Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti

Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që nuk është në interes të individit, të shqiptarit, të ekonomisë, të familjeve që dëgjojnë opiumin e darkës dhe të lajmeve të stisura.

Erdhi gjermani apo jo, erdhi francezi apo jo, u mërzit serbi apo jo, u bë shengeni apo jo, do na e japin vendimin sot apo nesër, e ka fajin Makroni apo jo. Madje me kompleksin e inferioritetit dhe skuthinë e punistëve komunistë vajtëm deri aty sa ja vumë fajin edhe gruas së Makronit. Palo burrë ai që e bën këtë punë dhe grua pa respekt për veten ajo që merret me këtë punë!

Megjithatë, për mua pak rëndësi kanë të gjitha këto dhe mbi të gjitha gruaja e Makronit, ta mbajë me shëndet. Për mua ka rëndësi kjo që po ndodh në këtë shoqëri dhe në këtë vend të nakatosur në këtë lloj forme.

Jo këtij vendi, se vendit nuk kanë çfarë i bëjnë, por nëse këtyre njerëzve që jetojnë në këtë vend u ka bërë dikush keq dhe ka qenë ndonjë anti-shqiptar më i madh se kushdo okupator, ata kanë qenë shtetarët tanë. Më anti-shqiptari i shqiptarëve ka qenë shteti ynë. Nuk e kam fjalën për namin që kanë lënë në kancelaritë e botës por për sjelljen ndaj shqiptarëve këtu.

Nëse ka patur një pikë më të ulët kjo shoqëri ka qenë komunizmi i qoftë largut dhe shteti i sotëm.

Ky i sotmi nuk është hajdut, por grabitqar. Merr përshembull, korporatën e famshme të investimeve që duan mallagarët ta krijojnë. Është institucionalizimi ligjor i grabitjes së pronës, vjedhjes me letra dhe zhvatjes së shqiptarëve. A thua ti se ky shtet po menaxhon këto që ka dhe tani do të menaxhojë dhe çka mbetur nga kjo çikë Shqipëri.

Ky i sotmi është hipokrit dhe jo i vërtetë. Në mbretërinë e mbretit lakuriq thuhet çka nuk besohet dhe besohet çka nuk mendohet. Jetojnë bukur dhe të shkëputur nga realiteti, nuk e njohin qoftë dhe jetën e një shqiptari që punon dhe rrit fëmijët, as të një biznesi që krijon vlerë të shtuar dhe punëson njerëz.

Ky i sotmi është mashtrues dhe jo gënjeshtar. Mashtrues se me të njëjtat të dhëna të rënies ekonomike dhe degradimit shoqëror i merr dhe i bën film propogande për shpëlarje masive.  E di pse mashtrues? Gënjeshtari kur gënjen e di që pala tjetër do e besojë si rishtare në proces. Ndërsa mashtruesit ordiner, siç janë këta, nuk e dinë që pala tjetër nuk e beson. Pala tjetër kur të klasifikon si mashtrues do të thotë se ti e ke përsëritur gënjeshtrën në mënyrë të ndërgjegjshme dhe si i tillë je mashtrues. Por mashtruesi në këtë rast nuk është i ndërgjegjshëm për ndërgjegjshmërinë e palës tjetër, pra nuk e kuptojnë akoma që njerëzit nuk i hanë më filmat e tyre të propogandës, se e dinë që këta u premtuan diellin dhe i lanë në hije.

Mirëpo, këta shtetarë nuk janë vetëm kaq, por dhe të papërgjegjshëm dhe po marr guximin të them dhe të këqij! Si mundet shteti më i korruptuar dhe më i papërgjegjshëm ti kërkojë llogari atij që punon? Si mundet që shteti më i korruptuar të shtypi lirinë e individit dhe sipërmarrjes? Si mundet që shteti që është në paligjshmëri totale të kërkojë ligjshmëri në emër të popullit? Si mundet që ky shtet të jetë aq punist dhe aq ndëshkues me ata që e mbajnë në këmbë dhe në kundërshti me çdo lloje principi i shërbejnë? Se duhet të ishte e kundërta, ky shtet ti shërbente kësaj shoqërie.

Po ja ti marr disa shembuj me radhë!

Kur ky shtet qorrazi nxori jashtë ligjit bizneset e basteve me paaftësinë më të madhe i nxori ata në tregun e zi dhe si ka qenë ishte. Të gjitha paratë e pista dhe kumari sot lodron në tregun e informalitetit ku vetëm shteti nuk përfiton. Ndjesë, shteti përfiton se merr llokmat e të zinjëve, por taksat që duhet të ishin për të mirën publike nuk jane më. Shifra të frikshme qarkullojnë nga kjo industri dhe analistëve të ekonomisë nuk u dalin ekuacionet e parashikimeve se ndryshe janë statistikat zyrtare dhe ndryshe ato poshtë tavolinës.

Drejtoria e tatimeve deklaron se ka rishikuar këstin e tatim-fitimit për 8’000 subjekte. Përpos debatit që ky këst është haraç i parapaguar nga një fitim që nuk ekziston nga ai që rropatet në punë e biznes drejt një shteti të korruptuar, drejtoria nuk i rishikon ndonjëherë në ulje këstet por vetëm në rritje. Vetëm të marrin, vetëm të grabisin nga djersa e atyre që punojnë sepse paratë e djersës së punës i menaxhon më mirë shteti sesa ai që i ka fituar. Pra nëse nuk realizohet plani që ka ardhënga lartë si në kohën e qoftëlargut, shtrydhi këta që janë të ligjshëm.

Drejtoria e tatimeve thotë se do mbyll bizneset që nuk lëshojnë kuponin për herë të dytë dhe deri sa të bëhet likujdimi i masës së gjobës nuk do hapet, madje as në gjykatë nuk ke nevojë të shkosh thotë! Prapë, masa dhe aksion për kuponin tatimor! O tempora o mores! A e kupton ti i dashur lexues se ku po jetojmë? Lukunia tatimore dhe njësia e hetimit tatimor ose si njihet ndryshe “skuadra e vrasjes së biznesit me përgjegjësi të kufizuar” do turret në fushatën e radhës së therorit. Do ta bëj si e bëjnë gjithmonë që me qerren e shtetit do ti bien fakirit. Do ta bëjnë si e bëri AKU me furrën e lagjes time, ose 5 mln lekë gjobë ose nga një 100 mijë leksh për kokë për dy inspektorët, ose si e bëri polici me mua ose 1’000 euro ose të prish murin e hapësirës publike. Ik e ankohu po deshe! Nuk ka nevojë për gjykatë thotë, njësoj si në kohën e të sëmurit qoftëlarg, këta janë vetë inspektorë, vetë prokurorë, vetë gjyqtarë dhe vetë përfitues. Ai e di ç’ka është më e mira për mua, për ty, për ne!

Unë e di që ti do vish prap te unë, ashtu siç ke ardhë çdo tre ditë me lloje soje tabore inspektoriatësh dhe inspektorësh. Por sikur energjitë që shpenzon për të më rënë mua individualisht ti shpenzoje për heroinën dhe kokainën që sot qarkullon në Tiranë, Elbasan dhe Durrës do i kishe bërë një të mirë të madhe këtij vendi dhe fëmijëve të tu nesër dej, nëse ke pak dhembshuri dhe dashuri për ta dhe se ku do të rriten ata.

Në kushtet e kataklizmës së këtij vendi, ku parregullsia dhe padija janë në kulm, ti mbetesh përherë në dorë jo të ligjit por të vullnetit të mirë të taksidarit, i cili kur vjen me mendjen e shtetarit që unë sot jam mbret dhe ty do të shtyp nuk ke shpëtim.

Me ç’guxim ky shtet kërkon nga unë, nga ti, nga ne?!

Çfarë jep ky për mua, për ty, për ne?

Ky shtet i rriti taksat për mua, për ty, për ne. Për ne që jemi brenda këtij sistemi ligjor dhe të rregullt përherë. Nuk u përkthye në zhvillim dhe as në rritje të ardhurash, statistikisht këto të fundit kanë ngelur në nivelin 27% tëPBB.

Ky shtet është debitori më i madh te unë, te ty, te ne!

E di ti që debitori më i madh në tatimet e këtij qerrata shteti është ARMO? Po ARMO nuk është private por është kompania që vjedh këtë vend dhe menaxhohet nga lloje soje grupesh kriminale…

E di ti që debitori i dytë më i madh është OSHEE? Edhe kjo është kompani shtetërore që nën petkun e shtetit vjedh shqiptarët pa i bërë syri tërr

E di ti që në vend të tretë është kompani nafte që shfrytëzonte rafinerinë…

E di ti që më pas vjen kompani bastesh, energjie, BELLE AIR i famshëm, e bankers petroleum, etj…

Ke parë apo dëgjuar ndonjë aksion në lidhje me këto? Ke parë të gjobitet apo të ndëshkohet njeri në lidhje me këto? Sikur unë tek biznesi im të vonoj qoftë dhe me 5 minuta deklarimin e një sigurimi ose çfarëdo lloje gjëje, automatikisht gjobitem nga sistemi Kafkian dhe kaloj lloje soje inspektimesh dhe maratona terrori me lloje e soje inspektori.

Ky shtet ka 1’200 ente publike të cilat nuk paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve të tyre, përfshirë bashki, universitete, ujësjellsa, ministri, reparte ushtarake, zyra arsimore, komisariate policie, e dreq e shejtan!

Kush je ti mor dreq që i mban djersën individit, i cënon të ardhmen dhe e çon drejt pleqërisë të falimentuar?

Ke parë ndonjëaksion nga “forca e aksioneve të shpejta” të qeverisë?

Ke parë të mbajë njeri përgjegjësi kur shkarkohet njeri nga puna në mënyrë të padrejtë?

Ke parë ndonjë aksion nga “forca e aksioneve të shpejta” duke qenë se borxhet akumulohen?

Nëse shteti nuk realizon planin, nuk mban përgjegjësi. Taksa e pronës nga bashkitë, siç pritej nuk u realizua plani dhe si rrjedhim bashkitë rritën taksën, pra ua ngarkon atyre që janë të rregullt e të ligjshëm.

Nëse shteti të pushon nga puna me të pa drejtë nuk mban përgjegjësi, nëse shteti të vjedh nuk mban përgjegjësi, nëse shteti nuk paguan tatimet nuk mban përgjegjësi, nëse shteti nuk paguan sigurimet nuk mban përgjegjësi, nëse shteti nuk të mbron nuk mban përgjegjësi. Kjo organizatë që nuk ka asnjë lloj përgjegjësie me sa di unë nuk quhet shtet, ndoshta organizatë mafioze, grupim zhvatje, ose… ose… vija emrin vet.

Demontimi i paprecedent që i erdhi këtij shteti, shkëputja nga realiteti e drejtuesve dhe mos-reflektimi po sjell përherë e më shumë një amok socio-ekonomik. Mungesa e vizionit, e shpresës, e zërave dhe mendjeve të arsyeshme, mungesa e alternativës ka sjellë këtë psikozën e madhe të shtetit që të shtyp, e shtetit që bën aksione, e shtetit që jep urdhra, e shtetit me qerren e madhe që të vret. Të vret fizikisht, ekonomikisht, socialisht dhe moralisht.

Shteti shërben dhe një shtet i fortë është kur individi është i fortë dhe mbi të gjitha kur biznesi është i fortë.

Unë, ti, ne e zbatojmë ligjin se jemi të ndershëm!

Unë, ti, ne i paguajmë taksat! – më beso që i paguaj dhe dua ti paguaj se ashtu jam edukuar.

Unë, ti, ne e respektojmë njëri-tjetrin!

Po shteti pse nuk e zbaton ligjin, pse nuk paguan detyrimet dhe pse nuk na respekton?

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet