Protestë kundër Valdrin Pjetrit dhe Edi Ramës në Shkodër (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Një protestë po zhvillohet pasditen e sotme në Shkodër lidhur me rastin Valdrin Pjetri. Simpatizantë të opozitës kanë marshuar nga pedonalja deri te godina e Prefekturës, për të kundërshtuar sipas tyre uzurpimin e këtij institucioni nga trafikantët e drogës.

“Stop lidhjes shtet-banda”, “T’i kthejmë rinisë shpresën”, “Kush futi në burg të varfrit dhe u dha PPP oligarkëve? Edvin Rama”, ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e protestuesve.

Në një prononcim për mediat ish-deputeti Bardh Spahia tha se protesta  e sotme nuk është vetëm ndaj Valdrin Pjetrit, por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama që e quan kapobandë.

“Rama kërkon nënshtrimin e  Shkodrës përmes trafikantëve të drogës, kur as baballarët e tij nuk e nënshtruan dot. Përveç një reagim ndaj Valdrin Pjetrit, është reagim ndaj kapobandës, Edi Rama, që po e kthen Shqipërinë në një narkoshtet. Protesta është ndaj Ramës si kreu i organizatës kriminale që drejton vendin. Shkodra nuk pajtohet me krimin e organizuar e as me ish komunistët e bijtë e tyre që drejtojnë vendin”, u shpreh Spahia.

Kjo protestë ndjek zhvillimet e fundit, ku PD publikoi për mediat dokumentet që sipas selisë blu vërtetojnë që kryetari i sapozgjedhur i PS ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge, dhe kësisoj është objekt i ligjit të dekriminalizimit.

Mbi rastin reagoi edhe Edi Rama, i cili tha se rrugët e Valdrin Pjetrit me PS ndahen deri në daljen e të vërtetës ligjore, ndonëse kryeministri e kishte mbrojtur më herët kandidatin socialist.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet