Konfirmohen 15 prokurorët për SPAK, KLP “ngel” krerët e Krimeve

Mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, janë publikuar 15 emrat e prokurorëve që kaluan fazën e intervistimit. Donika Prela, Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara nuk mundën të fitojnë garën për SPAK

Xhentila Gjoshi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka konfirmuar 15 emrat e prokurorëve, që do të jenë pjesë e SPAK-ut. Ata janë vlerësuar nga KLP pas intervistimit të bërë javën e kaluar, ndërsa i pari që kryeson listën është prokurori Altin Dumani. Pas tij, renditja vijon me Anton Martinin dhe Elisabeta Imeraj. Gjithsej, për SPAK janë intervistuar 22 prokurorë, ndërsa nuk ia kanë dalë dot të kalojnë fazën në KLP Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Po ashtu, jashtë listës janë lënë edhe Besim Hajdarmataj, Vladimir Mara, Dritan Prençi, të tre prokuror të Krimeve të Rënda, si edhe Enkeleda Xhengo, Maksim Sota dhe Dorina Bejko. Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimaj është shprehur mbledhjen e djeshme se SPAK do të ngrihet menjëherë sapo një numër i konsiderueshëm nga kandidatët për Prokurorinë e Posaçme, të kalojnë të dyja shkallët e vettingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe atë të Apelimit. “Do të mbetemi në pritje të ecurisë së vetingut dhe kur kandidatët t’i kalojnë të dyja shkallët e vettingut atëherë do t’i emërojmë në detyrë”, tha Ibrahimi. I vetmi prokuror në listën e të përzgjedhurve që ka kaluar të dyja hallkat e vetingut, është prokurori Arben Kraja. Për prokurorët që nuk ja dolën të ishin në listën e 15-të të përzgjedhurve për SPAK, Ibrahimaj u shpreh se ata mund të kandidojnë për të qenë pjesë e personelit të SPAK-ut. “Disa prej kandidatëve që nuk ja dolën të ishin në listë, kanë gabuar me interpretimin e rregullores, dhe këta zonja dhe zotërinj që nuk janë në listë, janë të inkurajuar të konkurrojnë për prokurorinë e posaçme në ranget e tjera për personel të SPAK-ut”, u shpreh kreu i KLP.

Prokurorët që “ngelën” për SPAK

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela nuk ka arritur që të bëhet pjesë e listës me 15 kandidatët që do të kërkojnë një vend në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Emri i Donika Prelës mungonte në listën e lexuar dje nga Gent Ibrahimi, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Edhe ish-drejtuesi i kësaj prokurorie, Besim Hajdarmataj nuk është përfshirë në listën për SPAK. Emra të tjerë “big” në listën e prokurorëve që nuk u kualifikuan për fazën finale të SPAK janë edhe Dritan Prençi me Vladimir Marën, të cilët u s’kualifikuan për të shkak se kishin dorëzuar doje ende nën hetim, ndërkohë që rregullorja përcaktonte se në shqyrtim do të merreshin vetëm dosjet e mbyllura. Fakti që këta prokurorë nuk u bënë pjesë e listës me 15 kandidatë për SPAK, nuk i përjashton ata nga sistemi, por do të vijojnë të jenë prokurorë për sa kohë janë konfirmuar apo do të konfirmohen nga procesi i vetting-ut.

Vlerësimi

Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga KLP për vlerësimin e secilit prej kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Komisioni i Posaçëm ka vlerësuar letrën e motivimit, aktet rreth procedimeve penale të kandidatëve, [dhe] informacionet nga burimet e hapura , përveç dokumenteve të prezantuara nga kandidatët”, tha KLP nëpërmjet një komunikimi me median. “Komisioni i Posaçëm ka vlerësuar kriterin profesional dhe të integritetit të kandidatëve dhe të vendosmërisë së kandidatëve,” shtoi KLP. Raportet e Komisionit të Posaçëm janë dërguar në mënyrë nominale në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku është miratuar lista prej 15 kandidatësh. Në kandidatët e përzgjedhur nga KLP, e cila pretendon se e ka bërë vlerësimin duke u bazuar në kriterin e integritet dhe profesionalizmit, bie në sy prokurori Ened Nakuçi, i cili u cilësua si “joprofesional” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë procesit të rivlerësimit. Edhe pse KPK e konfirmoi Nakuçin në detyrë, ai u referua për procedim disiplinor. Përveç Nakuçit, lista e prokurorëve të përzgjedhur si kandidatë për SPAK përfshin Anton Martinin, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonai, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Elida Kackini, Behar Dibra, Anita Jella dhe Bensik Muçi. Nga lista e kandidatëve për SPAK të konfirmuar nga KPK janë Ended Nakuçi, Arben Kraja, Enkeleda Millionai, Behar Dibra dhe Bensik Muçi. Vendimi për Muçin është ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ndërkohë, theksojmë se SPAK është “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Kjo strukturë përbëhet nga Prokuroria së Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin Byroja Kombëtare e Hetimit në varësi të saj.

15 prokurorët e konfirmuar

Altin Dumani

Anton Martini

Elisabeta Imeraj

Arben Kraja

Manjola Kajana

Enkelejda Millona

Doroleza Musabelliu

Klodian Braho

Ened Nakuçi

Edvin Kondili

Besnik Muçi

Ndini Tavani

Behar Dibra

Elida Kaçini

Anita Jella

7 prokurorët që u s’kualifikuan

Donika Prela

Besim Hajdarmataj

Vladimir Mara

Dritan Prençi

Enkeleda Xhengo

Maksim Sota

Dorina Bejko

U përzgjodh për SPAK, prokurorja Elida Kaçkini del në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar dje seancën dëgjimore për prokuroren e Tiranës Elida Kaçkini. KPK, seancën e djeshme vuri në dukje se pasuria e deklaruar prej saj rezultonin siç ishin deklaruar. Qëndrim të ngjashëm KPK pati sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit. Por trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine, vunë në dukje se nga hetimi ishin gjetur mospërputhje sa i përket një apartamenti të blerë nga bashkëshorti i prokurores para lidhjes së martesës. Kaçkini tha se kishte sjellë dokumente mbi huatë, por në shpjegimet në sallë mbajti qëndrim se ajo nuk kishte përgjegjësi për këtë pasuri të krijuara para martesës dhe bashkëjetesës dhe tha se bashkëshorti i saj do jepte përgjigje për këto çështje, pasi edhe ai vetë do të përballej me vetingun. Bashkëshorti i saj Bezart Kaçkini, i cili është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, ka deklaruar sipas KPK për apartamentin në deklaratën veting çmim 32 mijë euro dhe 38 mijë euro në deklaratën periodike. Nga hetimi KPK i ka rezultuar se kishte probleme për dy huatë që ai kishte marrë për apartamentin dhe mungesë burimesh për kursimet.

Të ardhurat

Gjatë seancës së djeshme, relatorja Çiftja vuri në dukje se babai i gjyqtarit, nuk kishte pasur të ardhura për të dhënë huanë e deklaruar nga i biri. Po ashtu u bë me dije se huadhënësi tjetër, nuk kishte paraqitur dokumente për të vërtetuar të ardhurat. Relatorja tha se vetë gjyqtari Kaçkini nuk kishte pasur burime për të mbuluar shpenzimet në vitin 2010 kur ishte blerë apartamenti. Kaçkini, e cila e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjes dhe më pas në Tiranë, i tha KPK-së se kishte sjellë dokumente në lidhje me huatë dhe me të ardhurat e bashkëshortit. Por në qëndrimin e saj ajo vuri në dukje se nuk mund të mbahej përgjegjëse për këtë pasuri. Ajo tha se mund të përgjigjej për rastet kur ajo kishte pasur mundësi vendimmarrje dhe të shprehte vullnetin e saj dhe jo për veprime që ishin kryer sipas saj para bashkëjetesës. E pyetur nga anëtarja e KPK, Xhensila Pine se ku kishte banuar në vitet 2010 deri në vitin 2012 kur ishte martuar, Kaçkini shpjegoi se ajo dhe bashkëshorti i ardhshëm kishin punuar në zona të ndryshme të vendit. Ajo tha se i shoqi kishte punuar gjyqtar në Tropojë, ndërsa ajo prokurore në Lushnje. Kaçkini tha po ashtu se kishte jetuar në këtë periudhë me prindërit e saj. “Jemi një familje e madhe dhe kemi jetuar bashkë”, tha ajo, duke shpjeguar se bashkëjetesa me të shoqin nuk kishte qenë e mundur në këtë kohë. Ajo shtoi se provë për këtë ishte fakti se shtëpia ishte bërë e banueshme pas vitit 2012, gjë që sipas saj provohej edhe nga faturat e energjisë dhe të ujit. Pjesa tjetër e seancës për Kaçkinin u duk pa probleme. Asaj iu lexuan një sërë denoncimesh, por KPK edhe pse vuri në dukje që i kishte kërkuar shpjegime la të kuptohej se nga këto raste nuk kishte indicie për shkelje proceduriale. Vetë Kaçkini përmendi disa prej denoncimeve duke shpjeguar se qëndrimet e saj si prokurore ishin konfirmuar në gjykatë dhe se nuk kishte pasur njëanshmëri në asnjë prej çështjeve. Ajo këmbënguli se hetimet e saj kishin qenë të plota. Pasuritë e tjera të prokurores ishin dy makina të blera 250 mijë dhe 500 mijë lekë, të cilat sipas KPK ishin të mbuluara nga burime të ligjshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet