta ku pjesa më e madhe janë gra dhe vijnë nga zonat rurale. Pra impakti social – ekonomik është mjaft i madh.

“Kam parasysh anullimin e kontratave të prontomoda si në tekstile ashtu dhe në këpucë. Shitjet për stinën e pranverë- verë janë kompromentuar si dhe mund të vihet në dyshim apo mund të vonohet prodhimi për stinën vjeshtë-dimër 2020.

Që nga dizinfektimi i ambjenteve, respektimi i largësisë ndërmjet punëtorëve, apo paisjen me maska e doreza . Po evitohet ngrënia në të njëjtin orar, pra bëhet e organizuar në grupe të vogla duke u respektuar hapësira midis punonjësve. Rreziku i përhapjes së virusit është eminent si për jetën e punëtorëve ashtu edhe për vetë ne, por titullarët apo përgjegjësit e prodhimit po mundohen të zbatojnë të gjitha pikat e rregullores për mbrojtjen kundra virusit. 

Gjithsesi lajmet mira që vijnë nga Kina e largët, por shumë e afërt me biznesin tonë si dhe rënia drastike e infektimeve në shtetin fqinj Itali, na bëjnë të fillojmë e të shohim një dritë të zbehtë të këtij tuneli për të shpresuar që të rinisë jeta në përgjithësi, por dhe për biznesin e tekstileve dhe këpucëve.”– shprehet drejtuesi i kompanisë fason, Florian Zekja.

Flasin punonjësit e fasonerive

Shumë punonjës shprehet se ndihen të detyruar dhe ‘të kërcënuar’ që të vazhdojnë punën nëpër fabrika pasi kështu rrezikojnë jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe të kolegëve dhe të familjarëve mbi të gjitha. Ata thonë se kjo situatë duhet të marrë zgjidhjen që duhet si çdo situatë në vendet e tjera të botës dhe qeveria të vazhdojë të marrë masa që punonjësit të qëndrojnë në shtëpi dhe të paguhen me pagën minimale pasi shumë prej tyre shprehen se po sakrifikojnë për të siguruar bukën e gojës.

Pranvera, është një nga punonjëset e një fabrike e cila thotë: “Jemi në rrezik për jetën, sado masa të merren nga pronarët tanë duhet të ndërhyjë qeveria. Ne po vuajmë për bukën e gojës. Ne nuk kërkojmë lukse e lekë për salltanete, ne duam të shpëtojmë dhe të mbushim barkun me bukë. Kam 4 fëmijë të vegjël në shtëpi, jam vetëm unë që punojë. Por duke u munduar t’u jap bukën, do t’i vdes nga virusi që mund t’ua coj në shtëpi.”

Por, të gjendur në këtë situatë, ashtu edhe si shumë biznese të tjera, industria fasone i ka dorëzuar qeverisë një sërë kërkesash për të mos lejuar zhytjen e saj në humbje, cka mund të sjellë dhe shkurtim stafi. Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, rrezikojnë të humbasin kontratat me partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë afate, për shkak të reduktimit të stafit.

Kështu, Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë kërkon nga qeveria pagesën e pages minimale për punonjësit për një periudhë 3-6 muaj, në varësi të zgjatjes së situatës, rimbursimin për qiratë e ambienteve për 3-6 muaj, zerimin e tatimeve për kompanitë dhe të sigurimeve shoqërore të punonjësve, zerimin e interesave të kredisë dhe shtyrje të principalit, si dhe mosmbledhjen e taksave vendore.

Kërkesat e Biznesit Fason drejtuar Qeverisë

Letra e plotë:

“I nderuar z. Kryeministër!
Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”, e cila përfaqëson dhe mbron interesat ekonomike të kompanive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi (Fason), iu është drejtuar edhe më parë, Ju dhe ministrave përgjegjës në qeverinë tuaj, për të marrë në konsideratë kushtet në të cilat ushtron veprimtarinë e tij ekonomike dhe financiare ky sektor.

Për fat të keq, sektori që punëson numërim më të madhe të punonjësve, (pas qeverisë), nuk ka ende një përgjigje, as formale, lidhur me problematikën që shoqëron punonjësit tanë në kushtet e situatës së fatkeqësisë natyrore,

Duam t’ju bëjmë me dije, edhe Ju, sikundër kemi javë që informojmë ministrat tuaj, se situata e këtij sektori është si vijon:

1. Nëse 30 mjekë dhe infermierë dërgohen në Itali për të ndihmuar miqtë tanë italianë për këtë fatkeqësi, veprim që e duartrokitëm të gjithë, ju informojmë se janë dhjetra dhe qindra punonjës të kompanive tona, që po vijojnë punë në kushtet e vështira të emergjencës shëndetësore, për të prodhuar veshjet e punës së spitaleve italiane, policisë italiane, policisë rrugore italiane, punonjësve të Mbrojtjes Civile italiane, deri edhe te veshjet mbrojtëse të shëndetësisë, duke dhënë një kontribut të patjetërsueshëm në mbështetje të këtij shteti mik dhe duke i shtuar shpenzimeve tona të përditshme edhe shpenzimet shtesë, siç janë ato për mbrojtjen shëndetësore dhe transportin e punonjësve tanë, në zbatim të urdhrit tuaj për të mos ndërprerë zinxhirin ekonomik të prodhimit.

2. Në kushtet e mungesës së punëtorëve, për shkaqe të njohura, po punojmë nën kapacitetet tona, me pothuajse gjysmën e produktivitetit, duke marrë kosto shtesë edhe për këtë dukuri që nuk varet nga kompanitë tona;

3. Kemi paguar dhe paguajmë, sipas ligjit, të gjitha detyrimet fiskale për muajt janar shkurt. Por jemi në kushtet e bllokimit të plotë të veprimtarisë ekonomike, për shkak të mungesës së likuiditetit, për faj të administratës Suaj, sepse një numër i konsiderueshëm i kompanive toan nuk kanë marrë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke shkelur ligjin fiskal, si edhe shumë herë të tjera.

Por edhe duke mos dhënë asnjë shpjegim, as në rrugë zyrtare për vonesa që penalizojnë sipërmarrjen. Ndërkohë që, nuk ndodh e kundërta: vonesat tona në pagesa ligjore penalizohen brenda 23 orëve! Bizneset tona kanë edhe nga 4-5 vite që nuk iu rimbursohet TVSH-ja!?

4. Duke qënë se partnerët europianë nuk e kanë ndërprerë ende punën në disa nga vendet furnitore, ne po vijojmë të punojmë për ta, pa përfituar asnjë nga lehtësitë që fitojnë kompanitë “mëmë” në vendet partnere. Në vende të tjera, puna është ndërprerë dhe ne ndodhemi në mungesë të lëndës së parë dhe të kontratave në vijim, duke rrezikuar mbylljen dhe falimentimin;

NË KËTO KUSHTE:

Duke qënë se:
a) Nuk është marrë në konsideratë asnjë nga propozimet tona;
b) Nuk kemi asnjë komunikim dhe as përgjigje nga ministrat e ngarkuar nga ju;
c) Nuk kemi parë asnjë lehtësi për të vijuar punën apo për të ndaluar për një periudhë të caktuar;

JU BËJMË ME DIJE SE:

1. Ndodhemi në kushtet e pamundësisë për të vijuar pagesën e pagave të punonjësve, si për ndërmarrjet që punojnë, ashtu edhe për ato që janë në pamundësi të vijimësisë së kontratave.

Për të mosi iu dukur si paradoks, për pjesën e parë të ndërmarrjeve, ju sqarojmë se, edhe pse punojmë në kushtet të vështira, nuk kemi marrë dhe nuk shpresojmë të marrim asnjë pagesë nga kontraktorët, sepse pagesat janë shtyrë në kohë për shkak se tregu nuk siguron shitjen e produkteve tona për arsye të Pandemisë Globale.

2. Ndodhemi në kushtet e pamundësisë edhe për të negociuar me bankat tregtare, ngadalësia e të cilave për të aktivizuar shtyrjen e kredive apo aplikimin për kreditë e mbështetura në garancinë sovrane, është e pafalshme. Ne nuk mund të aplikojmë për kredi, kur nuk njohim asnjë nga kushtet, kur këto nuk i njohin as bankat dhe për më tepër kur deklarohet se normat e interesit të kësaj kredia me garanci bankare fillojnë te pragu 3 për qind e lart. Kjo është e papranueshme dhe jologjike në kushtet në të cilat ndodhemi! Bankat janë biznese si ne, por bankat nuk mund të sigurojnë një normë të tillë fitimi në kushtet e tanishme. Ne kërkojmë ndryshimin e menjëhershëm të kësaj strategjie të bankave tregtare dhe një rol më të ashpër të Bankës së Shqipërisë.
3. Ndodhemi në kushtet e pamjaftueshmërisë së likuiditetit duke filluar nga ky moment dhe nuk mund të marrim përsipër pagimin e pagave të punonjësve tanë.

LIDHUR SA MË SIPËR IU BËJMË THIRRJE:

A) Siguroni nëpërmjet paketës mbështetëse financiare që po përgatitet për biznesin e mesëm dhe të madh mundësinë për pagimin e pagave të asistencës apo papunësisë për të gjithë punonjësit tanë që aktualisht qëndrojnë në punë në ndërmarrje që kanë ndërprerë kontratat dhe nuk kanë punë, të paktën për një periudhë tre mujore;
B) Merrni në konsideratë kërkesën tonë për të blerë borxhin e partnerëve tanë ekonomike në Itali e gjetkë, pagesat e të vilë2ve ose janë vonuar ose nuk do të bëhen për këtë periudhë, duke na kredituar më shumë e tyre derisa në llogaritë tona bankare të mbërrijnë shumat e kontraktuara ligjerisht;
C) Vlerësoni kërkesën për të shtyrë për një afat të caktuar pagesa të detyrimeve fiskale për të gjithë kompanitë fasoniste, me synim sigurimin e likuiditetetit të nevojshmë të kompanive për të paguar pagat e punonjësve, kur kompanitë janë duke punuar apo ato kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike;
D) Urdhëroni autoritetet që të paguajnë menjëherë, pa hezitim dhe pa zbatuar hallkat e tepërta rimbursimin e TVSH. Ligji iu autorizon të rikontrolloni bilancet tona edhe pas pesë vitesh, nëse vëreni abuzime me këtë taksë!
E) Kërkojmë shtyrjen në kohë dhe pagimin e detyrimeve lokale si tarifa dhe taksa vendore në një kohë të mëvonshme dhe me shtrirje kohore në pagimin e tyre.

I nderuar z. Kryeministër!
Ne e kuptojmë shumë mirë situatën. Por ne gjykojmë se ekonomia duhet të funksionojë dhe mekanizmat e mbështetjes së saj duhet të jenë evidente. Tregu kërkon sa më shumë likuiditet dhe mbajtjen e zinxhirit ekonomik në këmbë.

Në të kundërt, kompanive tona që kanë mbi dy dekada që punojnë dhe financojnë edhe formimin profesional të punonjësve, do t’iu mungojë edhe kjo armatë punonjësish që do të duhen vite të përgatitet.

Lutem, merrni në konsideratë kërkesat e shoqatës sonë që përfaqëson plot 762 kompani në të gjithë vendin dhe punëson zyrtarisht 68 mijë të punësuar, shumica gra dhe vajza dhe nga zonat suburbane.”

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet