Nga badigard në sipërmarrës, historia e djalit nga Burreli që sot trajnon 25 000 studentë në vit

Intervista/ Ermir Lleshi flet për vitet e emigrimit në Britani. Fillimet në kërkim të rrugëve pa busull dhe arritjet sot. Një histori motivimi për të gjithë ata që kërkuan një jetë më të mirë…

Enida Vërça

Ermir Lleshi, ishte vetëm 16-vjeç kur u largua nga Burreli, drejt Britanisë. Fillimet kanë qenë të vështira dhe e vetmja dëshirë e madhe e tij, ishte të fitonte disa para për t’i dërguar në familje. Pasion i madh ishin studimet, duke besuar se një ditë do të ishte pjesë e një fakulteti prestigjiozë në këtë vend. Sot, Ermiri është një sipërmarrës i suksesshëm, ku ka arritur të hap një shkollë të vetën profesionale“School of Advance Learning” në Londër. Çdo vit ai trajnon 25.000 studentë nga e gjithë bota. Ai thotë se një tjetër ëndërr e madhe e tij, është që këtë frymë pune ta sjell edhe në Shqipëri

Si ka nisur rrugëtimi juaj në Britani ?

E gjitha nisi si një rrugëtim prej nevojës, ku qëllimi i vetëm ishte i njëllojtë me mijëra të rinj shqiptar, për t’u larguar nga vendi ynë, i cili ishte i humbur në vitet tejet të ashpra. Në qëllimin e panjohur për ne, ideja e një jete më të mire, bënte që të kapërcenim veten dhe të merrnin rrugët e kujtdo shteti, përveç Shqipërisë. Ishte viti 2001, kur pas një kalvari të gjatë mundimesh nëpër rrugët e panjohura, zbres në tokën britanike. Në sytë e një 16-vjeçari, gjithçka ishte e re, çdo gjë përbënte kureshtje, sfidë, motiv aq sa doja të vrapoja, pavarësisht se nuk kisha një busull, për t’u orientuar. Por në asnjë moment, deri në hapin e parë që kam bërë atje, nuk kam ndjerë asnjë frikë, asnjë ndrojtje, por vetëm forcë në guximin dhe besimin se isha në vendin e duhur dhe për këtë duhej të vrapoja shumë. Vijova shkollën e mesme në Kent të Britanisë, ku autoritet Britanike me vendosën në një familje atje dhe nisi rrugëtimi 20-vjeçar në Britani.

Vështirësitë dhe ëndrrat e para që thurët në këtë vend?

Ëndrra nuk di të them, nuk ishte as mundësia dhe as mendësia për të pasur një ëndërr. Qëllimi i atëhershëm ishte të punoja dhe të siguroja disa të ardhura më shumë, të kurseja disa para në fund të muajit dhe t’ia dërgoja prindërve të mi në Burrel. Ambicie tejet modeste, aq ishte mosha, aq ishte mundësia, në fund të fundit ishim disa “të huaj” që ndjeheshim aty të përkohshëm. Pranohem në universitet në Londër, por sërish nevoja financiare më bëri të shkëputem dhe të punoj si bodyguard në klubet e natës në kryeqytetin britanik. Më vonë nis e punoj në një shkollë profesionale dhe aty u “ndesha” në nevojën që kisha për trajnime, për të qenë sa më i kualifikuar dhe për të mbajtur punën sa më mirë. Britania e Madhe ka në fokus kryesor arsimin profesional, si mënyrë për t’ju përshtatur tregut të punës sa më shpejt dhe sa më mirë dhe për këtë unë arrita që për dy vite të bëj 30 trajnime. Njëkohësisht punoja, mësoja dhe ndërtoja një ambicie të re tek unë, i frymëzuar nga mjedisi ku po rritesha dhe formohesha profesionalisht nën ritmin e madh të shoqërisë britanike e orientuar për t’u arsimuar profesionalisht. Bota akademike ishte hapi im i radhës, ku “Anglia Ruskin University” ishte “dera” e hapur drejt një cikli studimesh në Menaxhim Biznesi dhe Master ne Administrim Biznesi.

Cila ka qenë puna juaj e parë në këtë vend?

Siç e përmenda isha në Kent, ku autoritetet Britanike më dërguan atje për të jetuar dhe vazhduar shkollën, pasi ende isha në një moshë të mitur. Familja kujdesej për mua, vijoja shkollën e mesme, por sërish me mendjen e ndarë për të pasur pak më tepër para për familjen në Shqipëri. Mbaj mend kur merrja leje për të shkuar në park, për t’u argëtuar në kohën e lirë, por në të vërtet punoja fshehurazi në një bar. Kjo ka qenë puna e parë, ku fitova paratë e para.

Si arritët të bëheshit drejtor i një shkollë dhe sa studentë arrini të trajnoni në vit në sektorët që operoni?

Gjatë kohës së shumë trajnimeve që unë po ndiqja, në nevojën për të qenë sa më i plotësuar në një treg shumë konkurrues, arrita të përmbushja në një kohë rekord shumë trajnime dhe me rezultate maksimale. Po ashtu, fakti që punoja në një sistem të edukimit profesional, vendos të hap “School of Advance Learning” në Londër. Mbaj mend vitin 2011, ku i gjithë vendi po përgatitej për Lojërat Olimpike dhe u vendos me ligj që i gjithë sistemi i sigurisë private duhej të certifikohej, përmes një trajnimi 5 ditor në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Në atë vit kemi arritur të trajnojmë 25.000 studente. Ishte vërtet një arritje e jashtëzakonshme, ç’ka praktikisht aty kuptova se ishim kthyer në një institucion arsimor të rëndësishëm në Londër. Madje, mbaj mend që kompania pati disa kontrolle nga Bordet e Arsimit, nga ku kisha marr licencën, pasi 25.000 studentë ishte vërtet e lartë, aq më tepër nga një emigrant shqiptar. Cilësisht u certifikua dhe befas SAL ishte kthyer në një nga institucionet më të mira profesionale në Londër. Pas kësaj, sfidë ishte qëndrueshmëria dhe për këtë kuptova se në një treg kaq dinamik, duheshin një sërë ciklesh trajnimi sa më të shumëllojshme, sa më të shumta, sa më cilësore dhe sa më pranë nevojës së tregut. Për këtë, bashkë me një ekip fantastik profesorësh akredituam një sërë kursesh profesionale në sektorët, ku nevoja e tregut ishte më e lartë dhe ku paketat trajnuese mungonin. Elektricistë, hidraulike, inxhinier për gazin ishin kurset më të suksesshme, që sigurisht kërkuan një punë kolosale nga ekipi im, por që po shkon kah një suksesi tejet të rëndësishëm në karrierën që kam ndërtuar dhe po vijoj ta bëj këtu në Londër. Sot kemi kushte të reja trajnimi, pedagogët më të mirë, certifikatat më të vlerësuar në treg dhe që garantojnë cilësinë e profesioneve më të kërkuara nga punëdhënësit. Referuar inspektimit të fundit që kishim para 2 muajsh, zyrtarisht School of Advance Learning është standardi më i lartë profesional në Londër.

Mendoni të investoni në Shqipëri?

Është një dëshirë e madhe që kam brenda vetes, që rritet çdo herë e më shumë, sa here që hedh një hap  të suksesshëm këtu, që duhet ta bëj me patjetër në vendin tim, “School of Advance Learning” në Tiranë, si sipërmarrjen arsimore më cilësore në Shqipëri, me të njëjtat standarde, me të njëjtat kurse, me një staf arsimor britanik dhe një certifikatë apo diplomë të njëjtë me atë në Londër. Por Shqipëria po përballet me një shpopullim të madh, sidomos të forcës më vitale të shoqërisë, rinisë që akoma shpresën e kanë jashtë vendit. Njësoj si unë, para 20 vitesh, akoma është e njëjta gjë sot. Duket që në dy dekada në vendin tonë, ndryshimet janë aspak të besueshme për popullsinë e vendit. Po ashtu e theksoj se, Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri të funksionimit të shtetit. Pa këtë, angazhimi për projekte inovatore në Shqipëri i bie të kalojë mes sistemit “miq”, “para nën dorë”, tërësisht larg sistemit që duhet të garantojë cilësi dhe standarde.

Keni një mesazh për rininë shqiptare, çfarë rruge duhet të ndjekin ata për të arritur sukses ?

Suksesi nuk është një arritje imagjinare, që shikohet vetëm në fund. Ajo është mundimi i një pasioni dhe këmbëngulje, drejtë asaj që kemi besuar se mund ta bëjmë. Prandaj, kurrë mos u dorëzoni së besuari tek vetja. Dhe të bëjmë atë që britanikët dinë më së miri, të zgjedhin arsimin profesional.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

  1. F Domi says:

    Ermir,
    Urime dhe suksese te metejshme, ne punen e palodhur me nje pasion te pashoq ne edukimin dhe trainimin e brezave te rinj.

Të tjera

Abissnet