Ku po shkon Shqipëria ime?

Silvana Begaj

Qeshu Rini! Bota është e jotja!

Pasiguri! Tmerr! Skandal! Ekonomi e keqe! Papunësi! Burg! Vrasje! Drogë! Vjedhje! Armë! Protesta! Vip-at! Bosat! Jeta e tyre e luksit, ora të shtrenjta në dorë, pushimet luksoze…

Me këto po buçasin përditë televizionet tona. Si e rritur këto ndikojnë në gjendjen time emocionale, shpirtërore dhe mendore. Po te fëmijët? Adoleshentët dhe ata para pak adoleshencës, që janë përdorues aktiv të rrjeteve sociale dhe që e reflektojnë në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë ndikimin e ekzistencës së këtyre lajmeve. Pothuajse çdo ditë shikojmë video dhune nëpër shkolla, rrugë, lokale etj. Video të cilat publikohen dhe bëhen virale në rrjetet sociale, bëhen lajm nëpër portale, shpërndahen në mënyrë masive dhe janë ndër më të klikuarat. Video të cilat pëlqehen ose gjykohen.

Po, po video të tilla pëlqehen. Dhunuesi bëhet idhull dhe i dhunuari përbuzet. Video të tilla më nervozojnë dhe më prishin ditën. Fjalori i përdorur nga një moshë e tillë më bën pesimiste. Unë nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një shoqëri ku duhet të jenë ose dhunuesi ose i dhunuari. Dhe këto janë thjesht video rastësore. Kush e di sa e sa raste të tilla ka të papublikuara.

Brezi i ri, e ardhmja e vendit! Brezi nga i cili ne presim emancipim dhe ndryshime pozitive.

Ku po shkon Shqipëria ime? E ardhmja jote ku po të çon? Pyes veten ku po të çon kjo rini? Por pastaj pyes përseri veten, Ku po e çojmë këtë rini? A nuk është normale sjellja e tyre, reagimi i tyre? A nuk po i mësojmë këtë gjë ne kësaj rinie? Nuk janë pjesë e një dite normale këto veprime?

Ti ose je humbësi ose i forti! Zgjidh! Këto dy zgjedhje të kemi lënë rini!

Por me çfarë do ushqehen portalet? Si do rriten klikimet? Media është influencuesja më e madhe në zgjedhjet e modeleve që të rinjtë dëshirojnë. Reflektoni!

Ku janë psikologët? Pse nuk ngrenë alarmin dhe të flasin me të madhe. Ata e dinë më mirë se kushdo që fëmijët kanë aftësi të jashtëzakonshme të imitojnë sesa të dëgjojnë e mësojnë. Dhe çfarë po bëjmë? Çfarë shembujsh po i japim të imitojnë? Dikë që ka armë, makinë të shtrenjtë, orë të shtrenjtë. Që nuk e dime se kur vete në punë se është gjatë gjithë kohës në pushime luksoze?

Pse nuk lartesohen ata që bëjnë vepra të mira? Ata që janë një shembull i një shoqërie pozitive? Pse nuk ju ofrojmë të rinjve mundësi të zbulojnë pasionet e tyre, talentet e tyre? Mundësira argëtimi të arritshme për të gjitha nivelet ekonomike, por vetëm për të pasurit? Vetëm të pasurit kanë pasione vallë?

Të dashur prindër! E nesërmja është gjithmonë e pastër! Nuk ka gabime në të akoma.

Të fillojmë të ndërtojmë këtë të nesërme me vendosmëri për të ardhmen e brezave pa dhunë, pa agresivitet, pa negativitet. Migjeni thotë: Qeshu Rini! Bota është e jotja!

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet