
Arben Rrozhani
Sikur të mos mjaftonin orët e munguara mësimore pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, muajt e mësimit online pas shpalljes së pandemisë së COVID-19, mungesave të qindra-mijëra nxënësve dhe mësuesve në javët e fundit, prej përphapjes masive të mutacioneve të virusit, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, me një vendim gati personal, vendosi sot në mesditë që java e ardhshme e mësimit të nisë pas një jave. Justifikimi ishte me temperaturat e ulëta deri në minus 17 që priten në fundjavë deri të mërkurën e ardhshme.
Nuk dihet se cilit parashikim meteorologjik iu referua ministrja, kur parashkimi botëror, lehtësisht i verifikueshëm në kohë reale, thotë se kjo temperaturë minimale do të shënohet natën e të hënës vetëm në qarkun malor të Dibrës, ndërsa Elbasani të cilit i referohet në çdo fjalë ministrja, apo zona metropolitane Tiranë-Durrës dhe ultësira perëndimore, ku jeton shumica dërrmuese e popullsisë, do të kenë temperatura normale dimërore.
Stafet pedagogjike dhe komuniteti i prindërve e kanë cilësuar jashtë logjike vendimin, që fare mirë mund të merrej ditë më parë, kur nëpër shkolla munguan shumica e nxënësve dhe e mësuesve të infektuar nga virusi apo gripi stinor dhe të lidhur ngushtë me mungesën e kushteve normale të mësimdhënies/nxënies në objektet arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri, me përjashtim të disa shkollave të njohura private dhe shtetërore.
Vendimi i ministres, në një shtet normal, duhet të shërbejë si objekt hetimi nga drejtësia.
Nëse hap faqen e APP-së, agjencisë shqiptare të prokurimeve publike, janë me mijëra kontrata të lidhura prej muajsh për blerje drush, peleti, apo lëndë djegëse për ngrohje qendrore në shumicën e shkollave të vendit. Por, megjithëse, nga buxheti i shtetit, lëvrohen (zhduken) miliarda lekë për sigurimin e kushteve normale në objektet arsimore, ato nuk kanë as minumimin, siç e tregon edhe kyçja e tyre për të mos u ballafaqur me temperaturat normale dimërore. Janë njësoj si kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve, që në dimër bllokohen nga një cipë e lehtë dëbore dhe pa asnjë cilësi dhe sinjalistikë, edhe pse buxheti jep miliardat për firmat që kanë fituar kontratat.
Me pak hetim të përciptë, por me shumë vullnet për të hetuar padrejtësitë që bëhen edhe në kurriz të arsimimit të cunguar të fëmijëve, drejtësia ka shumë material për të vënë me shpatulla për muri abuzuesit e pushtetit që nisin nga ministrja, që çdo fjalë të parë ka vendlindjen Elbasan, qytetin me të cilin lidhet Normalja e famshme e arsimit shqiptar, deri te drejtuesi më i fundit i shkollës ku nxënësit mezi presin të rikthehen për t’u ngrohur në shtëpi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply