Kryetarja e Apelit të Vlorës, Alma Liçaj akuzohet për fshehje të pasurisë

Bleona Metushi

KPK zhvilloi seancën dëgjimore për kryetaren e Apelit të Vlorës, Alma Liçaj, hetimi ishte vetëm për pasurinë. Komisioni akuzoi gjyqtaren për fshehje të pasurisë, ndërsa deklaronte borxhe për krijimin e saj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore për kryetaren e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Alma Liçaj, ndërsa hetimi ishte kryer vetëm në një kriter të rivlerësimit, atë të pasurisë. Ndërkohë, referuar rezultatit të hetimit administrativ, me shumë gjasë gjyqtarja do të shkarkohet nga detyra ditën e enjte, kur edhe u caktua seanca për dhënien e vendimit përfundimtar të nga ana e Komisionit. Seanca dëgjimore ndaj Liçajt filloi në orën 12:00, ndërsa ajo u paraqit e vetme në ambientet e KPK, pa një avokat mbrojtës dhe nuk foli gjatë seancës, por i tha komisionit se nuk kishte gjë shtesë përveç atyre që kishte argumentuar në materialin me shkrim të depozituar në KPK. “Nuk kam diçka për të thënë, i qëndroj shpjegimeve me shkrim që i ka depozituar, aty kam analizuar të gjitha konstatimet dhe gabimet e Komisionit dhe kam bashkëngjitur provat për të vërtetuar të kundërtën e pretendimeve”, tha ajo. Ndërkohë trupa gjykuese që ka hetuar pasurinë e gjyqtares së Apelit të Vlorës përbëhej nga relatorja Xhensila Pine, anëtari Lulzim Hamitaj dhe kryesuesi i trupës Olsi Komici. Ndërkohë, gjatë karrierës së saj, gjyqtarja ka pasur edhe akuza në lidhje me punën e saj, por nga ana tjetër, në vlerësimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ajo ka marrë notë maksimale, por për këto Komisioni ka çmuar të mos bënte hetim të thelluar, pasi është mjaftuar vetëm në kriterin e pasurisë, për të marrë një vendim. Gjithashtu, Liçaj i kërkoi KPK-së që të kryhet një hetim i thelluar edhe për dy kriteret e tjera atë të aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Por, kërkesa nuk u pranua nga Komisioni, i cili edhe në raste të tjera në momentin që krijon bindjen se mund të merret një vendim vetëm me vlerësimin e një kriteri, e ka ndërprerë hetimin administrative dhe ka thirrur subjektin në seancë dëgjimore për t’i komunikuar rezultatet e hetimit. Kujtojmë se të gjitha rastet kur KPK ka ndërprerë hetimin vetëm në një kriter, subjektet e rivlerësimit, prokuror ose gjyqtar, janë shkarkuar nga detyra.

Pasuritë e deklaruara  

Pas komunikimit se hetimi është bërë vetëm në një kriter rivlerësimi, fjalën në seancën dëgjimore e ka marrë relatorja e çështjes, Xhensila Pine, e cila tha se, referuar deklarimeve të bëra në deklaratën Vetting, në lidhje me pasurinë, rezulton se gjyqtarja Alma Liçaj dhe bashkëshorti i saj zotërojnë një banesë në qytetin e Vlorës, me sipërfaqe 120 metra katrorë, e ndërtua në një  truall me sipërfaqe rreth 215 metra katrorë. Gjithashtu, në pronësi të gjyqtares dhe bashkëshortit, është një apartament me sipërfaqe 72 metra katrorë, edhe kjo pasuri në qytetin bregdetar. Më tej, relatorja tha se ka në pronësi edhe dy apartamente në Tiranë të blera respektivisht, njëri për 97 mijë euro dhe tjetri për 60 mijë euro. Më tej, në pronësi të subjektit, rezultojnë edhe dy banesa po në qytetin e Vlorës, konkretisht me sipërfaqe 90 metra katrorë dhe 40 metra katrorë, si dhe një garazh prej 35 metrash katrorë në qytetin bregdetar, ku edhe është në detyrë. Së bashku me deklarimet e pasurisë, gjyqtarja Alma Liçaj, ka deklaruar edhe burimin e krijimit të tyre dhe sipas relatimit të relatores së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj, kanë deklaruar se një pjesë të pasurive e kanë përfituar si dhuratë nga i vëllai i bashkëshortit, ndërsa ka deklaruar edhe tre borxhe të marra personave të tjerë dhe janë përdorur për të blerë apartamentet e deklaruara në Tiranë. Konkretisht, sipas Xhensila Pines, borxhet e marra janë në vlerat 30 mijë euro, 60 mijë euro, 70 mijë euro dhe 12 mijë euro. Pasuritë e dhuruara nga vëllai i bashkëshortit të subjektit, janë përfitua në vitin 2016 dhe bëhet fjalë për tre ambientet, 2 apartamente dhe një garazh në Vlorë.

Problemet me pasurinë

Në lidhje me pasurinë e paluajtshme apartamentin në Tiranë të blerë në vitin 2009, relatorja Xhensila Pine tha se është blerë për vlerën 97 mijë euro dhe si burim janë deklaruar një borxh prej 60 mijë euro, një hua e marrë te kunati në vlerën prej 12 mijë euro. Ndërkohë, subjekti ka deklaruar se, kompania e ndërtimit, i ka bërë një zbritje nga çmimi real në vlerën 25 mijë euro dhe e gjithë kjo për shkak se vetë subjekti ka bërë rregullime në këtë apartament. Por sipas relatores, nuk ka prova që tregojnë dhe vërtetojnë punimet e bëra në këtë apartament. Ndërkohë, për vitin 2009, ka mospërputhje të deklaratës së dhënë ndër vite dhe asaj të dhënë për vetting, ndërsa nga analiza financiare e kryer nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezulton se, ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të krijuar pasuritë e deklaruara. Për këto dhe mungesën e dokumentacionit provues të borxheve të marra dhe konkretisht për shumën e 60 mijë eurove, gjyqtares i kaloi barra e provës. Ndërkohë nga hetimi i bërë, rezulton se subjekti nuk e ka deklaruar borxhin e marrë në moment, por pas 4 vitesh, duke bërë që t’i kalonte barra e provës edhe në lidhje me këtë paqartësi. Më tej, relatorja e çështjes, Pine, tha se, subjektit të rivlerësimit iu kërkua gjithashtu të vërtetonte me dokumente huat e deklaruara prej 30 mijë euro dhe 70 mijë euro, të cilat janë deklaruar si burime për shtimin e pasurisë, duke iu ngarkuar si barrë prove.

Pasuritë e dhuruara

Gjithashtu, në hetimin administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kaluan edhe pasuritë e paluajtshme të dhuruara nga vëllai i bashkëshortit të subjektit. Jo pasi në bazë të ligjit për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, personat e konsideruar të lidhur për marrëdhëniet e shit-blerjes, bëhen objekt hetimi për pasurinë e tyre. Sipas hetimit të kryer, vëllai i bashkëshortit të gjyqtares nuk rezulton të ketë bërë këtë dhurim, ndërsa në lidhje me pasurinë e tij, nuk është gjetur burimi për krijimin e këtyre pasurive, që supozohet t’i ketë dhuruar vëllait të tij. Në përfundim të relatimit, bazuar në gjetjet e hetimit, u akuzua për deklarim të pamjaftueshëm, mos përputhje të deklaratave. Për fshehjen e pronësisë së aksioneve të bashkëshortit, i cili zotëron 34 për qind në një kompani. Një problem tjetër, i konstatuar nga KPK, është edhe problemi me dokumentimin e mënyrës së blerjes dhe shitjes së disa automjeteve. Aktivitet nga i cili, ka deklaruar të ardhura të konsiderueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet