
Arben Rrozhani
Shefi i madh mori në mesnatë Spin-doktorin.
-Spino, duhet me bo një reagim të fortë për këta të vdekurit e pakallur që më akuzojnë për këtë ngjarjen e Potamit.
-Po shef. Po them mos të reagojmë me postime se nuk arrijmë t’i fshijmë dhe t’i bllokojmë se nja 120 operatorë, gati gjysma, kanë shku me leje. Na mbytën, na mbytën.
-Ore ta kam tregu unë ty atë gallatën kur isha fëmijë në Vlorë dhe dëgjoja këta grekët që thonin, potami këtu, potami atje, hajde vemi te potami ja të mbaroj punë te potami dhe unë i pyesja sa potame ka në Vlorë. Sot e mora vesh që potami grekët i thonë burimit.. Ça gallate me këta grekët..Nejse Spino, boj një gjo të gjatë, me 7 pjesë që të lodhen duke komentu dhe hidhe vetëm në twitter, se aty nuk futet ky populli i fejsbukut.
-Po është e rëndë, shefo, s’di ça të them më shumë se ajo që bëre vetë dje. Bukur e kishe bërë.
-Mirë, mirë, Spino. Shkruj: Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lënë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!.
-Shef kanë qenë qindra dëshmitarë. Ajo gazetarja kishte fol me nënën e gocës, ai Kreshniku, ai kuqi i Lulit edhe ai me familjen e ka parë.
-Shkruj mo, shkruj: Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër.
-Po s’mund ta themi këtë se ai punëtori që u shtyp në Jalë më 16 korrik nuk ka dalë akoma nga spitali dhe ai 7-vjeçari që u plagos në Jonufër dy ditë më pas rrezikon të mos ecë më. Plus edhe ai djali që erdhi nga Anglia dhe u mbyt në Durrës. Ai që u shkove në shtëpi për ngushëllime.
-Shkruj, Spino, shkruj: Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor. Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin!.
-Shef, kanë nxjerrë Vendimin 321, datë 28.05.2014 të Këshillit të Ministrave për “Sigurinë në Plazhe” dhe janë përgjegjës Ministria e Infrastrukturës, me Drejtorinë e Përgjithshme Detare; Ministria e Brendshme; Ministria e Mbrojtjes me Rojen Detare; Ministria e Turizmit; Ministria e Mjedisit dhe Njësitë e qeverisjes vendore. I bie gjysma e qeverisë, nga zv.kryeministrja që zgjodhe para një jave deri te Gjergji Goro…
-Spinooo, përgjegjësia është personale. Shkruj, shkruj: Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë.
-Po nuk është vetëm Vlora. Më kanë mbytur me video. Mi kanë sjellë këta të seksioneve që janë në plazh. Jet-ski dhe skafe mes kalamajve, nga Velipoja, Shëngjini, Palasa, Gjipeja. Tmerrrr. Shyqyr që nuk bëj pushime në Shqipëri se do më kishte lënë zemra.
-O Spino, po ça flet mo burr, po unë që bëj plazh në Shqipëri të them se ktu është vendi mo i sigurtë në botë. Atje te vila në Himarë dhe nuk piptin as zogu, veç llapashitjet tona dëgjohen. Ç’i keni këto se je bo më keq se këta të kazanit. Shkruj aty, shkruj: Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre.
-Kjo po, kjo është e bukur, shef. Kanë lajmëruar protestë te Ministria e Brendshme, por po i vëmë ato teneqet te kryeministria dhe kryesia e kuvendit se nuk u dihet…
-Spinoooo, mos harro kërpudhën me e heq prej aty. Amon se më mirë me më vra mu se me prish ate gjo të bukur.
-Po shef, po.
-Ja dhe këtë të fundit. Shkruje: Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!
-O shef po lëre më mirë këtë se ata të dy që plagosën para dy javësh kanë dalë. Pyeta dhe më thanë se ato gjyqtarët e kanë kaluar vettingun. Se do të na e përdorin. Sidomos me këtë të fundit që paska dalë edhe te raporti i SHISH-it për drogë dhe qenka kthyer në polici. Sa ndodhi dhe deri tani s’kam vënë gjumë në sy duke pyetur për detajet.
-Spinoooo, po ku kemi kohë për gjumë ditën. Ore ku je ti po shef telenovela Bollyvood-i se dëgjoj muzikë dhe ca fjalë si indiançe?!
Spini u përtyp pak dhe tha me ngërçe…-Ja këtej nga Oqeani Indian …Gjeta një ofertë falas për fëmijët dhe erdha ca ditë, se ka merak gruaja të shkojë në Jug, megjithëse na u lutën Samiri, Goni e kush i mban mend sa të tjerë. Vij për dy ditë…
E mirë, mirë, pranaj nuk ia kini idenë se ça ndodh në turizmin shqiptar se shkoni në fund të botës.
Erdha shef, erdha, për dy ditë.
Po ça dy ditë. Katër thuj se dy ditë bën avioni. Pasi ta hedhësh këtë twitt-in, pyt pak se do shkoj për ngushëllime te ajo familja.
Pyeta, shef, pyeta. Me këtë jam marrë. Ai i grup-seksionit ishte me leje, këto gratë janë me pushime dhe kanë fik telefonët. Mora deputetin e zonës po ai tha se janë me PD-në këta. Por më premtoi Flobeni, patronazhisti i familjes se do t’ua gjejë anën. Na kishte mashtruar me ato deklarimet për 25 prillin, se e kishte vënë JO te kolona “Emigracion”, kur ai ka shumë vite jashtë familjarisht, por ishte treguar i saktë se nuk është votuesi ynë dhe nuk është i sigurtë. E zura aty se e bëmë edhe drejtor pas zgjedhjeve. Ma ka borxh.
Mirë, Spino, mirë. Më thuj kur të shkoj dhe për adresën e saktë që të mos kalojmë anej nga shpia e atij 25-vjeçarit që vrau ai polici idiot, atëhere në shtetrrethim..Bobo..ku i kemi gjet kto policë, me vra, me pre…!
P.S. Kjo është një histori e trilluar. Emrat, personazhet,vendet dhe ngjarjet janë prodhim i imagjinatës dhe nuk lidhen me ato në botën reale. Ngjashmëritë janë të rastësishme.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply