Mbreti Zog hodhi themelet e shtetit modern shqiptar

Ekrem Spahia

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 17 nëntor 2012, ka dekoruar Mbretin Zog I, me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Formimi dhe aktivitetit i Ahmet Zogut

Kronikat e kohës na thonë se, familja e famshme Zogu, e ardhur nga vise më në veri të Shqipërisë, u instalua në Burgajet të Matit aty nga fundi i shekullit XV. Familja Zogu, në breza u shqua për kontribute të jashtëzakonshme për të mirën e Matit dhe Shqipërisë.  Ahmet Zogu, djalë i Xhemal Pash Zogut dhe Sadie Emin bej Toptanit, lindi më 8 Tetor 1895. Edukimin dhe njohuritë e para i mori nga mësuesit Dërvish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti. Në moshën 7 vjeçare, e dërguan në Turqi për studime, ku mbaroi liceun e Stambollit dhe kursin e oficerëve rezervë. Më 20 korrik 1912, u kthye nga Turqia në Mat. U angazhua menjëherë në përballimin e sulmeve nga fuqitë ballkanike. Ai arriti të afrojë, organizojë dhe të drejtojë vetë rreth tetë mijë burra të armatosur. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, do të përfaqësonte Matin, Dibrën dhe Mirditën, në krye të një përfaqësie prej 26 krerësh të shquar të këtyre trevave. Pas përfundimit të Kuvendit ai u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës nga sulmet e hordhive serbo-sllave. Lufta e Parë Botërore e gjeti Ahmet Zogun në Mat si një komandant të provuar në beteja dhe fitore të realizuara nga guximi dhe drejtimi i tij me mendim strategjik dhe koncepte të qarta taktike. Më 3 Mars 1916, me iniciativën e tij dhe me patriotë të tjerë organizojnë Kongresin Kombëtar në Elbasan, për të diskutuar mbi fatet e Shqipërisë. Në vitin 1919, Shqipëria që kish mbetur nga kalkulimet gjeopolitike të Fuqive të Mëdha të vitit 1913, rrezikonte realisht copëtimin territorial në favor të fqinjëve shovenë. Në këto rrethana, nën ndikimin e vokacionit dhe formimit të lartë atdhetar, Ahmet Zogu bëhet një ndër protagonistët kryesorë për thirrjen e Kongresit historik të Lushnjës, që u mblodh më 21-31 janar 1920, si përfundim i një marrëveshje të të gjitha viseve të Shqipërisë. Mbarëvatja e punimeve të Kongresit u sigurua ushtarakisht prej Ahmet Zogut dhe pas përfundimeve të tij, miratoi Qeverinë e re, në të cilën Ahmet Zogu u emërua Ministër i Brendshëm, pikërisht në moshën 25 vjeçare. Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e shtetit shqiptar dhe hodhi bazat legjislative për të gjithë institucionet e shtetit.  Më 2 dhjetor 1922 Këshilli i Lartë ngarkoi Ahmet Zogun të formojë qeverinë e re, duke e zgjedhur kryeministër dhe njëherësh edhe Ministër i Brendshëm. Më 23 shkurt 1924, opozita organizoi një atentat brenda Kuvendit Kushtetues dhe plagosi Ahmet Zogun, Kryeministrin e vendit, për shkak se ajo nuk u pajtua që Zogu, me mbështetjen e koalicionit me indipendentistët, siguroi një shumicë të re.

Ahmet Zogu, edhe pse i plagosur rëndë, hyri në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e Kuvendit pa dhënë asnjë shenjë alarmi. Për të qetësuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e një përleshjeje me armë, me një gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje të jashtëzakonshme, iu drejtua kryetarit të Seancës dhe deputetëve: “Zotërinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe ta harrojnë për një çast atë çka ndodhi”.

Gjithsesi, atentati në Kuvend ndaj kryeministrit Ahmet Zogu e ndërlikoi shumë situatën politike në Tiranë. Për t’i mos i dhënë shkak një ndërlikimi të mëtejshëm të situatës, e cila do të destabilizonte sigurinë e vendit ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, më 25 shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Me qetësinë që ruajti ndaj atentatit kundër tij, si dhe me dorëheqjen, ai donte të jepte mesazhin se, më i rëndësishëm për të ishte stabiliteti dhe siguria e vendit.  Me gjithë dorëheqjen e Zogut, situata politike dhe e rendit acarohet dhe vendi nis të destabilizohet. Në maj-qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924, në ditët e fundit të saj, e kishte emëruar Ahmet Zogun në detyrën e komandantit për shtypjen e grushtit të shtetit në veri. Në qershor 1924, për të mos i dhënë shkas gjakderdhjes, anarkisë totale dhe luftës civile, Zogu largohet nga Shqipëria. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë, e dënoi me “vdekje, në mungesë”.  Në dhjetor 1924, me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, Zogu riktheu legjitimitetin e Qeverisë dhe të pushtetit legjitim të dalë nga zgjedhjet parlamentare të tetor-dhjetorit të vitit 1923 dhe të rrëzuar me rebelim antikushtetues në qershor të vitit 1924. Më 5 janar 1925, Qeveria e Iljaz Vrionit dha dorëheqjen dhe më 6 janar 1925, Këshilli i Naltë e dekreton Ahmet Zogun  kryeministër dhe ministër të Brendshëm.  Në shtatë vitet e fundit pas Luftës së Parë Botërore ishin ndërruar 14 qeveri dhe këto më së shumti në vitet 1920-1924. Këshilli i Naltë si institucion kryesor në fatin e qeverive, nën trysninë e politikës së kohës, merrte edhe vendime që nuk shkonin në dobi të stabilitetit të vendit. Për ta zgjidhur një herë e mirë këtë ngërç, por edhe për arsye të tjera, më 21 janar 1925 Kuvendi Kushtetues shpalli “Republikën Shqiptare”, ndërsa dhjetë ditë më vonë, (31 janar 1925) Ahmet Zogu u zgjodh Kryetar i Republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe Ahmet Zogu prioritet kryesor kishte rivendosjen e stabilitetit në vend, duke mundësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, çka forcoi ndjeshëm pozitat e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet