Piramidat e reja konsumatore?

Arben Rrozhani

Kosova vendosi të premten që të mbyllë zyrat e “Iute Credit” dhe “Monego”, pas vendimit që mori këtë Banka Qendrore. Këto institucione financiare, sipas Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, ato nuk e kanë zbatuar planin të cilin e kanë paraqitur kur kanë kërkuar licencim, norma e interesit, sipas rregullores së BQK-së në Kosovë, shkon deri në 20.3 për qind, ndërsa këto dy institucione mikrofinanciare kanë aplikuar norma shumëfish më të larta të interesit. Në Kosovë veprojnë 23 institucione mikrofinanciare, me rreth 183 njësi në gjithë vendin.

“Iute Credit’ ishte ndëshkuar nga BQK-ja edhe në shkurt të vitit 2019, për mashtrim dhe ishte detyruar t’u kthente paratë klientëve. Mbylljen e tyre e kishte kërkuar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, sepse, përveç interesave të larta, dyshohet se ato po pastronin paratë e pista që e kanë burimin nga Rusia apo Estonia. “Monego’ është në pronësinë e Aigars Kesenfelds, një biznesmeni të dyshuar për krime ekonomike, mashtrime dhe pastrim parash dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko. ‘Iute Credit’ nga Estonia ka zyra edhe në Shqipëri, prej vitit 2015. Shërben non stop, nga e hëna në të diel, nga ora 08.00-20.30. Jep kredi deri në 30 mijë lekë, afat shlyerje deri në 1 muaj, aprovimi deri në 7 minuta. Nëse aplikon për një kredi për makinë deri në 1 milion lekë, me afat shlyerje 60 muaj. Nuk është vetëm.

Ka plot edhe 4 institute të tjerë mikrofinanciarë, që operojnë sipas rregullores nr.1, datë 17.01.2013 “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” dhe rregullores së shkurtit 2013 ”Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, firmosur nga ish-guvernatori Ardian Fullani dhe që hyri në fuqi me 27 shtator 2017. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 5 operatorët e mikrofinancës që kanë licencë e kanë zgjeruar kredinë me 20% në vit, kur kredia nga bankat mbeti në vend. Në vitin 2017 portofoli i kredisë mikro nga jobankat arriti në 15,5 miliardë lekë dhe investimet kryesore dominohen nga kapitali rus. P.sh. Kredo.al dhe Digital Finance janë me kapital rus, ndërsa operatorët e tjerë janë NOA, Iute Credit dhe FAF.

Dy fonde shqiptare me kapital shqiptar që kanë rreth 90 për qind të protofolit të kredisë kanë shprehur shpesh shqetësimin se operatorët me kapital të huaj nuk po respektojnë rregulloret shqiptare për transparencën në lidhje me normat e interesit dhe ka dyshime për pastrim parash. Kredo ruse jep hua me afate të shkurtra deri në 30,000 lekë për t’u paguar vetëm me një këst brenda 7, 14 ose 30 ditëve. Por nëse merr 15 mijë lekë dhe do ta shlyesh atë për 12 muaj, kredimarrësi do të paguajë gjithsej deri në fund të periudhës 27120 lekë më shumë, me interesi vjetor 80%. A duhet të reagojë edhe Banka e Shqipërisë, si ajo në Kosovë. Institutet financiare janë njësoj, interesat po ashtu, aksionerët rusë po ashtu. I bashkojnë viktimat: qytetarët shqiptarë që lënë numrin e ID-së dhe marrin kredi, gjoja për të shpëtuar, por që fundosen dhe më e rëndësishmja: a po pastrojnë ato paratë edhe në Shqipëri, siç thotë ambasada amerikane për Kosovën? Këto janë përgjigje që duhet t’i japë Banka e Shqipërisë, që të mos përfundojmë si në marsin 1997, kur piramidat financiare rrëzuan Shqipërinë.

Ditari (a)politik

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet