Një miss i veçantë/ 22-vjeçarja që do të na përfaqësojë në Itali

Maria Taragjani, miss-i shqiptar që do të na përfaqësojë në kompeticionin e bukurisë për personat shurdh-memecë. Ajo tregon barrierat dhe luftën e saj për të mposhtur paragjykimet. Në Shqipëri, nuk ekzistojnë mundësitë

Enida Vërça

Maria Taragjani, është 22-vjeçarja e cila do të në përfaqësojë ditën e sotme në ‘Miss Universe Deaf’, për personat shurdhmemecë, që do të mbahet në Itali. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, 22-vjeçarja thotë se këtë konkurs e shikon si një mundësi mjaft të mirë, për të nisur karrierën larg vendit, pasi në Shqipëri, sipas saj mundësitë për këtë kategori janë zero. “Unë ju bej thirrje gjithë shqiptarëve të më mbështesin, shpresoj që në këtë spektakël të më hapet një dritare punësimi jashtë vendit, pasi në Shqipëri mundësitë janë zero. Jemi inekzistentë dhe na shikojnë me paragjykim të madh”, deklaron ajo. Më tej në fjalën e saj, nënvizon se është mjaft e lumtur dhe krenare, që do të mund të përfaqësoj Shqipërinë në një spektakël të tillë, duke kërkuar që të mbajnë larg gjuhën paragjykuese. “Janë emocione që nuk di t’i përshkruaj dhe jam mjaft e lumtur që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë spektakël. Është krenari që t’i them mbarë botës, që mos të na paragjykojnë, pasi edhe pse nuk flasim apo dëgjojmë, marrim frymë si ju dhe jemi njësojë si ju, qenie njerëzore, por me aftësi ndryshe”, shton më tej ajo.

Mundësitë

E reja tregon mundësitë e pakta që ofron shteti shqiptarë dhe peripecitë me të cilat i është dashur të përballet, për të arritur të ndjek studimet e larta dhe të jetë sa më aktive në shoqëri edhe pse është paragjykuar gjithmonë. “unë vij nga një familje e varfër. Babin e kam invalid pune. Qysh në moshën 5- vjeçare kam ardhur në Tiranë, në shkollën e nxënësve që nuk dëgjojnë e nuk flasin. Mbarova arsimin bazë dhe më pas fitova të drejtën e studimit në liceun artistik, “Jordan Misja”, dega pikturë. Aty vazhdova për katër vjet dhe më pas konkurrova për shkollën e lartë, ku fitova shkollën në Akademinë e Arteve. Momentalisht jam në vitin e dytë të studimeve, dega skulpturë. Gjatë verës kam bërë disa kurse, estetike dhe gjithmonë më ka pëlqyer të angazhohem dhe të jap kontributin tim, qoftë na familje, e po ashtu në shoqërinë. Në fillimet e mia, përballimi i jetës ka qenë mjaft i vështirë, jam detyruar që të punoi edhe pastruese, për të paguar shpenzimet e mia, pasi familja nuk ka mundur t’i përballojë”, tregon ajo. Më tej shton se gjithmonë është angazhuar në aktivitete të ndryshme edhe pse mundësitë për njerëzit me aftësi të veçanta, janë të pakta. “Unë jam angazhuar shumë, edhe pse barrierat shpesh kanë qenë thuajse të pakapërcyeshme. Kam qenë aktive në shkollë, kam luajtur në teatër. Kam marrë pjesë në konkurse pikture, ku kam marrë dhe çmimin e parë. Në Shqipëri janë shumë të pakta këto aktivitete”, nënvizon ajo mes të tjerash, nëpërmjet gjuhës së shenjave.

Paragjykimit

Maria thotë se gjithmonë është ndjerë e paragjykuar qoftë nga njerëzit e afërt deri te ata të panjohurit, për shkak të aftësive të saj të veçanta. Një tjetër synim të cilin e bën 22-vjeçaren të jetë plotë ëndrra është edhe eliminimi i barrierave që krijohen nga shoqëria jonë, e cilësuar si paragjykuese. “Ne shihemi me një sy tjetër, duke nisur që nga rrethi më i afërt, e deri te qytetari i thjesht, të cilët zgjedhin të mbajnë distancë ndaj nesh. Unë dua t’a thyej këtë largësi. Dua që të jem e barabartë me gjithë pjesën tjetër të botës. Ne nuk kemi asgjë më pak se ju, ne jemi njësoj. Ky është mesazhi që unë dua të përcjellë. Nuk e kuptoj përse njerëzit stepen kur na shikojnë, takojnë, apo përfshijnë në aktivitetet të ndryshme? Jemi me gjak dhe shpirt, si gjithë të tjerët. Aftësitë tona, nuk mund të vendosin kufij”, deklaron ajo.

Mbështetja

Mbështetja më e madhe e Marias në këto 22 vite jetë, ka qenë familje e saj. Edhe pse të ndodhur në kushte jo të favorshme ekonomike, ata kanë qenë pas saj në çdo hap, duke e mbështetur në çdo rrugë. “Familja ime e priti mirë këtë arritje timen dhe më mbështet në çdo aktivitet, por të jem e sinqertë me ju mundësitë ekonomike janë të pakta. Prindërit janë të papunë dhe të sëmurë, por pavarësisht kushteve në të cilën ndodhen, ata gjithmonë më kanë shoqëruar në aktivitetet ku unë kam marrë pjesë”. Më tej shton se aktualisht është anëtare në Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë (ANAD) ku edhe punon si sekretare aty.

Incidenti

Në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”, pretendentja për fitoren e ‘Miss Universe Deaf’, Maria Taragjani, kthehet shumë pas në kohë dhe tregon se si ka përfunduar ajo në një njeri me aftësi të veçanta. Ajo thotë se kur ka qenë vetëm disa muajshe është përplasur nga vëllai i saj me të meta mendore dhe si pasojë dëmtoi veshin. Më pas ajo kuptoi se nuk mund të dëgjonte, megjithatë fliste disa fjalë, si mami apo babi. Por kur shkoi në kopsht dhe në shkollë, ajo u përplas me një realitet të hidhur dhe paragjykues që e mbylli në vetvete. Që nga ajo kohë ajo nuk mund të flasë më. Kjo është një nga arsyet që e ka shtyrë Marian të marrë pjesë në një konkurs të tillë, duke mposhtur realitetin e hidhur më të cilën është detyruar të përballet ndër vite.

Konkursi

Çfarë është Miss dhe Mister Deaf?

Miss dhe Mister Deaf është një organizatë jofitimprurëse e cila është krijuar që prej vitit 2001. Gjuha zyrtare në këtë konkurs është Gjuha e Shenjave Ndërkombëtare. Në këtë konkurs, finalistëve u jepen kurora kristali, me vlera të ndryshme monetare. Ata arrijnë të njohin njëri-tjetrin nëpërmjet gjuhës së shenjave ndërkombëtare, duke bërë që mesazhet e tyre të deshifrohen dhe të kuptohen. Sipas rregullave të konkursit, një fitues nuk lejohet të marrë pjesë në një konkurs tjetër bukurie. Disa nga fitoret më të bukura të këtij konkursi që përmenden shpesh janë: Më 9 korrik 2010 u zhvillua një konkurs në Tbilisi, Xhorxhia, ku mis u shpall Julie Abbou nga Franca. Ajo u bë e njohur për historinë e saj të veçantë, e cila edhe pse nuk kishte pasur asnjë mbështetje dhe nuk ishte lejuar të merrte pjesë, arriti të shpallej fituese. Historitë janë pothuajse të njëjta, ku mesazhi kryesor cdo vit është përballja me paragjykimet dhe mposhtja e tyre. Një vit më parë, Miss dhe Mister Deaf, është fituar nga një vajzë Izraelite. Konkursi i cili u zhvillua në Pragë, ishte një dritare dhe mundësi shumë e mirë për Xu Jinghui. Ajo ndau me publikun të gjithë emocionet, dhe mënyrën se si është qëndrimi i vajzave nga vende të ndryshme të botës në të njëjtin ambient. Dita e dytë ishte një ditë e lirë, dhe ne vizituam vende të ndryshme. Ne biseduam me të gjithë duke filluar të bënim shokë të shumte ku dje biseduam  me njëri-tjetrin me gjuhën e shenjave ndërkombëtare. Dita e tretë deri në ditën e gjashtë ishte në klasë, për të praktikuar shfaqjen së bashku, dhe për të shkëmbyer gjuhën e shenjave ndërkombëtare dhe kulturën e shurdhër midis vendeve të ndryshme. Shfaqja filloi në 29 Shtator 2018, duke me lenë shumë të  trishtuar dhe të dekurajuar, por ishte një përvojë e rrallë për mua. Xu Jinghui, dhe të gjitha vajzat dhe djemtë e tjerë shurdhmemecë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs, janë kthyer në shtëpitë e tyre mjaft të lumtur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet