“Po i kthejmë Italisë atë që na ka dhënë”, Kledi Kadiu shprehet krenar për 30 mjekët shqiptarë

 

Balerini shqiptar, Kledi Kadiu, i cili prej vitesh jeton në Itali, është shprehur krenar në mediat italiane për gjestin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë. “Unë jam shumë krenar për vendin tim. Ne po i kthejmë Italisë atë që i ka dhënë Shqipërisë, që na ka mirëpritur, që na ka ofruar të ardhmen. Kjo është ajo që më ka ndodhur dhe mua”, është shprehur Kledi për “Adnkronos”.

Gjatë intervistës balerini shqiptar nuk është treguar i rezervuar për kritikat ndaj Evropës, duke u shprehur se asnjë vend nuk i është gjendur pranë Italisë në këto momente delikate. “Në kohët e vështira duken miqtë e mirë. Nuk e kuptoj Evropën tani. Ajo çfarë i ndodhi Italisë mund t’i kishte ndodhur edhe shteteve të tjera, shikoni Francën apo Spanjën. Le të zgjidhim emergjencën e koronavirusit dhe pastaj t’i rikthehemi tavolinës së vjetër evropiane për të diskutuar problemet e tjera”, është shprehur Kledi.

Balerini shqiptar ka treguar se këto ditë në izolim i kanë shërbyer për t’i dedikuar më shumë kohë familjes dhe vajzës së tij, Lea. “Shëtisim bashkë me motoçikletë, edhe pse Lea ndonjëherë preferon më shumë skuterin, sigurisht vetëm nën garazhin poshtë shtëpisë sonë. Lexojmë bashkë librat që kopshti i ka dërguar Leas, si për shembull, çfarë është koronavirusi”, ka treguar Kledi.

Balerini ka bërë edhe një thirrje për të shpëtuar botën e baletit nga kriza ekonomike, që do të pasojë në mënyrë të pashmangshme këtë moment emergjence.

“Së fundmi kam lexuar që në Itali ka rreth 30 mijë shkolla baleti me rreth 1 milion e gjysmë përdorues. Një moment i vështirë, dramatik, për të gjithë. Shumë miq më kanë telefonuar. Shumë shkolla nuk do të rihapen në shtator. Një dëm shumë serioz për stabilitetin e këtij sektori. Doja t’i bëja një apel qeverisë. Kërcimi jep bukuri, harmoni. Itali mos na harroni ne. ‘KlediDance’ kishte organizuar një mbrëmje gala për Carla Fracci në Verona në 8 maj. Një homazh për divën e madhe të baletit. Është anuluar, por nuk shtyhet. Thjesht u zhvendos për në tetor”, ka thënë Kledi Kadiu.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet