Këngëtari shqiptar zbulon përse gazeta malazeze e shpalli të padëshirueshëm në 2005-ën

“Etno Engjujt” ka qenë një nga grupet më të njohura në trojet shqiptare, pasi këngët e tyre kanë qenë mjaft të preferuara nga publiku. Projekti i tyre më i famshëm është kënga “Albanian”, të cilën ata e kanë publikuar gjatë vitit 2005. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë, kjo këngë vazhdon të dëgjohet sot e kësaj dite dhe shumë e cilësojnë si një “himn” të përbashkët të të gjitha trojeve shqiptare.

Asokohe “Albanian” shkaktoi reagime të shumta edhe përtej kufijve dhe ditën e sotme Genc Prelvukaj ka zbuluar se në 2005-ën një media malazeze shkruante kundër tij, duke ndjerë “kërcënimin” nga kënga në fjalë. Këngëtari ka publikuar në “Instagram” një foto të gazetës “DAN”, në të cilën shihet fotoja e Shqipërisë Etnike shoqëruar me titullin: “Përmes këngës deri tek Shqipëria e Madhe”. Genci ka treguar se në gazetë bëhej thirrje për ndalimin e këngës “Albanian” dhe rekomandohej që të ndalohej hyrja e tij në shtetin malazez.

“Viti 2005. Faqja e parë e gazetës malazeze “DAN”. Njëra nga dy gazetat më të lexuara në Mal të Zi. Në atë kohë Ishte organ i opozitës serbe. Artikulli: “Preko pjesme do velike Albanije” ( Përmes këngës deri tek Shqipëria e Madhe). Fotoja në faqen e parë e Shqipërisë natyrale është nga videospoti. Brenda tekstit bëhej thirrje për ndalimin e këngës ‘Albanian’ nga transmetimi dhe shpalljes sime si person i padëshirueshëm. Rekomandohej ndalesa e hyrjes në shtetin malazez.

Brenda artikullit plot urrejtje jepeshin informata edhe mbi shtëpitë tona në Plavë. Me një fjalë, indirekt rekomandoheshin grupet e ekstremit për shkatërrimin e tyre”, ka shkruar Genci në postimin e tij në “Instagram”. Më tej, ai ka ironizuar kolegët e tij këngëtare, duke shtuar se më parë këngët ktheheshin në temë diskutimi përtej trojeve shqiptare, ndërsa sot publikohen me mijëra dhe asnjëra prej tyre nuk mbahet mend më shumë se një vit. /L.R/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet