Intervista/ Trauma nga tërmeti, Besnik Vathi: Është goditur imazhi turistik, duhet të ndërhyjë shteti për të stimuluar turistët

Tërmeti i 26 nëntorit ka goditur shumë industrinë e turizmit në Shqipëri. Operatori turistik Besnik Vathi flet për “Shekulli-n”, tregon nga përvoja dhe informimi i tij në lidhje me dëmet e tërmetit dhe masat që duhen marrë për ringritjen e turizmit shqiptar.

Briselda Hoxha

Sipas operatorit turistik Besnik Vathi, duhet të merren masa nga shteti në lidhje me këto dëme kaq të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe gjithashtu ai thotë se duhet të bëhet një certifikim sizmik jo i thjeshtë, por duhet të bëhet certifikim sizmik me standarde ndërkombëtare pasi tregu i huaj ndikon shumë në turizmin shqiptar. Sipas Vathit, nuk kemi vetëm dëme materiale, por është goditur shumë edhe imazhi i turizmit. Operatori thotë se subvencionimi i operatorëve të huaj është shumë i rëndësishem dhe kjo gjë është shumë e nevojshme pasi niveli i turistëve duhet që jo vetëm të mbahet siç ishte, por duhet të rritet. Sa ndikon psikologjikisht tërmeti i 26 nëntorit dhe çfarë duhet të marrin parasysh turistët që ndikohen? Më poshtë mund të lexoni  intervistën e dhënë për “Shekulli-n” nga operatori turistik Besnik Vathi.

Çfarë pësoi turizmi nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit?

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit ishin, jo vetëm në drejtimin fizik, ku u prishën hotele që u rrënuan, disa u kthyen të pabanueshme dhe disa pësuan dëmtime që edhe mund të riparohen. Por, dëm tjetër që solli ky tërmet ishte edhe dëmi moral, pra dëmi i imazhit. Turizmi pas tërmetit nuk është njësoj si turizmi para tërmetit, pasi është futur një faktor i cili ka ndikuar shumë qoftë edhe në vendimmarrje të operatorëve. Unë kam dëgjuar se ka disa operatorë shqiptar që kanë pasur anulime grupesh nga vende te ndryshme dhe origjina të ndryshme drejt Shqipërisë, pra anulime ka, por në cilët përmasa janë e kemi të pamundur ta gjykojmë nga jashtë. Kjo gjë do të duket qartë në fillim të sezonit dhe gjatë sezonit.
Ajo që është më kryesore, është se janë disa efekte që janë të pamatshme. Për shembull, nëse një operator do fillonte për herë të parë këtë vit dhe e anulon, nuk kemi nga e marrim vesh ne nëse ka ndikim tek ai apo jo. Ka efekte të pamatshme gjithashtu edhe tek ata që, nëse për shembull vitin që shkoi kishin më shumë fluturime se këtë vit,  nuk e përcaktojmë dot nëse kjo ndodh nga tërmeti ose jo. Sepse mund të ndodh që ndoshta ka shkaqe të tjera, këtë nuk e përcaktojmë dot nëse është nga tërmeti ose jo. Por, si konsideratë e përgjithshme, si mendim i përgjithshëm, duke pasur eksperiencë edhe nga historiku i ngjarjeve të tilla në vende të tjera të botës, efektet e një tërmeti të tillë janë shumë të mëdha.

Duke qenë se ky tërmet goditi një nga zonat më të forta ekonomike të vendit, çfarë masash janë marrë deri tani për ringritjen e tij?

Në lidhje me masat e marra për tërmetin e 26 nëntorit nuk mund të themi asgjë, sepse këtë gjë nuk e bëjmë ne dhe nuk na takon neve, këto i takojnë shtetit. Ata duhet të raportojnë masat që janë marrë dhe ne më pas mund t’i gjykojmë. Deri tani edhe mund të jenë marrë masa, por tek ne nuk është raportuar. Derisa nuk kemi raportim, nuk mund të themi asgjë në lidhje me këtë. Por mund të themi që Durrës-Golem është destinacioni më i madh në Shqipëri për pritjen e turistëve të huaj për pushime në plazh.

A është bërë certifikimi sizmik i asaj zone?

Për sa i përket certifikimit sizmik, mund të jetë bërë, gjithsesi unë nuk jam në dijeni për gjë. Por unë kam kërkuar nga sizmologët jo thjesht një certifikim sizmik, sepse kjo është e mundshme dhe mund të bëhet, por duke qenë se bëhet fjalë për një treg të huaj, certifikimi duhet bërë nga institucione të specializuara ndërkombëtare që të jenë edhe të besueshme për të përmirësuar imazhin e turizmit. Certifikimi nga të huajt kërkohet, jo se nuk mund të besojmë shqiptarët, por është e domosdoshme sepse hotelet nuk kanë treg Shqipërinë por kanë treg të huaj dhe një treg i huaj kërkon standarde të besueshme, pra të certifikuara ndërkombëtarisht. Kjo gjë do të kishte shumë vlerë të madhe në besueshmërinë për vazhdimin dhe mosanulimin e kontratave për sezonin që vjen.

A do të jetë Durrësi gati për të pritur turistët në sezonin e 2020-ës?

Durrësi është gati të pres turistët. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë turistë. Në Shqipëri kanë ardhur vazhdimisht turistë, sepse zëvendësimi i tregjeve me njëri-tjetrin bëhet edhe në raste pozitive por edhe në raste negative. Ndonjëherë kemi raste që ikin kosovarët dhe bullgarët, por zëvendësohen nga skandinavët që paguajnë më shumë, rezervojnë për periudhë më të gjatë, ose edhe nga polakët. Por, ne kemi interes të mbajnë turistët tanë, sepse kanë të ardhura më të mëdha. Por për të mbajtur këtë nivel, për operatorët e huaj duhet të shikohet mundësia që t’u jepen subvencione, jo vetëm për të mbajtur këtë nivel të turistëve, por edhe për të pasur interes për ta rritur atë. Rruga më e sigurt dhe më e nevojshme në këtë rast do të ishte subvencionimi i Tour-Operatorëve të huaj me qëllimin e vetëm që të  mbajnë dhe të rrisin numrin e turistëve.
Për shembull, sot, askush nuk rrezikon që të çoj turistë në Kinë, madje nëse dikush ka planifikuar, tashmë duhet të jetë anuluar. Por nesër nëse zona do të jetë e sigurt dhe e garantuar, Kina do të ndërhyjë për të çuar sërish nivelin e turistëve siç ishte. Pra, në situata të tilla, pas fatkeqësive, duhet të ndërhyjë patjetër shteti për të stimuluar ardhjet e turistëve të huaj, kjo është gjëja kryesore.

Si mendoni, a do të ndikojë psikologjikisht tek turistët situata pas tërmetit?

Po, ndikon shumë psikologjikisht tek turistët, si tek ato shqiptar, ashtu edhe tek të huajt. Njerëzit asnjëherë nuk e ndajnë dot destinacionin e rënies së tërmetit nga i gjithë vendi. Ka pasur raste nga Shqipëria që ndodhi një tërmet në Turqi shumë larg me Stambollin, pra nuk kishte fare pse të ndikonte tek Stambolli, edhe pavarësisht kësaj, ka ndodhur që shqiptarët kanë anuluar udhëtimet e tyre dhe nuk kanë shkuar në Turqi sepse ishin me idenë që ka rënë tërmet. Pra, njerëzit nuk e ndajnë dot. E njëjta gjë është edhe me të huajt që vijnë në Shqipëri, nuk mund ta ndajnë dot ku, si dhe pse ndodhi? E vetmja gjë dhe kryesorja që duhet të bëjnë ata, është se duhet të dëgjojnë masat që merren. Kur themi masat, nuk themi që ata duhet të dëgjojnë ministrin të dalë të thotë ejani se nuk ka asgjë, por të merren masa që i bindin turistët që vërtetë nuk ka rrezik dhe që turizmi në Shqipëri do vazhdojë si gjithmonë pavarësisht datës së 26 nëntorit.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet