Neritan Liçaj: Rama-Veliaj, dyshja që fshihet tek shkarkimi

Aktori Neritan Liçaj shpjegon prapaskenat për shkarkimin nga puna. Është hakmarrje politike nga kryeministri Rama për shkak të mbrojtjes së Teatrit Kombëtar. Më kanë bërë gati letrat, por janë tërhequr nga presioni mediatik

Enida Vërça

Aktori, Neritan Liçaj në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shpjegon të vërtetën mbi shkarkimin e tij nga puna nga Teatri Kombëtar. Liçaj konfirmon zërat që qarkulluan dy ditë më parë në lidhje me shkarkimin e tij, teksa thotë se burime të sigurta i kanë treguar se janë duke i përgatitur dokumentet ku konfirmojnë shkarkimin e tij. “Është e vërtetë, jam lajmëruar që po më bëhen letrat për të më pushuar nga puna. Kjo është një hakmarrje, por nuk më tremb ky fakt, pasi tregon se si po degradon kjo qeverisje e çartur që na sulmoi politikisht në radhë të parë. Unë ende nuk jam njoftuar personalisht në lidhje me këtë çështje, por duket sikur ka një tërheqje nga ana e tyre, pas revoltës së popullit dhe mediatizmit të këtij lajmi. E vetmja gjë që mund të them me siguri, është se në punën time si aktor, unë nuk kam asnjë neglizhencë, apo shkelje e cila mund të sjell shkarkimin tim. Jam korrekt me punën dhe çdo gjë tjetër”, u shpreh aktori për “Shekulli”-n.

Hakmarrje

Por kush janë personat të cilët kanë marrë një nismë të tillë, për shkarkimin e aktorit? Liçaj thotë se këtë vendim mund ta ketë marrë kryeministri Edi Rama ose kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj. “Janë dy persona të cilët kanë një betejë të hapur me Teatrin Kombëtar. Kjo është e gjitha një hakmarrje politike që mund të vij vetëm nga dy persona, kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë Erjon Veliaj. Duket se Rama ka ndërmend të vendos një standard të tillë, që kush më del kundër mua unë e shkel, e heq nga puna dhe i jap poste lëpirësve. Është tipike e logjikës së Ramës, e cila mua nuk më frikëson aspak. Gjithsesi mua zyrtarisht nuk më kanë thirrur ende, do të doja ta bënin sepse do t’i ngrija një stuhi ligjore, mediatike, qytetare sepse është vërtet e turpshme që të shkelen të drejtat por më kanë thënë që është dëshirë e Kryeministrit”, thotë ai.

Beteja

Tentativa për ta shkarkuar nga puna, duket se nuk e ka trembur aktorin. Ai deklaron se do të vazhdoj betejën për Teatrin Kombëtar. “Unë e kam  mbrojtur dhe do të vazhdoj deri në fund të mbroj teatrin. Është një ndjenjë sa njerëzore aq edhe artistike. Me kontributin tim, sado të vogël, unë dhe shumë të tjerë nuk do të tërhiqemi së mbrojtur tetarin. Tashmë ai është një monument, i cili mbrohet nga të gjithë. E gjithë kjo tentativë e tyre na bën edhe më mirë, na bashkojnë më tepër me njeri-tjetrin, na afrojnë më shumë me njëri -tjetrin. Se kam merak fare do doja shumë ta bënin sepse aty do heqin çdo maskë nga vetja dhe unë nuk tërhiqem, jam gati të përballem”, përfundoi ai.

Teatri

Debati për Teatrin ka nisur që prej fillimit të vitit të shkuar, kur qeveria bëri të njohur projektin për shembjen e tij dhe ndërtimin e një godine të re, pas së cilës qëndron një projekt i paracaktuar për një kompleks ndërtimesh shumëkatëshe që do të ngrihen nga kompania private “Fusha”. Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti ka qenë një ofertë e pa kërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre për qind. Por faktet kanë dëshmuar se ajo ka qenë një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë e cila fillimisht paraqiti një ligj të posaçëm i cili u kritikua dhe nga Komisioni evropian, për shkak se projekti shmangte një garë të hapur. Socialistët bënë më pas ndryshime në ligj, duke vendosur hapjen e një gare, por e gjitha duket të jetë vetëm në letër, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pasi i duhet të marrë leje dhe nga kompania “Fusha”. Betejat e aktorëve, si dhe shoqërisë civile, me qeverinë kanë qenë gjatë gjithë kohës.

Vepra

Neritan Liçaj është një aktor i njohur në fushën e filmit dhe teatrit. Disa nga veprat më të bujshme në teatër janë: Gerardo, “Vdekja dhe Virgjëresha”, nga Ariel Dorfman, me regji të Kliton Hoxha, 2011; Prifti Perris, “Shtrigat e Salemit” nga Artur Miller, regjia Spiro Duni, realizuar nga Teatri Kombëtar, 2010 -2011’; I pari, “Striptize” Sllavomir Mrozhek, regjia Arbër Jakllari, 2010; Gorge Pigen, komedia “Seance e Jashtëzakonshme në Parlament” Ray Cuney, regjia Driada Dervishi, Teatri Aleksandër Moisiu, Durrës, 2010; Francesco komedia “Me e vërtetë se e vërteta” Martial Courcier, regjia: Rozi Kostani. Teatri i Metropolit, 2010; Xhongleri “Forca e Zakonit” Thomas Bernhard, regji Kristian Papke, Teatri Kombëtar, 2009; Jim O’Conner “Menaxheria e Qelqtë” Tennesse Ëilliams, regji Adonis Filipi, Studio Blu Art, 2009; Michele “Filumena Marturano” Eduardo De Filippo, regjia Albert Minga, TK, 2008; Taltibi  “Trojanet” Euripid, regji Vangjelis Theodoropulos, Teatri Kombëtar, 2008 etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet