
Një teknik ashensorësh të firmës që mirëmban pajisjet në Spitalin “Nënë Tereza” u shoqërua sot nga policia, pas ngjarjes së rëndë që u shënua rreth orës 23:30, në katin -1, kur punonjësi shëndetësor K. D., duke transportuar me barrelë V. C., paciente në spital, për shkak të një defekti u bllokuan brenda në ashensor. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses duke bërë të mundur hapjen e ashensorit dhe për t’i nxjerrë nga lart. Punonjësi shëndetësor K. D. dhe pacientja, V. C., janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
QSUT reagoi pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e një nate më parë në QSUT, ku u lënduan një paciente dhe barrelëmbajtësi, duke u shprehur se të gjithë ashensorët janë në sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar, të cilat kryhen periodikisht, ndërsa pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e incidentit.
“Qendra Spitalore Universitare informon se gjatë mbrëmjes së djeshme, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, gjatë transportit të një pacienteje për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike, ka ndodhur një incident në një prej ashensorëve. Pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori, pati lëndime, së bashku me barrelambajtësin, si pasojë e një defekti të ashensorit. Infermieri dhe stafi mjekësor i kanë dhënë menjëherë ndihmën e nevojshme nevojshme pacientes dhe barrelambajtësit. Më pas pacientja u konsultua nga specialistët për këtë lëndim, si dhe vijoi konsultat dhe ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare, diagnozë për të cilën është në mbikqyrjen e ekipit mjekësor. QSUT informon se, të gjithë ashensorët janë në një sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar për shërbimin e mirëmbajtjes, të cilat kryhen periodikisht, sipas kontratës në fuqi. Pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e këtij incidenti”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply