Partia “Zgjidhja”: Duhet ‘Pakti Kombëtar’ për të përmbushur kushtet e BE-së

Një ditë pas vendimit për mos hapjen e negociatave me BE-në, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, njoftoi sot zgjedhjet e parakohshme.

Ndërkohë, nën drejtimin e tij Shkupi zyrtar arriti të mbyllë konfliktin me Greqinë për emrin, duke pranuar marrëveshjen e Prespës me Athinën, që ndryshoi emrin dhe kushtetutën e vendit.

Partia “Zgjidhja” në një deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me mos hapjen e negociatave me BE-në.

Ndër të tjetra partia “Zgjidhja” deklaron se Rama është bërë despoti më i korruptuar në Europë, që ka shkatërruar të gjitha institucionet, ka vrarë biznesin vendas e të huaj, ka rrëmbyer çdo pushtet dhe ndan me disa ortakë paratë e shqiptarëve dhe pasuritë publike.

Gjithashtu, “Zgjidhja” pohon se largimi i Ramës nga pushteti, formimi i një qeverie teknike që do të bëjë reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, është zgjidhja e vetme për vendin.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi sot zgjedhjet e parakohshme pasi vendi i tij, bashkë me Shqipërinë, nuk morën ‘Po’-në për hapjen e negociatave. Ai ua la në dorë votuesve maqedonas që të vendosin nëse duhet votëbesuar partia e tij, apo ajo e ish-kryeministrit Gruevski.
Zaev e drejtoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut prej qershorit 2017 dhe arriti brenda një kohe shumë të shkurtër të bënte shumë reforma. Nën drejtimin e tij Shkupi zyrtar arriti të mbyllë konfliktin me Greqinë për emrin, duke pranuar marrëveshjen e Prespës me Athinën, që ndryshoi emrin dhe kushtetutën e vendit. Pas samitit të Triestes në korrik 2017, vendi u bë edhe më joshës për kompanitë e huaja që përfitojnë lehtësi dhe mbështetje për të investuar dhe, edhe pse me burime më të pakta e pa dalje në det si Shqipëria, ka ekonomi më të zhvilluar. Me gjithë këto arritje, ‘Jo’-ja e BE-së ndaj Shkupit nuk ishte për reformat e munguara, por për të mos e ndarë nga Tirana, siç këmbënguli presidenca finlandeze e BE-së.
Rama e përjashtoi dorëheqjen dhe zgjedhjet e parakohshme, edhe dje në konferencën për shtyp edhe sot përmes ministrit të jashtëm në detyrë. Ai është i vendosur të mos njohë asnjë përgjegjësi për dështimin e përsëritur të vendit, që kur ai erdhi në pushtet në shtator 2013. Për të fajin për ‘Jo”-në e negociatave e kanë mospajtimet Francë-Gjermani në procesin e reformimit të BE-së, duke harruar se çfarë rregjimi tiranik ka ndërtuar në këto 6 vite në pushtet.
Rama është bërë despoti më i korruptuar në Europë, që ka shkatërruar të gjitha institucionet, ka vrarë biznesin vendas e të huaj, ka rrëmbyer çdo pushtet dhe ndan me disa ortakë paratë e shqiptarëve dhe pasuritë publike. Qeverisja e tij ka vrarë shpresën dhe shqiptarët janë azilkërkuesit më të shumtë se ato të vendeve të luftë. Qindramijëra shqiptarë kanë ikur apo duan të ikin, sepse profesionistët poshtërohen prej drejtuesve profanë të Rilindjes, njerëzit e shkolluar nuk shohin asnjë të ardhme këtu për veten dhe fëmijët.
Partia ‘Zgjidhja’ deklaron se largimi i Ramës nga pushteti, formimi i një qeverie teknike që do të bëjë reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, është zgjidhja e vetme për vendin. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që t’i përmbushë kërkesat e BE-së brenda majit 2020 kur mendohet se do të jepet një vlerësim tjetër për negociatat.
Koha deri atëherë duket e pakët, por e mjaftueshme që, përmes ‘Paktit Kombëtar’ të propozuar nga partia ‘Zgjidhja, vendi të bëjë reforma gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët politikë në vend, shoqërinë civile, inteligjencën, emrat e shquar të diasporës dhe votën e të gjithë shqiptarëve. Ndryshe, këtu do të mbeten vetëm partitë e vjetra, të nënshtruarit dhe të korruptuarit, pensionistët, të sëmurët e fëmijët pa prindër, ndërsa Europa do të mbetet gjithnjë një ëndërr e largët për shqiptarët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet