
Zef Preçi
Si çdo qytetar i shqetësuar për fatin e përbashkët tonin dhe të bashkëkombasve tanë, edhe unë kam ndjekur ngjarjen tragjike të 21 Janarit 2011 dhe evoluimim e qëndrimit ndaj saj… E duke qenë se sot mbushen dhjetë vjet nga ajo tragjedi në të cilën 4 qytetarë protestues humbën jetën atë ditë, po përfitoj nga rasti të ndaj me publikun çfarë mendoj rreth asaj ngjarjeje dhe sidomos rreth përdorimit politik, publik dhe mediatik të saj…
Së pari, viktimat e asaj ngjarjeje, nuk janë aspak dëshmorë apo heronj, siç miklohen sot me vendime të qeverisë, por që meritojnë respektin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të vendit. Kjo jo thjesht se u vranë në një protestë politike të opozitës së kohës – tashmë në pushtet prej tetë vitesh edhe për shkak të asaj tragjedie, por sepse ata u sakrifikuan për fjalën e lirë, për të drejtën e protestës demokratike e paqësore. Në këtë këndveshtrim, ata nuk duhen parë as si pedana e ngjitjes në pushtet të së majtës, por si kontribues me çmimin më të lartë – jeten e tyre – ndaj fjalës së lirë. Uroj dhe shpresoj që kjo të jetë hera e fundit që në këtë vend dikush sakrifikohet për këtë element të çmueshem e të pazëvendësueshëm të demokracisë.
Së dyti, deklarimet e përsëritur e kallp të drejtueseve të sotëm politikë se “drejtësia e re do të vendosë drejtësi për viktimat e 21 Janarit 2011” nuk mund të mos lexohen ashtu siç janë: kulmi i një hipokrizie të retorikës politike së cilës nuk i beson më askush. Ajo që dihet, por nuk thuhet është se “drejtësia e vjetër” dhe “drejtësia e re” kanë të përbashkët se vijnë nga i njëjti “brum” njerëzor. Për rrjedhojë, “produkti” i saj është i njëjtë: shërbim pa kushte ndaj maxhorancës së radhës dhe liderit të saj, pavarësisht kohës së emërimit apo forcës politike që ka lobuar për t’i sjellë në pozicionet që gëzojnë në hierarkinë e drejtësisë. Pak a shumë si në fabulën si ai “që përsërit të njëjtin eksperiment dhe pret rezultate të ndryshme…”, edhe qytetarët shqiptarë do të duhet të presin ndoshta jo me vite, por breza që kjo situatë e çmendur ku gjithçka kontrollohet nga ekzekutivi dhe kreu i saj dhe ku mungon ndarja elementare e pushteteve të fillojë të ndryshojë…
Së treti, edhe përpjekjet për adresimin drejt detajeve teknike të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, të krijojnë përshtypjen e një zgjidhje “win-win” për të gjitha palët e interesuara. Kjo sepse cilido e kupton se dërgimi jashtë shtetit për ekzaminim i një prove shkencore rreth asaj ngjarjeje, më shumë se sjell ndonjë mundesi për të dhënë drejtësi, shtyn në kohë shpresën dhe mban gjallë fabulën e “përgjegjësisë politike” të maxhorancës së kohës rreth asaj ngjarjeje të dhimbshme. Aq më tepër kur kjo formë efikase “tjerrjeje” ka dhënë “rezultat” edhe herë të tjera. Eshtë rasti të kujtojmë disa kaseta të dërguara “në laboratorin më të mirë në botë për rregjistrimet audio”, që në fakt nuk u kthyen më kurrë në Atdhe, mbasi kështu e permbushën misionin e radhës – mashtrimin e opinionit publik.
Së katërti, përpara se të shpallen “dëshmorë të Atdheut” viktimat e 21 Janarit kanë pase dhe kanë nevojë për përkujdesje ndaj familjarëve të tyre të mbetur gjallë. Këto dhjetë vjet kanë provuar një (keq)përdorim politik të panevojshëm dhe një mungesë të kujdesit shtetëror për ta…
Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, proceset gjyqësore çalamane të kësaj dekade mbi individët e përfshirë në këtë çështje dhe gradimet politike të disa prej protagonistëve të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të asaj ngjarjeje fatkeqe, e kane çveshur nga çfarëdo morali publik maxhorancën aktuale që pretendon vendosjen e drejtësisë për 21 Janarin. Kështuqe takimet e përvitshme komemorative dhe vizitat në vend-ngjarje (bulevard) e bëjnë atë edhe më të pabesueshme, të paktën tek ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që nuk është dehur nga të mirat e pushtetit.
E kështu, kaloi edhe dhjetëvjetori i 21 Janarit 2011, për t’i lënë vendin 11-vjetorit, kuptohet me ndonjë fabul të re, se helbete, jemi në vit zgjedhor dhe problemi më i madh nuk është më qeverisja e vendit, por shpikja e “lodrës së radhës” në fushatën zgjedhore të 25 Prillit 2021!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply