Lulzim Basha në gjyq për falsifikim dokumentesh

Prokuroria e Tiranës merr të pandehur kreun e opozitës Lulzim Basha për dosjen e lobimit me para ruse në SHBA në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Kryedemokrati rrezikon të dënohet 3 deri në 7 vite burg

Xhentila Gjoshi

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për kreun e opozitës Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e Partisë Ilir Dervishi. Kjo është hera e dytë që kryedemokrati Basha përfundon në dyert e gjykatës, pas gjyqit për akuza korrupsioni në ndërtimin e Rrugës së Kombit. Tashmë Basha do të shkojë në Gjykatën e Tiranës si i pandehur për lobimin me 675.000 usd në SHBA. Prokuroria e Tiranës ka dërguar një shkresë në selinë e PD, për të njoftuar kreun e kësaj partie Lulzim Basha, se ndaj tij kanë përfunduar hetimet për lobimin në SHBA përmes kompanisë offshore Biniata Trade. Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha njoftuan se kanë përmbyllur fazën hetimore dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat për falsifikim të vulave dhe stampave. Tashmë kjo çështje shkon për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Mësohet se për të zbuluar mekanizmin e operacionit të lobimit në SHBA dhe të gjitha veprimet e kryera, për prokurorët ka patur një rëndësi të posaçme dëshmia e Gazment Bardhit, aktualisht sekretar i përgjithshëm në PD. Nuk dihet, nëse prokurorët e kësaj çështje kanë mundur të sigurojnë edhe dëshminë e lobistit, Nikola Muzin. Tre prokurorët që hetuan këtë çështje, 3 muaj më parë thanë se kanë marrë një përgjigje të pjesshme nga autoritet amerikane dhe vijon komunikimi. Në këtë çështje, dëshmia e Nikola Muzin është thelbësore, për të patur një panoramë të plotë të ngjarjeve që e lidhin atë me PD dhe Lulzim Bashën dhe për të kuptuar se për çfarë arsyesh, ai shprehet se ka marrë drejt për drejtë 525.000 dollarë. Po ashtu dhe pse shprehet se 150.000 dollarë të Biniata Trade janë shpenzuar për llogari të PD. Vetë Nikolas Muzin, tre muaj më parë ka kërkuar të ushtrojë të drejtën e tij sipas nenit 5 të kushtetutës së SHBA, për mos t’u vetë inkriminuar. Gjithashtu autoritetet amerikane të drejtësisë, i kërkuan prokurorëve shqiptarë që të bëhet e qartë nga drejtësia Shqiptare, nëse statusi i Nikolas Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm, i hetimit dhe nëse Nikolas Muzin, ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptarë.

Reagimi

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Nga Kruja Basha tha se prokuroria është përdorur nga Edi Rama. Sot 90% e gënjeshtrës u rrëzua dhe 10% do të rrëzohet në gjykatë. Pra, sot dolën provat që prokuroria ishte përdorur nga Edi Rama për të fabrikuar gënjeshtra që as vetë nuk i beson dhe u detyrua të tërhiqej nga gënjeshtrat, me të cilat operoi për dy vite me radhë. Tha që kishte prova për pastrim parash vetëm për të hequr vëmendjen nga skandalet e dosjes “339”, që publikoi gazeta “Bild”. Vetëm për këtë arsye fabrikoi këtë akuzë.  Tha që kishte dokumente për para ruse dhe e vetmja gjë që prodhoi ishte tërheqja me turp nga këto akuza. Nuk prodhoi asnjë dokument për këtë akuzë qesharake dhe të turpshme, me të cilën u detyrua të gënjente opinionin publik për dy vite me radhë.  Tha që kishte dokumente hetimi kundër PD dhe i vetmi dokument hetimi është dokumenti i Bilalit.  Prandaj, e vetmja gjë që mund të them sot është se 90% e gënjeshtrës sot është çmontuar para gjithë shqiptarëve. Prokuroria është detyruar të pranojë gënjeshtrat, të cilat i fabrikoi për shkak të presionit politik të Edi Ramës dhe atë 10%, me të cilën ka çuar dosjen në Gjykatë, do të çmontojmë në gjykatë.  “Vetëm përmes të vërtetës. Ky është minimumi, na akuzuan për agjentë rusë, na akuzuan për pastrim parash, na akuzuan për gjithçka që u duhej. Për çdo skandal që u plaste nxirrnin nga një akuzë. Pra, e vetmja gjë që na solli deri këtu është qëndresa për të vërtetën dhe e vërteta do të çmontojë plotësisht edhe këtë 10% që ka mbetur. 90% ka rënë edhe 10% do ta çmontojmë në gjykatë.  Lidhjet me rusët i ka vëllai i Presidentit më të dashur të Putinit në Ballkan. Këtë gjëegjëzë zbërthejeni vetë se besoj i keni informacionet se kush është”, tha ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet