
Arben Rrozhani
Ish-presidenti Ilir Meta duhet të jetë i lumtur, që u bë spiuni I.M. si rrufeja në qiell të pastër, vetëm pak orë pasi kishte lënë presidencën dhe ishte vetëzgjedhur kryetari i Partisë së Lirisë, vazhdim i Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse spiuni mund të kishte qenë edhe B.M, B.M, ose E.M, përkatësisht djali dhe dy vajzat e tij. Sepse hakmarrja politike në Shqipëri është e ndyrë, nuk njeh limite dhe është e pabesë.
Kryetari i Partisë së Lirisë duhet të ndjehet i turpëruar pasi përdori deklarime pa etikë njerëzore ndaj Edi Ramës, duke përmendur emra familjarësh të ikur nga kjo botë, apo duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, pse paska bërë një skicë te një revistë e kohës, madje dhe paska patur pseudonim dhe këtë e paska toleruar. Sepse, ai, ish-kryeministri, ish-zëvendëskryeministri, ish-kryetari i Kuvendit, ish-presidenti dhe ish-deputeti në 2/3 e parlamentit të pas vitit 1991, që e quan veten shpresë të re për të rrëzuar, bashkë me “të madhërishmin” Sali Berisha, pushtetin kleptokratik të Edi Ramës, vazhdon lojën e spiunëve, kur ka patur mjaft vite kohë dhe pushtet për ta ndarë shapin nga qeveri.
Pas disa kohësh, gjithçka do të daravitet bashkë me vapën e gushtit: Autoriteti i Dosjeve nuk do ta nxjerrë identitetin e I.M., edhe pse vetë denoncuesi thotë se nuk është ish-presidenti, por një ish-konviktor nga Librazhdi dhe do të vazhdojë të gllabërojë miliarda e miliarda lekë për të kopsitur dhe shqyer dosje, sipas urdhërave politikë; Kuvendi i Shqipërisë do ta “korrigjojë” ngutin e qeverisë me dosjet, duke ndryshuar disa nene të vetëdeklarimit dhe të pastërtisë së figurave; partitë do të hartojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore të pranverës 2023, duke e patur vetë merak futjen e pagatorëve me nga 3-4 emra/mbiemra. Vetëm dosjet nuk do të kenë fatin të hapen kurrë, të paktën sa të marrë frymë kjo klasë politike, shqiptarët nuk do t’i shohin asnjëherë të lexuara ato që vuajtën në lëkurë dhe në shpirt, në 45 vite komunizëm.
“Luajmë spiunësh” ka 32 vite që ndodh në Shqipëri. Jemi ndër vendet e vetme në ish-Lindjen Komuniste që nuk ka hapur dhe ka ndërmend të hapë dosjet.
Kemi lëçitur si komb, prej tri dekadash, se sa lehtë dhe pa dhimbje e bënë gjermanët, me STAS-in, ku e ku lule me Sigurimin e Shtetit tonë komunist.
Na është thënë se do të ketë hakmarrje nga viktimat e persekutimit, ndaj persekutorëve.
Bullshit.
Aranit Çela rrojti gati një shekull derisa e mori Zoti se i kishte ardhur mortja. Bariti 31 vite rrugëve të Tiranës dhe askush nuk i preku një fije floku, edhe pse kishte deklaruar me krenari që kishte bërë vetëm detyrën, duke urdhëruar vdekje me varje, pushkatime, burgime të përjetshme dhe internime familjarësh dhe fisesh si prokuror i komunizmit.
Ata të pëndjekur që i zuri pleq demokracia u ka zënë varri bar, bijtë e tyre tashmë janë buzë varrit, nipërit dhe mbesat, më fatlumët, ikën nga sytë këmbët për të rindërtuar dhe kapur vitet e vjedhura në kurbet, ndërsa ata të mbeturit këtu janë sërish të përndjekur nën urdhërat e bijve të etërve dhe nuk bëjnë gëk-mëk, se mbeten sërish pa bukë, si dikur.
Çudia më e madhe e dosjeve në këtë vend do të zgjaste edhe ajo tri ditë, sa 30 vite pritje. Nuk duan dhe nuk do ta mbyllin këtë hale të komunizmit që kutërbon, ende.
“I madhërishmi” Berisha e donte për të shantazhuar të vetët dhe kundërshtarët, Madhëria e tij Rama e do po kështu, për të hedhur ndonjë shashkë I.M., për të karikuar patrionazhistët e ndyrë të zgjedhjeve dhe votave të vjedhura dhe për të hequr vëmendjen nga rënia shkatërruese e vendit, në çdo qelizë qeverisëse, politike, ekonomike dhe morale, ndërsa Shkëlqesia e tij Meta e pret si medalje gafën e rilindasve me I.M.-në për të treguar muskujt e opozitarit dhe për t’u rifaktorizuar si “kingmaker” i politikës.
“Luajmë spiunësh”, mbi eshtrat e të përndjekurve, të vdekur e të gjallë bashkë, nga elita politike e ish-Sigurimit të Shtetit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply