Plagjiatura e diplomave/ Studiuesit: Një rast flagrant brenda zyrave të ministrisë rrëzon sistemin e ri

Ekspertët e arsimit, Tulant Muka dhe Vladimir Kola shprehen se kriteret mbi doktoraturat nuk mund të vendosen nga ministria, por nga vetë universitetet. Cenohet për herë të dytë autonomia e universiteteve

Enida Vërça

Hapja e doktoraturave pas pesë vitesh, ka ngjallur debate dhe mosbesim mbi këtë proces nga ekspertët e arsimit. Sipas tyre problemi më i madh i cili nuk është cekur prej ministrisë së Arsimit, mbetet implementimi i softwre-ve mbi kontrollin e tezave të punuara. Eksperti i arsimit, Vladimir Kola thotë se ka shumë kontradikta mbi aktet nënligjore, duke shtuar më tej se një problem mbetet tejkalimi i kompetencave nga universiteti te Ministria e Arsimit. “Se pari po hapen pa nxjerrë përfundime konkrete mbi problemet që kanë dalë në pah për ato janë mbrojtur në të kaluarën. Së dyti, në VKM 879 nuk caktohet një afat kohor për të miratuar kodet e etikes nëse nuk është përmendur në mënyrë të detajuar problemi i integritetit të origjinalitetit të disertacionit të doktorature ose nëse kanë nevojë të përshtaten me VKM-në në fjalë. Gjithashtu, në VKM 777, 2018, nuk ka një afat kohor brenda të cilit Ministria duhet të shprehet për kontrollin me software të disertacioneve”, deklaron ai.

Masat ndëshkuese

Studiuesi dhe eksperti i arsimit, Tualant Muka shprehet se si do vendosen në zbatim softweret  dhe nëse Ministria e Arsimit do marrë masa për akademikët që kanë kopjuar punën e tjetrit, e sidomos për dekanët, rektorët dhe shefat e departamenteve. “Dëgjova ministren Shahni dje teksa tha se kandidatët për rektorë dhe dekanë do kontrollohen për performancën e tyre akademike, duke bërë dhe kontrollin e plagjiaturës dhe nëse titujt akademikë i kanë marrë në përputhshmëri me ligjin. Nëse ka sinqeritet në ketë vendim, është një lajm shumë pozitiv, por ato ngelen fjalë dhe propagandë për sa kohë Ministria e Arsimit nuk ka ndryshuar dispozitën normative që përcakton kriteret për dekanë/rektorë; për shembull, Ministria e Arsimit mund të vendosë si kriter një numër të caktuar publikimesh në revista te indeksuara për kandidatët dekanë/rektorë. Bëhem e më shumë dyshues për atë që tha ministrja kur vetë ajo emëroi zv/minister, z. Olti Rrumbullaku i cili në 17 vjet karrierë akademike ka mundur të publikojë vetëm një artikull shkencor, i cili rezultoi të jetë plagjiaturë. Nuk mund të kërkosh integritet akademik për të tjerë, kur personi përgjegjës në Ministrinë e Arsimit që do bëje kontrollin e rektorëve/dekanëve nuk ka vetë integritet akademik”, u shpreh ai.

Kriteret

Sa i takon kritereve të përcaktuara nga ministria mbi punimet e doktoraturave, Muka thotë se ato nuk përcaktohen nga ky dikaster, por nga vetë universitetet. “Kriteret për doktoraturë nuk vendosen nga ministria, por nga universitetet. Ministria ka vetëm funksion rregullues dhe mbështetës, dhe me rregullat e reja po u merr kompetencat universiteteve duke u prekur anatominë. Universitete të ndryshme kanë nivel të ndryshëm të programeve të kërkimit që ofrojnë. Për shembull, Universiteti i Tiranës, krahasuar me Universitetin e Vlorës, ka më shumë përvojë kërkimore dhe më shumë kapacitete njerëzore dhe financiare, e për rrjedhojë kriteret për doktoraturë nuk mund të jenë kurrsesi të njëjtat me Universitetin e Vlorës; janë në dy faza të ndryshme zhvillimi. Gjithashtu, fusha të ndryshme studimi kanë mundësi të ndryshme për punë kërkimore. Ministria e Arsimit me VKM-në e re po i vendos të gjitha universitetet dhe fushat e kërkimit në nivel të njëjtë,  e cila është një strategji shkatërruese për shkencën dhe vetë universitetet.  Praktikisht ministria po vendos rregulla për të “izoluar” më të aftin, dhe për ti vendosur  të gjithë në të njëjtin nivel. VKM-në e fundit për doktoraturat është tregues i qartë i mungesës së vizionit që qeveria shqiptare ka për universitetet, konkurrencën mes tyre dhe për zhvillimin e shkencës në vend”, thotë ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet