Nisma e dështuar, ja hilet e qeverisë me çekun e bebes

Në vitin 2015, qeveria Rama uli pagesat për lejet e lindjes për nënat, ndërsa bonusi 5000 lekë nuk është paguar.  Eksodin e shqiptarëve, kryeministri e justifikon me lëvizjen  e lirë. Reagon kryetari i Zgjidhjes

Neritan Gjergo

Për çdo fëmijë të lindur nga viti ardhshëm e në vazhdim, qeveria do të japë bonus nga 40 mijë lekë deri në 120 mijë lekë. Nisma është shpallur dje nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ajo është e destinuar të mos japë efektet e pritshme në normën e rritjes së popullsisë, edhe pse është përgëzuar nga një pjesë e qytetarëve virtualë. Në fakt, për lindjen e një fëmije që nga viti 2000 jepet një bonus, të paktën kjo është e shkruar në vendimet e qeverisë, edhe pse shumë prindër nuk kanë mundur ta marrin për shkak të burokracive në institucione. Ky handikap nuk është zgjidhur nga ky kryeministër, i cili mban pushtetin që nga viti 2013, por në vitin 2015 ka miratuar disa ndryshime ligjore, duke ulur përfitimet për lejen e lindjes për nënat. Nga 1 janari 2015, përllogaritja e pagesës për barrëlindje u ndryshua, duke u vendosur mbi pagën neto dhe jo atë bruto. Kjo lëvizje në ligjin “Për sigurimet shoqërore” uli ndjeshëm përfitimet për nënat, ndërsa dje duke mos e referuar këtë akt, premtoi, ose më saktë bëri thirrje për sa më shumë lindje fëmijësh sepse qeveria do t’i ushqejë ata “1 muaj me qumësht”.  Pra, qoka e radhës e kryeministrit Edi Rama është e destinuar të shpërfillet, pasi ai as nuk mund ta frenojë e as nuk mund ta nxisë dëshirën e çifteve për t’u bërë prindër.

Emigracioni

Gjatë prezantimit të misionit për të nxitur lindshmërinë, kryeministri e cilësoi eksodin e shqiptarëve pak a shumë si fitore të një shteti demokratik,  që u jep liri atyre të ikin e të vinë sa herë të dëshirojnë. Por mbi këtë logjikë, tentativa për të shumëfishuar bonusin e lindjes, është gati-gati alogjike dhe mbi të nuk qëndron ndonjë paralelizëm. Të paktën, vetë kryeministri nuk e ka mbështetur dot me argumente e të dhëna konkrete që liria e lëvizjes për të ikur jashtë është e barabartë apo e përafërt me kthimin në atdhe. Pra, bonusi i 25-fishuar në titullin që vetë qeveria i vë politikës për nxitjen e lindshmërisë, nuk është gjë tjetër veç deklarata apo vendimi i radhës për të mbuluar diellin me shoshë, pasi nuk është ky motivi frymëzues për të rikuperuar demografinë në vend, por një jetë e tërë, e cila në llogaritë e familjeve rezulton e sakatuar me këtë politikë.

Nënat paguhen më pak

Gratë, që marrin lejen e lindjes pas datës 1 janar 2015, paguhen më pak se para kësaj date. Kjo, në bazë të ligjit  “Për sigurimet shoqërore”, që hyri në fuqi para 3 viteve e që ndryshoi përllogaritjen e masës së lejes së lindjes. Përllogaritjet e sakta i ka bërë Open Data Albania për vlerën e pagës neto për fasha page bruto nga 30 deri 150 mijë lekë, sikurse diferencën në vlerë mes tyre. Më konkretisht, një grua që ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindjeje para datës 31 dhjetor 2014, do të përfitonte në 6 muajt e parë pagesën për leje lindjeje mujore prej 24 000 lekësh, ndërkohë që, nëse nga janari 2015, përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të lejes së lindjes është 21 312 lekë. Sipas Open Data Albania, në llogaritjen e masës së përfitimit, ndryshimet ligjore kanë futur konceptin ‘Pagë Neto’ si një koncept kontabël, kundrejt konceptit dhe termit që njeh e drejta e punës e që është ‘Paga’. “Paga apo në terminologjinë kontabël Paga Bruto, është shpërblim i të punësuarit për punën e kontraktuar. Nga Paga Bruto zbritet 9.5 për qind e Pagës si pjesa e sigurimit shoqëror që i përket të punësuarit; zbritet 1.7 e Pagës si pjesa e sigurimeve shëndetësore të paguara nga punëmarrësi; gjithashtu zbritet tatimi mbi të ardhurat nga Paga, i cili ndryshon sipas vlerës së pagës. Paga Neto është gjithnjë më e ulët se Paga Bruto. Diferenca mes tyre, në vartësi të pagës është nga minus 11.2% për pagat e patatueshme, deri në minus 34.2% për qind për pagat të tatohen në masën 23%”, thuhet në njoftimin e ODA-s. Ndryshimet ligjore shënojnë edhe disa risi në favor të përfituesve, si për shembull: përjashtimi nga ky rregull i detyrimit për të pasur 12 muaj sigurim për çdo barrë lindjeje, në rastin kur barrëlindja e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.

Arsyet kryesore të rënies së lindjeve pas viteve ’90 lidhen me ndryshimet kulturore në familjen shqiptare si dhe me shkallën e lartë të emigrimit mes të rinjve, emigrim që sjell detyrimisht rënie të martesave e të lindjeve. Por, rënia e mëtejshme e numrit të lindjeve në vitet e fundit, rënie që është shkaktuar nga emigrimi i popullsisë shqiptare drejt Europës, pritet të ketë pasoja të shumëfishta të rënda për demografinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në dekadat e ardhshme. Shqipëria me rënien më të madhe të lindshmërisë në Europë. Shqipëria ka parë rënien më të madhe të lindshmërisë në rang europian në dy dekadat e fundit, sipas një përllogaritje që publikoi së fundmi Eurostat. Indeksi i fertilitetit (numri i lindjeve për një grua) nga 2.3 që ishte në vitin 2011, në fund të vitit 2015 ishte vetëm 1.67. Kjo është rënia më e madhe në të gjitha vendet e Europës, shumica e të cilave panë zhvillime pozitive ne lindshmëri.

Çeku i bebes do të jepet me këste

Për çdo të lindur vitin e ardhshëm, qeveria do japë 40 mijë lekë. Nëse i linduri është fëmijë i dytë në familje, bonusi rritet në 80 mijë lekë, ndërsa, nëse është fëmijë i tretë, atëherë bonusi i lindjes është 120 mijë lekë. Po për të lindur binjakë dhe trinjakë?  “Ka nga ata që pyesin sesa do marrin nëse do lindin binjakë. Ishte njëri që shkruante o vëlla sa lekë do jepni nëse lind binjakë. Atëherë, nëse do kemi binjakë, bonusi do jepet si fëmijë i dytë, pra 800+800. Po për trinjakë? Sepse një zonjë para pak ditësh lindi tre bebe. Ata do llogariten si fëmijë e tretë, pra 1 milionë e 200 mijë lekë për secilën bebe”, ka thënë kryeministri Tjetër risi e nismës është edhe regjistrimi i lindjeve në maternitete dhe jo në zyrat e Gjendjes Civile, për të shmangur burokracitë. “Që nga 1 janari nënat që do lindin në maternitetet e vendit tonë, jo vetëm do të kenë mbështetje shumë herë më të madhe sesa kanë pasur, por edhe për të regjistruar fëmijët nuk do shkohet më në gjendje civile, por direkt në maternitet, në mënyrë dixhitale që çdo fëmije që lind”. Kryeministri premtoi gjithashtu se qeveria do nisë një program financimi për të gjitha maternitetet në vend, për t’i kthyer ato në shtëpi lindje të transformuara dhe me kushte bashkëkohore. Por, si dhe kur do të jepet bonusi i bebeve? Për këtë, kryeministri nuk e ka gati përgjigjen, sepse vetë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale nuk e ka formuluar të plotë strategjinë. “Ne jemi në diskutime për mënyrën se si do të ndërtohet mekanizmi i dhënies së këtij bonusi të ri të bebes, që është 8-fish nga sot për fëmijë e parë, 16-fish për fëmijën e dytë dhe 24-fish për fëmijën e tretë dhe pastaj për të katërtin e për të pestin vlen e njëjta gjë, 1 milionë e 200 mijë lekë, që do të jenë të shkallëzuara përgjatë vitit si një financim shtesë për familjet. Si do të jenë të shkallëzuara, kjo është diçka që ne po e diskutojmë për të parë formulën më të mirë. Ministrja e Shëndetësisë ka një rol të posaçëm në këtë proces dhe është ajo që e ka nxitur drejtpërdrejtë realizimin e këtij objektivi, sigurisht, duke përfituar nga mundësitë e reja që po na krijohen”.

ZGJIDHJA

Kokëdhima: Qeveria boshatisi vendin

Qeveria vendosi  që për çdo lindje do të jepen 40 mijë lekë, duke filluar nga muaji janar i vitit 2019. Në lidhje me këtë vendim të qeverisë, ka reaguar deputeti socialist Koço Kokëdhima, i cili shprehet se qeveria nuk po jep 5 mijë lekëshin që iu detyrohet nënave. “Qeveria premton 40 mijë lekë për çdo bebe të lindur nga janari 2019, kur prej vitesh nuk jep 5 mijë lekëshin që u detyrohet nënave. Qeveria e oligarkëve e boshatisi dhe e plaku Shqipërinë!”, shkruan Kokëdhima. Në fakt, pas publikimit të vendimit për rritjen e çekut të bebes, të shumtë kanë qenë ata prindër që “janë kujtuar” se për fëmijët e tyre, qeveria u detyrohet t’u japë shumën. Prindërit thonë se nuk e kanë marrë këtë çek, për shkak të sorollatjes në zyrat e shtetit dhe përvojave negative që kanë pasur miqtë e tyre për të njëjtin fenomen.

Drama e emigracionit dhe lindjeve

Popullsia në Shqipëri sa vjen e tkurret për shkak të dy faktorëve: emigracionit të lartë dhe uljes së lindshmërisë. Fenomeni i theksuar vitet e fundit, ka përshpejtuar ritmet e pritshme të tkurrjes afatgjatë të popullsisë. Instituti i Statistikave, nga të dhënat e publikuara tregon se me 1 janar të këtij viti popullsia e Shqipërisë ishte 2.870.324 banorë, më rënie 0,2 % krahasuar me 1 janar 2017. Shtesa natyrale e popullsisë e matur në raportin lindje-vdekje, pati një ulje të theksuar me 16.5% krahasuar me një vit më parë, duke qenë vetëm 8637 banorë. Migracioni neto vitin e kaluar ishte -14.902 banorë. Mosha mesatare e popullsise llogaritet 35 vjeç, sipas INSTAT . Raporti i varësisë së të rinjve vitin që shkoi, (raporti i personave në moshë 0-14 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç) ra krahasuar me një vit më parë nga 26,7 % në 26,0 %. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar një rënie, duke shënuar 101,3 burra për 100 gra në vitin 2017 nga 102,5 që ishte në vitin 2016. Shqetësuese është rritja e peshës së numrit të të moshuarve nga 18,9 % në 2016 në 19,4 % vitin që shkoi. Raporti i varësisë së të moshuarve nënkupton raportin e personave në moshë 65+ vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15- 64 vjeç. Raporti gjinor në lindje ka pësuar një rritje, duke shënuar vlerën 110,5 djem për 100 vajza, në vitin 2017, nga 106,9 që ishte në vitin 2016. Vitin që shkoi, sipas instat lindën 30.869 foshnje, me rënie 2,7 %, krahasuar me një vit më parë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet