
Pirro Naçi
Për disa, politikanët mund të jenë si trëndafila, për t’u marrë erë. Nuk do të kundërshtoja, për më të shumtit, nga kopshti në buqetë dhe pastaj… në koshin e plehrave. Se për nga fjalët, mund të bëjnë edhe lule këta, por pa fryte dhe farë.
Me gjithë mëkatet që mund të kenë, nuk besoj se vetëm ata janë fajtorë. Sa herë vijnë zgjedhjet, i votojmë dhe i besojmë. Pastaj, për katër vjet, të gjithë na i kanë fajin. Sistemi politik zien i tëri, qytetarët janë të pakënaqur. Për disa fajin e kanë të majtët,për disa të tjerë të djathtët, bile një pjesë fajëson të dyja palët. Disa besojnë në ‘’komplote’’ të ndërkombëtarëve!…
Nuk kanë lënë fytyrë politikani pa ‘’pështyrë’’, me pretekstin se janë tradhtuar. Kjo përsëritet çdo katër vjet. Voto e pështy të njëjtit. Pasqyra ka në çdo shtëpi, le të qëndrojnë përpara saj, të paktën kur vijnë zgjedhjet, aty të shfryjnë. Në se fajin e kanë politikanët kjo nuk justifikon qytetarët. As udhëheqjen shpirtërore, akademike dhe intelektualët, që mund të jenë më aktivë, të flasin e të paralajmërojnë. Të bëjnë atë që bënë patat e Kapitolit, jo në Amerikë, por në Romën e lashtë. Brecht kishte thënë, kur të vijnë ditë të vështira, njerëzit nuk do të thonë vetëm se çfarë bëjnë politikanët, por do të thotë- ‘’Përse nuk folën edhe poetët’’?…
Kushdo që mendon se njerëzit, apo thënë ndryshe votuesit, nuk kanë asnjë përgjegjësi për atë çka ndodh për shumë vite, në varësi të votës së tij, nuk janë të sinqertë. Ai që voton është gjithmonë përgjegjës dhe është në ekuacionin e politikës. Jo vetëm përgjegjës, dhe diçka më shumë.
Është fajtor se e voton politikanin për të ‘’ngrënë’’ edhe ai dhe pastaj të jetë në gjendje të anashkalojë ligjin, të ndërtojë në mënyrë arbitrare, të ndikojë që ‘’baballarët’’ të kontrollojnë shtetin dhe ‘’filizat’’ parashtetin.
Është fajtor se nuk inkurajon njerëz të kualifikuar, me moral dhe me prestigj, por që nuk guxojnë të hyjnë në arenën politik për të mos u zhvleftësuar e injoruar.
Është fajtor se nuk di se çfarë kërkon, gjithmonë para kutisë së votimit dikush do t’i ndryshojë mendjen.
Është fajtor se veproi i ”maskuar” pas të shumtëve dhe jo si individ, për të shmangur përgjegjësitë, kjo edhe kur është për të mirën e tij. Mendon se interesi më i madh është të mos harxhojë energji për të menduar, për të vepruar,për të mbështetur pozicione progresive, i shmanget përballjes për të mos u ekspozuar. Beson ndryshe nga ato që tregon, duke pritur që dikush tjetër të veprojë dhe ai thjesht të gëzojë ndryshimin pa asnjë përpjekje.
Është fajtor se vendos partinë mbi të gjitha, dhe e ka atë si ‘’tokë të blerë’’, në anë të detit, se deputetin e shikon si Zuckerbergun. Ndaj ata janë të mbërthyer në Facebook. Ajo që kërkohet është sa like do të marrin, apo sa vepra do të bëjnë? Të bësh qëllim në vetvete duke çuar foto dhe pamje në Facebook, do të thotë se bën me të vërtetë punë?… Vërtet Ismail Qemali kur bëri ndryshimin e madh kishte ide nga Facebook-u? Facebook, Twitter dhe të tjerat, të mira janë, por gjithsesi një realitet virtual, dhe ne nuk jemi Matrix…
Uroj që që të gjitha këto të dalin të gënjeshtëra deri në fund të prillit. Horoskopi na i thotë të ngatërruara… Fillimi i vitit zbulon luftime titanike… Për të gjitha shënjat e zodiakut, do të ketë konfrontime të ashpra, për shkak të lëvizjeve spazmatike dhe sjelljeve të gabuara. Aty nga fundi i prillit dhe fillimi i majit eklipsi do të mbyllë shumë çështje duke treguar mirëkuptim dhe maturi që mund të sjellë ndryshimin…
Shyqyr që kemi horoskopin dhe fat që politikanët akoma nuk kanë në përdorin teknologji bërthamore por vetëm facebook-un, se nuk e di se si do të ishte vendi pas 25 prillit. Dhe deri sa të vijë ajo ditë, le të kujtojmë ndonjë thënie si ato të George Orwell: ‘’Një popull që zgjedh të korruptuar, hajdutë, tradhëtar dhe mashtrues nuk është viktimë, është bashkëpunëtor’’.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Z pirro mire ke shkruajtur por nuk ke dhene nje zgjidhje ose orjentim. POpulli eshte ne mes te rruges se partite kryesore qe do futen ne zgjedhje drejtuesit jane te perfolur per te korruptuar.Dhe keto 6 vjetet e fundit populli nuk ka buzeqeshur por eshte i merzitur. Keto Parti do propozojne direkt ose indirekt kantidate qe ata pelqejne. Keshtu do rrutullohet rrota.