
Arben Rrozhani
Timothy Colin Smith, 38 vjeç, një politikan australian në Shtetin e Victorias, në tetor 2021, teksa po i jepte makinës pasi kishte pirë pak alkool, e përplasi mjetin në murin e një shtëpie. Askush nuk u lëndua, por Smith dha dorëheqje nga pozita që mbante si “Prokuror i Përgjithshëm nën hije”. Nuk bëri asnjë justifikim dhe kërkoi falje publike: Unë jam shumë idiot.
Politikani i njohur gjerman i Partisë së Gjelbër dhe përfaqësues shumëvjeçar në Bundestag, Volker Beck, 61 vjeç, u tërhoq në mars 2016, nga të gjitha funksionet politike në Parlament pasi gjetën 0.6 gramë drogë metamfetamin, minimumi që e kap ligji për posedim droge dhe u dënua me 7 mijë euro gjobë. “Mund të them vetëm se gjithmonë jam përpjekur për një politikë liberale ndaj drogave”-tha ia para dorëheqjes, edhe pse ishte gay i deklaruar dhe përdorues i njohur droge.
Jozsef Szajer, një politikan hungarez dha dorëheqje nga partia në pushtet në Hungari, Fidesz, e kryeministrit Viktor Orban, më 2 dhjetor 2020, pasi u akuzua se kishte marrë pjesë në një “orgji” eurodeputetësh në Bruksel, ndërsa bota ishte nën shtetrrethimin e pandemisë. Teksa bëri të ditur dorëheqjen e tij si deputet evropian, 61-vjeçari, tha se “pjesëmarrja në problemet e politikave ditore ka qenë barrë e madhe emocionale” për të, por kjo nuk e justifikonte.
Në mars 2021 dha dorëheqjen Alfred Sauter, i dyshuar se ishte i përfshirë në skandalin e blerjes së maskave në Gjermani. Anëtari me ndikim i partisë CSU (Unioni Social Kristian) në Bavari, dyshohej, bashkë me dy të tjerë, se kishte ndihmuar disa kompani të siguronin kontrata nga prokurimi publik për maskat gjatë pandemisë.
Le të vijmë më afër, në fqinjin tonë verior.
Më 1 nëntor 2019, ministri malazez i Zhvillimit dhe Turizmit, Pavle Raduloviç, dha dorëheqjen pas publikimit, në një stacion televiziv, të një videoje që tregonte dy inspektorë të punësuar nga ministria e tij, duke pranuar një rryshfet. “Askush nuk më ka sygjeruar të dorëhiqem, ky është pasqyrimi i mendimeve të mia personale për këtë çështje, etika duhet të ekzistojë në punë dhe në administratën shtetërore”, deklaroi ministri më pas. Mali i Zi, ashtu si dhe Shqipëria, kanë hapur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ku prioritet kryesor është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përveç këtyre shembujve të mësipërm, të rastësishëm, kur zyrtarë dhe politikanë japin dorëheqjen nga posti edhe pse s’kanë lënduar njeri, kemi shembullin tonë më domethënës.
Më 10 dhjetor 2020, Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm i Shqipërisë, njoftoi publikisht se kishte dhënë dorëheqjen e kërkuar nga mijëra protestues dhe politika, pasi një polic vrau më 8 dhjetor, pranë shtëpisë së tij në Laprakë, 25-vjeçarin Klodian Rasha, vetëm pse kishte thyer shtetrrethimin. Lleshaj logjikoi si prind, pastaj si zyrtar: “Unë kam pasur fatin e keq që ta kuptoj vetë se çfarë do të thotë humbja e një fëmije. Nuk e kam thënë më parë. Jam shumë i prekur nga ky fakt që një familje shqiptare, me shumë dinjitet, me sa kam parë në distancë, sepse nuk i kam takuar, ka humbur një fëmijë për shkak të veprimit të gabuar të një punonjësi të Policisë së Shtetit. Ky është një motiv themelor, motiv moral, i cili më ka shtyrë drejt këtij hapi. Nuk ka asnjë lloj kalkulimi. Unë e kam përmendur rëndom, që kur kam hipur në këtë post, kam menduar dorëheqjen. Nuk ka kalkulim këtu. Ministri duhet ta bëjë gati dorëheqjen që ditën e parë të punës, është normale kjo”.
Tani të pyesin veten pak ministrat që u kërkohet të dorëhiqen, atij të Brendshëm, Bledar Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.
Në breg të detit, në një plazh publik, mesditën e 2 gushtit, një 7-vjeçare u bë copa-copash nga helikat e një superskafi me drejtues një komisar policie. Deputetët kryesues të listës së Gjirokastrës dhe ministra të qeverisë “Rama” ia kanë lënë në dorë drejtësisë, por vetë, vetë, si drejtues politikë të PS-së dhe si ministra, kanë ndonjë përgjegjësi, qoftë duke e krahasuar me rastin “Lleshaj” që iku pas vrasjes së 25-vjeçarit nga një polic, qoftë krahasuar me ato pak shembuj të huaj, ku dorëheqja është akt moral dhe politik, edhe pse nuk u lëndua askush?
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply