Kompensimi i shpejtë, pronarët që ndajnë 148 milionë lekë

Agjencia e Trajtimit të Pronave shpall listën e emrave të pronarëve që do të marrin kompensim jashtë radhe. Përfituesit në Tiranë, Fier, Berat , Gjirokastër e Shkodër. Paratë në llogaritë bankare, me dy këste

Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas shqyrtimit të kërkesave për kompensim të përshpejtuar, i njohur ndryshe si kompensim jashtë radhe, ka çelur fondin me vlerë 148 milionë lekë për 13 pronarë në të gjithë vendin. Sipas dokumentit të firmosur nga drejtoresha e ATP-së, Jonida Baçi, vetëm kësti i parë do të jetë 30,4 milionë lekë.

Aplikimet

Ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 13 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, nga të cilat:

-Për 8 aplikime ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në Kreun IV të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar. -Për 5 aplikime ATP ka vendosur përfundimin e procedurës administrative, pasi kanë rezultuar të jenë jo në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në Kreun IV të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar. Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të këtyre 8 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 148,317,933,44 lekë, nga të cilat 30,407,983,49 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti.

Pagesat e përshpejtuara

Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vitesh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti, pronari merr 20 % të vlerës së faturës; për pagesën brenda tri viteve merr 30 % dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t,u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. Të gjitha subjektet kërkuese, të cilët shprehin vullnetin për t,u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet