
Arben Rrozhani
SPAK e arrestoi ish-ministrin Lefter Koka me akuzën se ka nënshkruar një kontratë që e kishte për tagër vetëm qeveria. Kjo e para, pastaj ato paratë që thuhet se ka marrë si rryshfet. Por biznesi i inceneratorëve do të kishte çarë përpara edhe po të mos e firmoste Lefter Koka marrëveshjen me firmën private për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, i inauguruar me bujë, kostum gri dhe atlete të bardha nga kryeministri Rama.
Djegia e plehrave ishte propozuar si biznes fitimprurës që në vitin 2004 nga bosi i Malagrottës, vendgrumbullimit të plehrave të Romës, daja i biznesmenit Françesko Beketi. Plani i tij dështoi në vitin 2004 dhe qeveria e Fatos Nanos u detyrua të tërhiqej nga ndërtimi i inceneratorit të Kasharit që do të digjte pa pagesë plehrat e Tiranës në këmbim të djegies së plehrave të Italisë.
Por humbja e ‘Ecomafia’-s ishte e përkohshme. Nano kishte ikur nga pushteti, por më pas erdhën Berisha dhe Rama. PD-ja e kaloi në vitin 2011 ligjin për menaxhimin e mbetjeve, duke u premtuar shqiptarëve se nuk do të merrte mbetje urbane nga jashtë, ndërsa PS u betua se do ta rrëzonte, sepse mundësonte edhe importimin e mbetjeve toksike dhe ai ishte ndër VKM-të e para të qeverisë së saj më 15 shtator 2013. Por, ende pa u tharë boja, sajoi krizën e industrisë ricikluese vendase që befas kishte mbetur pa lëndë të parë, dhe ajo duhej importuar, sepse plehrat e shqiptarëve nuk ishin të pastra dhe të denja për t’u ricikluar.
Siç bënte mafia italiane, u sajua katastrofa ekologjike në Elbasan për të justifikuar inceneratorin e parë dhe më pas edhe ai në Vërri të Fierit dhe monstra e Tiranës në Sharrë. Të gjitha me PPP, pra me paratë tona që paguhen pa ndërprerë dhe që do të çojnë në duart e kokave të vërteta të plehrave mëse 400 milionë euro.
Një biznes i sigurtë të paktën për tri dekada dhe i mbuluar me financime buxhetore edhe pse shqiptarët e mjerë që s’kanë brekë në b***thë, të shkundur nga qeveritarët mafiozë, do të detyrohen të paguajnë nga 29 euro për një ton plehrash. Një biznes kolosal, që s’mund të rrijë në këmbë pa importin e plehrave nga jashtë.
Një biznes që po të mos kishte firmosur Lefteri do ta kishte bërë gratis dhe me patriotizëm qeveritar Mirela që lejoi kioskën e sallamrave dhe qofteve brenda pasurisë botërore së UNESCO-s në Butrint, apo edhe Pandi që argëtonte emigrantët me lojën mos u nxeh.
Një biznes ku paska bërë gjëmën Leftar Kokëturku, por nuk paska gisht Edi Rama që e ka kthyer Shqipërinë në telajon ku prej mëse 8 vitesh zhgarravit, duke e futur thellë penelin si thikë në trupin e sakatuar të vendit të zhbërë, që ka vetëm hemoragji; Arben Ahmetaj që desh la kokën në një makinë me demek-bosin e inceneratorëve; Erion Veliaj që financon ture turistike te landfilli i Sharrës dhe do t’ua faturojë të milionat e inceneratorëve banorëve dhe bizneseve, siç ka bërë këto vite, edhe pa miratim të Këshillit bashkiak…
SPAK-u duhet t’i shohë edhe një herë kartat, se mos, nga nxitimi, ka harruar se ku nisen këto punët e miliardave që vrasin dhe grabitin. Se Gërdeci nisi me një VKM të Berishës, pastaj shpërtheu biznesi vrasës. Kështu edhe inceneratori që nisi një pasdite ku ministritë u vunë në radhë për të firmosur 9 procedura antiligjore. Me urdhër të kujt?! Lefter Kokëturkut?!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply