Mbyllen vitet e ferrit, si iku dhe u rikthye Alvini në shtëpi

Enida Vërça

Alvin Berisha, 11-vjeçari i cili pushtoi vëmendjen e mediave pak ditë më parë, la kampin e Al-Hol-it në Siri ditën e djeshme dhe u rikthye te i ati dhe motra e tij, të cilët ndodhen në Itali. Babi i tij, Afrim Berisha, rrëfen për “Shekulli”-n emocionet dhe frikën e Alvinit në momentin kur është larguar nga kampi, duke shtuar se është duke numëruar orët deri në momentin e takimit me djalin e tij. “Po numëroj orët deri në takimin me Alvinin. Mua më kanë thënë se duhet ta pres djalin këtu në Itali. Jam me plotë emocione dhe falënderoj të gjithë ata që janë marrë me këtë rast, në veçanti gazetarët e “Le Lene”. Alvini është mirë me shëndet, të paktën kështu më kanë thënë. Do më duhet ta shikojë me sytë e mi dhe atëherë do mundem t’ju them vërtet se si është ai. këmbën e ka të plagosur, mezi ecën, por ka është i shoqëruar nga doktorët deri sa të vij në Itali. Unë kam folur me Alvinin, që nga momenti i nxjerrjes nga kampi fola me të dhe më tha se është duke ardhur për tek unë. E inkurajova, dhe i thashë mezi të pres. Ka pak frikë, se nuk i njeh njerëzit që po e prisnin, por i kërkova të mos ketë asnjë shqetësim dhe të ketë besim që është duke ardhur te unë dhe motra”, tregon Berisha. Më tej i ati i Alvinit thotë se kjo ka qenë ngjarja më e bukur që ka përjetuar në jetën e tij, duke deklaruar se Alvini është i lumtur që po rikthehet në shtëpinë e tij. “Nuk kam fjalë të përshkruaj atë që unë dhe Alvini ndjejmë, uroj që çdo gjë të shkojë mirë dhe të jem përfundimisht me të”, thotë ai i mallëngjyer nga largimi i të birit pesë vite me parë.

Largimi

Largimi i Alvinit daton që prej dhjetorit të 2014, kur nëna e tij, Valbona Berisha, la familjen e saj në Itali dhe u nis për Siri, duke marrë edhe djalin me vete. Kamerat e aeroportit kanë kapur momente të 37-vjeçares , teksa pret linjën e saj për t’u nisur për në Turqi. Për t’u larguar më pas drejt Sirisë. Falë sinjalit GPS të telefonit është identifikuar vendndodhja e parë në Al Babi, një nga zonat më të nxehta në atë kohë të luftës në Siri. Në Siri, Valbona Berisha ka ndryshuar emër dhe është quajtur Yushra, është martuar me një xhihadist shqiptar me të cilin pati dhe një djalë tjetër. Lajmet e fundit mbi Valbona Berishën i jep biznesmeni kosovar Bedir Elezi, ish-luftëtar i luftës në Kosovë e sot i impenjuar për të kthyer në shtëpi të gjithë fëmijët e gratë e ish-xhihadistëve nga Ballkani. Sipas rrëfimeve të tij, të vërtetuara dhe nga gazetari italian Luigi Pelazza, Valbona Berisha humbi jetën së bashku me bashkëshortin xhihadist e djalin e tyre gjatë një shpërthimi, teksa po udhëtonin me makinë. Në këtë shpërthim mbeti i plagosur rëndë dhe Alvini, dëmtim që e bënte që të çalonte me një këmbë.

Telefonatat

Mediat italiane, pas lirimit të djalit i kanë kushtuar një hapësirë mjaft të madhe ngjarjes. Gazetat shkruanin pasditen e djeshme mbi telefonatat që kishte shkëmbyer Alvinin me të atin, gjatë kohës kur ishte në kamp. Në bisedat e regjistruara ai e përshkuan nënë e tij si një luftëtare, e cila gjet gjithë kohës i përsëriste 11-vjeçarit botën e përtejme dhe faktin se një ditë të gjithë do të vdesim. Ajo është e veshur që duket si ninja”, thotë fëmija, duke menduar qartë se për personazhet vizatimorë animuar. Siç u shpjegua, në një konferencë për shtyp nga kreu i antiterrorizmit milanez Alberto Nobili, fëmija i tha babait të tij se ai dëshironte të shkonte në shtëpi për të shkuar në shkollë. “Këtu kam frikë sepse ka aeroplanët që lëshojnë bomba”, thotë fëmija. “Unë i thashë asaj: le të shkojmë tek babi sepse duhet të shkoj në shkollë, por ajo nuk do të më lejojë”, ankohej ai përmes telefonit.

Propaganda e qeverisë

Qeveria shqiptare, ishte ajo e cila përfitoi më së shumti nga kjo histori, duke e shitur si një sukses ngjarjen. Foto u bën virale ditën e djeshme dhe reagimet politike ishin të pafundme. Në të vërtet në operacion morën pjesë trupat speciale të ROS-it dhe karabinierët italianë të Scip (Servizio di Cooperazione Internazionale di Polizia), të publikuara nga gjithë mediat italiane, ndërkohë që Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi publikoi fotot e Alvinit, duke marrë meritat e një pune të pakryer. Shpëtimi i Alvinit nga kampi nuk mund të jetë veç se meritë e gazetarëve dhe shtetit italian. Për të konstatuar identifikimin e Alvinit në kampin e Sirisë, fillimisht është punuar me tiparet apo shenjat që kishte 11-vjeçari në trup. Gjithashtu edhe një krahasim me tiparet e të atit të tij, Afrimit. Në të njëjtën kohë, më 10 shtator, u lëshua në Interpol një urdhër me autorizimin e prokurorisë publike të Milanos, domethënë një shënim për gjurmimin e fëmijës. SCIP, Shërbimi Policor Ndërkombëtar i Ministrisë së Brendshme Italiane, ishte angazhuar në një mision delikat, gjatë të cilit u përfshinë edhe ministritë e jashtme italiane dhe shqiptare. Alvin dhe babai i tij, Afrim Berisha, kanë nënshtetësi shqiptare dhe një leje qëndrimi të rregullt italian. Autoritetet e Tiranës lëshuan dokumentet e nevojshme për transportin në Itali të fëmijës së vogël, e cila ndodhi përmes Libanit. Në të njëjtën kohë, SCIP kërkoi ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i vetmi që operonte në kampin Al Hol, i cili menjëherë u aktivizua me Gjysmëhënën e Kuqe dhe ishte në gjendje të identifikonte fëmijën dhe ta transportonte atë, falë garancive të ofruara për operacione humanitare, nga kampi i refugjatëve në Damask dhe më pas në kufirin e Sirisë me Libanin. Në kufi fëmija u mor në krye nga një drejtues i Policisë italiane SCIP i cili, së bashku me CRI, karabinierët dhe një delegacion të qeverisë shqiptare, duke i nisur më pas drejt Italisë.

Për çfarë vlen propaganda e Lleshajt?

Analisti Besnik Mustafaj mendon se kthimi i Alvin Berishës në Itali pranë familjes së tij është sukses i autoriteteve italiane. Mustafaj tha se Ministria e Jashtme e Shqipërisë, diplomacia apo dhe ambasada shqiptare në Itali e ka bërë shumë mirë detyrën por se vajtja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Siri është një gjest propagandistik i pahijshëm dhe i shëmtuar. “Ky është një sukses në radhë të parë i Italisë. Për këtë duhet falënderuar në radhë të parë kryqi i Kuq italian por edhe të gjitha autoritetet italiane. Shqipëria ka pasur për detyrë vetëm të furnizonte autoritetet italiane me dokumentacioni sepse ky djalë pavarësisht se ishte shqiptar nuk ishte asnjë dokument dhe nuk mund të lëvizte pa to. Qeveria shqiptare ka bërë detyrën e saj, i ka dhënë dokumentet me gjithë disa zvarritje që ka pasur. Besoj se deri këtu mbaronte vetëlavërimi i qeverisë shqiptare. Vajtja e ministrit të Brendshëm është një gjest propagandistik i pahijshëm. Pse duhet të shkojë ministri, ku shkon ministri? Ministri ka shkuar në këtë rast vetëm për propagandë. Atje duhet të shkonte një…ne kemi sektor që merret me policinë e fëmijëve, duhet të shkonte një specialist i këtij sektori dhe një diplomat i Ministrisë së Jashtme. Kaq asgjë më shumë. Kjo është një gjë e shëmtuar. Në origjinë duhet falënderuar një emision italian dhe gazetari shqiptar Taulant Kompliku, në përbërje të ekipit që e bënë edhe shqetësim. Qeveria shqiptare duhet të bënte dy gjëra, pajisjen me dokumente të këtij fëmije dhe për kortezi mund të shkonte për ta pritur në Bejrut ose në Siri sipas rastit. Shoqëruesit e tij kryesorë janë autoritetet italiane nuk është shteti shqiptar”, deklaroi Mustafaj. Ai tha se ministri shqiptar nuk duhet të shkonte kurrsesi në një zonë të nxehtë dhe se është një ngjarje e pashembullt. “Po tani ju mendoni se ministri mund ta mbrojë për nga rrezikshmëria? Sigurisht që jo, pavarësisht se ka qenë oficer. Rrezikshmëri nëse do të kishte i ka marrë parasysh qeveria italiane dhe autoritetet siriane, turke, amerikane që janë implikuar në një mënyrë apo tjetër. Me sa jam informuar ministria e Jashtme e Shqipërisë, diplomacia shqiptare, ambasada jonë shqiptare në Itali e ka bërë shumë mirë detyrën që i takonte dhe këtu mbaron kontributi ynë. Vajtja e ministrit është një gjë e pashembullt. Kurrë nuk shkon ministri në një zonë të nxehtë. Po sikur t’i ndodhte gjë ministrit, çfarë nderi do i mbetej shtetit shqiptar”, theksoi Mustafaj.

Nëna e Alvinit ra në dashuri me një xhihadist

Gazeta italiane ‘Corriere Della Sera’ ka botuar një shkrim ku përshkruhet indoktrinimi i mamasë së tij, Valbona Berishës, kontaktet e saj në internet me rekrutuesit e ISIS, udhëtimi për në Siri dhe bashkimi me Shtetin Islamik. Ajo ndërroi jetë në Siri së bashku me bashkëshortin, luftëtar të huaj, dhe Alvini mbeti i vetëm mes kampit burg që kurdët kanë nën pushtet.

Ajo ishte afeksionuar me videot e propagandës së ISIS të publikuara në internet, dhe jo vetëm: gjithmonë online ishte e dashuruar me një nga rekrutuesit / indoktrinatorin e saj maqedonas. Aq sa ajo vendosi që të largohet nga familja, burri dhe dy vajzat e saj të moshës 10 dhe 11 vjeçe, dhe të transferohet në Siri duke marrë me vete fëmijën më të vogël, Alvin 6 vjeç, duke iu bashkuar ISIS. Kjo është rruga e radikalizmit të Valbona Berisha, 34 vjeçe, një grua shqiptare që banonte në provincën e Lecco, për të cilën, pas hetimeve nga policia italiane, ndaj saj u dha masa e arrestit në mungesë. Hetimet e ‘Carabinieri del Ros’ u koordinuan nga Prokuroria e Qarkut Anti-Terrorizëm e Milanos. Në urdhrin e paraburgimit, të nënshkruar nga magjistrati i Milan Manuela Scudieri, shqiptarja akuzohej për krimin e terrorizmit ndërkombëtar. Burri i Valbonës, i cili mbeti me dy vajzat e tij në krahinën e Lecco, u përpoq në mënyrë të përsëritur të lidhej me gruan e tij, veçanërisht për tu ribashkuar me djalin e tij.

Martesa në internet

Hetimi i ‘Ros’, i koordinuar nga zëvendësprokurori Maurizio Romanelli dhe zëvendësuesi Alessandro Gobbis, rindërtoi rrugën e radikalizmit të Valbona Berishës. Valbona Berisha filloi rrugën e radikalizimit  fillimisht duke studiuar në një mënyrë “të ekzagjeruar” Kuranin, e indoktrinuar përmes internetit nga imamë të ndryshëm dhe ekstremistë. Analizimi i materialit të kompjuterizuar të gjetur nga karabinierët dhe i nënshtruar konfiskimit, bëri të mundur zbulimin e një sasie të konsiderueshme të videove të predikuesve ekstremistë që nxisnin Xhihadin. Më në fund, gruaja vendosi të largohej për në Siri me djalin e saj të vogël, të martohej me indoktrinatorin e saj dhe të luftonte përkrah tij. “Ka shumë raste të njerëzve që dashurohen në internet dhe më pas  janë bashkuar me ISIS, – theksoi kreu i Ros i Milanit, kolonel Paolo Storoni .

Bileta e avionit

Në Dhjetor 2014, nisja. Gruaja, atëherë 32 vjeç, bëri kontakte në internet me një terrorist të mirënjohur serb – Selimoviq Mendus, i cili më vonë vdiq në luftime në shkurt të vitit 2015, i cili bleu bileta avioni për Valbonën dhe djalin e saj në një agjensi udhëtimi në Kosovë nga aeroporti Orio al Serio në Stamboll. Hetuesit gjithashtu gjurmuan itinerarin e ndjekur nga gruaja për të arritur në Siri. Pasi mbërriti në Turqi, ajo u bashkua me një familje nga Bosnja, e cila gjithashtu ishte për të shkuar në zonën e luftës. Ndërkohë burri i Valbonës denoncoi zhdukjen e gruas dhe të birit në karabinierinë italiane. Prokuroria e Lecco regjistroi kallëzimin dhe hapi një hetim.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet