Projekti i Besart Çopës me 30 mentorë, bursa dhe shkollim dinjitoz për shqiptarët në botë

Besart Çopa tregon për “Shekulli”-n projektin “Albanian Scholarship Effort”, që siguron bursa ndërkombëtare  për të rinjtë shqiptarë. Frytet e një pune të gjatë, sot kanë çuar shqiptarët në shkollat prestigjioze në SHBA, Japoni, Zvicër etj.

Enida Vërça

Besart Çopa është larguar nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare për të vazhduar studimet në një shkollë në Zvicër.  Në një intervistë për “Shekulli”-n,  Besarti tregon se si është angazhuar në një projekt i cili synon të forcojë lidershipin, ku siguron bursa ndërkombëtare për nxënësit shqiptarë. Çopa thotë se gjithçka ka nisur pasi ai vetë përfitoi një bursë studimi në Zvicër. Në fjalën e tij ai tregon se kriteret kryesore që duhet të kenë nxënësit për t’u përzgjedhur janë: Nota mesatare (mbi 8.5) si dhe njohuri të gjuhës angleze, 2) Kurioziteti akademik. 3) Ambicie personale, dhe 4) Vullnetarizëm. Më tej shprehet se kanë menduar edhe një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, por deri më tani nuk ka pasur një interes nga ana e kësaj të fundit.

Besart, ju jeni krijues dhe drejtues i “Albanian Scholarship Effort”, cili është funksioni i saj?

“Albanian Scholarship Effort” (ASE) lindi si ide pasi unë fitova një bursë të plotë dhe vazhdova studimet në një nga gjimnazet ndërkombëtare  më me emër të mirë në Zvicër. Unë punova shumë për atë bursë dhe falë informacionit që kisha grumbulluar vetë nëpërmjet internetit arrita të kuptoj se si funksionon procesi i aplikimeve. Shumë nxënës të talentuar shqiptarë, sidomos nga shtresat e mesme dhe të varfër të shoqërisë  nuk e kanë këtë informacion për arsyet të ndryshme. Këtë informacion mund ta marrin nga mësuesit, vëllezër/motra apo rrethi i tyre shoqëror,  të cilët mund t’i ndihmojnë dhe t’i drejtojnë. Sidoqoftë, ky lloj mentorshipi akademik dhe lidership-i në Shqipëri është shumë i kufizuar pavarësisht nivelit ekonomik.

Si lindi ideja e këtij projekti?

ASE nisi thjesht si një faqe Facebook-u, ku mësues, prindër dhe nxënës me shkruanin dhe më pyesnin se kush jemi, çfarë bëjmë, si kemi arritur të fitojmë bursa dhe cilat ishin kriteret tona që një nxënës të përzgjidhej dhe të merrte ndihmën tonë në vazhdim. Më kujtohet që në vitin e parë, mund të kem takuar më shumë se 100 familje shqiptare gjatë pushimeve në Tiranë. Isha shumë i lumtur që nxënësit  kishin interes kaq të madh, por nuk isha shumë i lumtur me faktin se, kur i pyesja disa nga prindërit dhe nxënësit se si planifikonin të jepnin një kontribut në të ardhmen në Shqipëri, ata nuk e kishin menduar këtë pjesë. Nëse unë dhe skuadra e ASE-së jemi duke punuar me qindra orë për të dhënë një investim në kapitalin human të Shqipërisë,  presim që edhe nxënësit tanë ta kenë shumë të qartë se e njëjta gjë pritet edhe prej tyre në të ardhmen.

Ku konsiston ky projekt dhe prej sa kohësh operon?

ASE drejtohet nga unë dhe Nerjada Maksutaj. Në jemi rreth 28 mentorë, të cilët janë studentë dhe profesionistë shqiptarë, pothuajse të gjithë kanë studiuar me bursa të plota në gjimnaze dhe në universitete nga më të mirët në  botë. Ne jetojmë, studiojmë dhe punojmë në shtete dhe qytete të ndryshme të botës, kryesisht  Amerikë dhe Europë. Mentorët takohen shpesh herë me nxënësit dhe prindërit e tyre kur shkojnë me pushime në Shqipëri. Gjithashtu ata takohen edhe me njëri tjetrin, por kjo ndodh kryesisht on-line me video call (Skype, Google Hangout, Zoom, etj). Për shembull, unë nuk kam takuar personalisht  më shumë se 70% të mentorëve tanë. Për më shumë, shumë prej mentorëve takohen me njëri tjetrin nëpër botë. Vizioni i ASE në të ardhmen është të krijojë një nga rrjetet më të ngushta, më të talentuara dhe më të fuqishme të Shqiptarëve nëpër botë.

Nga sa persona përbëhet ekipi i ASE?

Ekipi ynë përbëhet nga 30 mentorë, të gjithë shqiptarë. Disa prej tyre kanë lindur ose janë rritur jashtë Shqipërisë, si për shembull e vyera jonë Nerjada Maksutaj, e cila është bashkëdrejtuese e ASE dhe ka jetuar në Shqipëri vetëm për një vit, pra ishte një vjeçe kur familja e saj u nis drejt Amerikës në vitin 1997. Shumë shqiptarë të suksesshëm të lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë kanë kontaktuar me ne për t’u bërë mentorë dhe kjo është fantastike.

Si arrini t’i ndihmoni studentët shqiptarë dhe sa është numri i atyre që përfitojnë bursa çdo vit?

Çdo vit programi ASE zgjedh 10 nxënës shqiptarë nga moshat 12 deri në 16 vjeç, të cilëve iu caktohet nga një mentor dhe ata punojnë së bashku për dy vite. Viti i parë fokusohet tek pjesa e “liderit” dhe nxënësi duhet të kryejë një projekt lokal në Shqipëri. Viti i dytë fokusohet tek pjesa e “intelektualit” dhe nxënësi duhet të aplikojë për bursë. Këta nxënës janë jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga trojet e tjera si Kosova dhe Maqedonia. Më pas i bashkojmë me mentorë nga grupi ynë. Përpiqemi që caktimi i mentorëve, dega për të cilën kanë punuar apo fusha ku punojnë të përkojë me interesat apo prirjet e nxënësve. Në vitin e parë ata së bashku punojnë për të zhvilluar kapacitetin e tyre intelektual dhe të lidershipit duke lexuar dhe diskutuar materiale të ndryshme, të cilat nuk jepen normalisht nëpër shkollat shqiptare. Në vitin e dytë, nëse mentori mendon se nxënësi është gati, ata punojnë së bashku për të aplikuar në gjimnazet më të mirë dhe që ofroj në bursa.

Cilat janë kriteret tuaja të vlerësimit dhe përzgjedhjes? Si e bëni ju këtë vlerësim?

Ne kemi katër kritere kryesore: 1) Nota mesatare (mbi 8.5) si dhe njohuri të gjuhës angleze, 2) Kurioziteti akademik. 3) Ambicie personale, dhe 4) Vullnetarizëm. Çdo kriter ka një pyetje të dedikuar në aplikim, për shembull, për pjesën e kuriozitetit akademik  kandidatët pyeten gjatë intervistës se çfarë materiale kanë lexuar përveç atyre që janë në programin mësimor.  Normalisht, nxënësit të cilët janë kuriozë mund të flasin shumë për interesat e tyre në detaje dhe me pasion.

Cilat janë disa nga arritjet e nxënësve që u keni dhënë bursë?

Nga nxënësit që përzgjodhëm në vitin 2018: tre prej tyre fituan bursa dhe janë duke ndjekur studimet në Zvicër, një në Japoni, dhe një në Amerikë. Një do të ndjekë studimet në universitetin e Harvard-it këtë vit. Të gjithë me bursa të plota. Tre të tjerët, nga 9 që zgjodhëm janë nën 14 vjeç dhe do të aplikojnë vitin që vjen. Nga studentët e përzgjedhur në vitin 2019: vetëm tre prej tyre janë mbi moshën 14 vjeç dhe do të aplikojnë  këtë vit. Kështu të presim e të shohim.

Keni menduar ndonjëherë me këtë projekt të keni bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit, a është ajo në dijeni apo ka shfaqur ndonjëherë interes?

E kemi menduar, por nuk kemi gjetur ndonjë arsye të fortë për të kontaktuar me Ministrinë. Do ishte fantastike për të ardhmen nëse Ministria do mund të informonte shkollat publike për këtë mundësi. Nuk jam i sigurt, nëse Ministria është në dijeni, nuk kemi qenë në kontakt.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet