“Më ndihmoni”, sëmundja e rrallë rrezikon t’i marrë jetën 27-vjeçarit

Thirrja drithëruese e 27-vjeçarit, Bledi Orhani për ndihmë. Operacionet e kushtueshme mund ta mbajnë në jetë

Enida Vërça

“Kam lindur pjesërisht i verbër, sikur kjo të mos mjaftonte pak kohë më parë jam diagnostikuar me një sëmundje, e cila ka bërë që të dyja veshkat e mia të humbasin funksionin “, thotë Bledi Orhani, 27-vjeçari nga Pogradeci. I gjendur i pashpresë dhe në gjendje jo të mirë ekonomike, Bledi shpreson se publikimi i rastit të tij në gazetën “Shekulli”, do të sjellë reagime dhe ndihmë për të siguruar operacionet dhe barnat, të cilat janë shumë të kushtueshme. Mes lotësh dhe shpresës, se e nesërmja do të jetë jo kaq e zezë edhe pse nuk i ka deshifruar mirë ngjyrat e jetës, ka arritur t’i dallojë ato nëpërmjet ndjesisë. “Pak kohë më parë jam diagnostikuar me Sëmundje të Dendur të Depozitave, e cila prek dy ose tre persona në një milion. Kjo do të thotë që veshkat e mia po humbasin funksionin e tyre. Kam nevojë për ndihmën tuaj më shumë se kurrë, pasi nuk mund të paguaj barnat e mia dhe procedurat spitalore që unë jam duke kryer aktualisht dhe që do t’i kryej në të ardhmen. Kam kaluar shumë vështirësi në jetën time dhe pavarësisht gjithë kësaj jam përpjekur të ndihmoj këdo që mundem. Ju lutem më ndihmoni të shpëtoj jetën time!”. Bledi thotë se kushdo mund ta ndihmojë në këtë numër llogarie: AL02202420040000000001421661. Më tej thotë se sëmundja e tij mund të trajtohet vetën në Bashkimin Evropian, SHBA dhe Kanada.

Peripecitë

Në këtë intervistë, ku tregon peripecitë e jetës së tij, Bledi thotë se gjatë kësaj kohe i ka shoqëruara ditët me një pyetje. “Për mua nuk ka ditë të vështira, por me pëlqen ti quaj ditë prove. Në jetë nuk jam dorëzuar përpara asnjë prove, vetëm kam hequr dorë kur thjesht nuk ja ka vlejtur. Sot prova ime është të luftoj për jetën time apo të heq dorë prej saj A ja vlen të luftoj, apo thjesht duhet të heq dorë? Edhe këtë herë unë e kam një përgjigje. Ja vlen të heqësh dorë kur nuk ke ç’të humbasësh. Por unë kam shumë për të humbur. Nuk kam frikë ta humbas jetën time sepse të gjithë do të largohen një ditë. Por më besoni se nuk është e lehtë të shohësh njerëzit më të dashur se si shkatërrohen bashkë me ty. Nuk është aspak e lehtë të përtypësh lotët e tu vetëm për t’u dukur i lumtur dhe i fortë në sytë e tyre. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të jetë të humbasësh kaq shumë dashuri duke zgjedhur rrugën më të “thjeshtë” për veten dhe t’ju lesh njerëzve më të dashur një jetë plot dhimbje”, rrëfen ai.

Besimi

Bledi, edhe pse i gjendur në një situatë të tillë, nuk e ka humbur besimin në Zot, duke shpresuar që këto lot të derdhura sot, do të kthehen në gëzim. “Me ndihmën e Zotit do ja dal edhe këtë herë. Do t’i kthej në lot gëzimi ato lot që sot derdhen në lutje drejt Zotit për jetën time. Do jetoj për t’i parë përsëri të lumtura fytyrat e njerëzve të mi më të dashur. Për të parë se si rriten dy nipat e mi të vegjël, e pse jo, t’ju dhuroj atyre kushërinj të vegjël dhe të rriten së bashku të lumtur. Për t’i realizuar këto ëndrra sot kam nevojë edhe për ndihmën e të gjithëve. Çdo kontribut është ndihmë e madhe për mua”, thotë ai.

Sëmundja

Sëmundja e Dendur e Depozitave (DDD) është një gjendje që prek kryesisht funksionin e veshkave. Shenjat dhe simptomat zakonisht fillojnë midis moshës 5 dhe 15 vjeç, por gjithashtu mund të fillojnë në moshën e rritur. Karakteristikat kryesore të DDD janë për shkak të mosfunksionimit të veshkave, dhe shpesh përfshijnë proteinurinë; hematuria; sasi të zvogëluara të urinës; nivele të ulëta të proteinave në gjak; dhe ënjtje në shumë zona të trupit. Është një sëmundje e cila prek 3 persona në një milion. Kjo sëmundje është e rrallë në Shqipëri dhe të prekurit prej saj rrezikojnë jetën nëse nuk i nënshtrohen operacioneve, apo marrin medikamentet në kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet