Gjon Radovani: Unë në rolin e Sait Borishit, viktimës së komunizmit (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Anila Dedaj

Radovani flet për projektin “Kujtesë për të shëruar dhe parandaluar”. Ideja lindi nga nevoja jetike për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë filtër dhe pa tentuar të jemi “politikisht korrekt”.  Ai flet për raportin e popullit shqiptar me të vërtetën mbi krimeve të komunizmit.

Hedhja dritë mbi faktet e krimeve të diktaturës është një domosdoshmëri. Për hir të vërtetës dhe kujtesës historike Gjon Radovani, që është njëkohësisht këshilltar dhe koordinator për PNUD-in një projekt të quajtur “Kujtesë për të shëruar dhe parandaluar” ideoi “MEMO”. Një projekt i pavarur që ka për synim të komunikojë drejtpërsëdrejti me publikun për të pasur një sensibilizim më të shpejtë. Edhe pse ishte menduar që videot e shkurtra me ngjarjet rrëqethëse që pasqyrojnë krimet e komunizmit të ishin rreth 15, Radovani rrëfen për “Shekullin” se personalitet që kërkojnë t’i bashkohen kësaj kauze janë të shumtë. “Është shumë emocionuese dhe shpresëdhënëse reaksioni pozitiv i shoqërisë shqiptare dhe i komunitetit ndërkombëtar për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative, që në themel të saj ka tabunë e së vërtetës”, shprehet Radovani.

Zoti Radovani, si lindi ideja për të realizuar projektin “MEMO”?

Që nga dhjetori i vitit 2017 unë mbuloj si këshilltar dhe koordinator për PNUD-in një projekt të quajtur “Kujtesë për të shëruar dhe parandaluar”. Në kuadër të këtij projekti u identifikua nevoja jetike për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë filtër dhe pa tentuar të jemi “politikisht korrekt”. Një grup i vogël, bashkëpunëtorë në programin e lartpërmendur, që mendoj se fillimisht i bashkoi profesionaliteti, efikasiteti në punë dhe dashuria për të vërtetën lakuriqe, thuri idenë e krijimit të një projekti të pavarur, që do të tentonte të komunikonte direkt me publikun për një sensibilizim më të shpejtë të tij në trajtimin e së kaluarës historike. Ky grup fillimisht përbëhej nga Ema Andrea, Agron Tufa dhe i nënshkruari, ndërsa menjëherë më pas ju bashkuan edhe Ervin Kotori, Elvana Zaimi dhe Ardita Repishti.

Pse u quajt “MEMO”?

Projekti në fjalë, ai i videove të shkurtra, në të vërtetë quhet “i përkasim njëri tjetrit”, që është një abstrakt nga një shprehje e Shën Terezës, por meqë shoqata që kemi themeluar për të mbështetur këto projekte quhet MEMO, shumë preferojnë ta quajnë MEMO edhe këtë projekt, i cili është vetëm i pari i një serie të gjatë të aktiviteteve që do ndërmarrë kjo shoqatë. Me sa duket edhe emri i shoqatës ka qenë një përzgjedhje e lumtur nga ana jonë.

E quajtëm MEMO, sepse: a) asocion menjëherë me memorien, temë që ne për momentin po trajtojmë; b) memo do të thotë edhe raport i shkurtër i një ndodhie, ngjarjeje, eventi. Duke qenë se ne nuk pretendojmë të bëjmë historianët dhe të flasim si të tillë, ne do të ishim të lumtur nëse do të mund të bënim një memo të historisë për t´ja servirur publikut; dhe c) e quajtëm MEMO, sepse është një fjalë lehtësisht e shqiptueshme në të gjitha gjuhët, lehtësisht e kujtueshme dhe e njohur edhe për publikun shqiptar.

Sipas jush, pse ajo që dihet rreth të vërtetave historike në lidhje me krimet e diktaturës është e zbehtë?

Informacioni që i është ofruar publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar mbi të vërtetën historike në lidhje me krimet e diktaturës është jo vetëm i zbehtë, por edhe tepër pjesor. Kjo ka një arsye krejt të qartë dhe me fakte të shpjegueshme: Është rruga tërësisht e gabuar, që ka marrë, i është servirur ose i është toleruar popullit shqiptar në shtetformimin e tij në tranzicion nga diktatura në demokraci. Skema famëkeqe të njohura dhe të mbetura në tentativë në shumë vende të Europës Lindore, si ajo e Katovicës, në Shqipëri jo vetëm që u duruan nga populli shqiptar, por u toleruan edhe nga diplomacia ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë u hesht mbi pothuajse gjithçka të keqe dhe të dënueshme, duke tronditur në themel raportin e këtij populli me të vërtetën dhe me të drejtën. Për masat apolitike të tifozerive para-politike u krijuan disa “ventila shfrimi” artificial, të cilat nuk mund të kishin asnjë efekt pozitiv as në shtetformim dhe as në ligjbërje. Konsekuencat logjike ishin zhdukja ose fshehja për aq sa ishte e mundur e fakteve, riciklimi i krimeve të diktaturës dhe hapja e perspektivave të reja për krime aplikueshme në sisteme në tranzicion. Hapi i radhës logjik ishte dhunimi në themel i pronës private dhe publike, ndërtimi i modeleve të suksesit vetëm në bazë të lidhjeve me skuderitë para-politike, injorimi total i dinjitetit, i dijes dhe eksperiencës njerëzore, duke lartësuar si mekanizëm të vetëm zhvillimi, mekanizmin e korrupsionit.

Në këto kushte, interesi për të vërtetën historike, për mungesë mundësie reale ose minimizohet ose materializohet vetëm në veprime sporadike dhe të pakoordinuara, duke u kthyer pothuajse në hobby individual të personave, që nga masa e eksituar në kërkim të pasurimit të shpejtë, konsiderohen demodè. Skuderitë para-politike pseudo të majta dhe pseudo të djathta në këtë pikë kanë qenë gjithmonë në dakortësi të plotë. Në sloganet, që është më korrekte të quhen tabelat e emulacionit të tyre, njëra palë predikon antikomunizmin, ndërsa pala tjetër bën sikur është mëngjarashe, por asnjëra prej tyre nuk tenton të lexojë të vërtetën ashtu siç ka qënë dhe siç është. Fakti që Autoriteti për Informim të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit është krijuar në vitin 2017, pra 27 vjet pas rënies formale të diktaturës, tregon qartë se e gjithë klasa para-politike e dekadave postdiktatoriale ka qenë pjesë e fshehjes së fakteve të krimit, veprim i dënueshëm nga çdo kod penal botëror.

Të jesh dikush tjetër, dikush që nuk mund ta rrëfejë vetë atë që ka ndodhur… Si përzgjidhen personazhet që bëhen në një farë mënyre “zëri” i ngjarjes?

Në fillimin e nismës kishim planifikuar të bënim rreth 10-15 histori dhe për këtë përzgjodhëm edhe folësit, që ne na u duken se mund të përfaqësonin mirë klasën e tyre shoqërore. Personazhet duhet të ishin me integritet të padiskutueshëm, të kishin një farë statusi profesional apo shoqëror, të ishin dashamirës ndaj të vërtetës dhe mundësisht tërësia e tyre të mbulonte një spektër sa më të gjerë të shoqërisë shqiptare. Nuk ishte e thënë që të kishin përjetuar nga afër dhimbje të tilla. Synimi ishte, që nga pozicione krejt të tjera, thuajse komode, të futeshin në “lëkurën e viktimës”.

Me sa u vërtetua që në ditët e para, llogaritë tona kishin qenë për fat të gabuara. Reaksioni që këto video patën që në ditën e parë na vuri përpara një sfide të paparashikuar. Dhjetëra personalitete kërkuan t’i bashkohen kauzës duke u shndërruar për 60 sekonda në viktima treguese. Deri tani kemi bërë rreth 60 video, por kemi një listë prej qindra personalitetesh dhe qytetarësh të thjeshtë, që duan të marrin pjesë aktive në këtë nismë. Është shumë emocionuese dhe shpresëdhënëse reaksioni pozitiv i shoqërisë shqiptare dhe i komunitetit ndërkombëtar për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative, që në themel të saj ka tabunë e së vërtetës.

Po përzgjedhja e historive si bëhet?

Përzgjedhjen e historive ja kemi besuar totalisht shkrimtarit Agron Tufa, i cili punon me dekada në evidentimin e të mbijetuarve, në mbledhjen e dëshmive, në redaktimin e tyre, dhe në shkrimin e dhjetëra romaneve me temën e të kaluarës diktatoriale në Shqipëri. Ai bën jo vetëm përzgjedhjen e historive, por edhe rikonceptimin e tyre në formatin artistik të kërkuar nga ne. Produkti i tij final i nënshtrohet në fund redaktimit që bën drejtoresha artistike e MEMO, Ema Andrea. Në serinë e parë të videove janë përzgjedhë edhe dy histori të konceptuara nga prof. Ardian Ndreca dhe nga Ema Ndoja.

Përse është menduar një koncept artistik i thjeshtë, me pak elementë?

Pas konceptit artistik të përzgjedhur qëndron një filozofi e tërë jete, arti dhe komunikimi. Motoja e mirëpërkufizuar e racionalizimit nga Ludëig Mies van der Rohe “Less is more” – “Më pak është më shumë”, ka shoqëruar procesin e finalizimit të formatit nga zanafilla e tij. Elementët e përdorur janë minimumi i domosdoshëm për të transmetuar historitë dhe për të bërë paspartunë artistike të veprës. Elementi i parë është sfondi i zi ku personazhi shfaqet gradualisht nga errësira në monokrom si shenjë e një të kaluare historike jo domosdoshmërisht të lumtur. Elementi i dytë është ai i kromatizimit gradual (marrjes ngjyrë) të personazhit si shenjë e prezencës në aktualitet dhe aftësisë së shikuesit për të analizuar me detaje ngjarjen e treguar.

Elementi i tretë dhe që ishte më i vështiri për t’u realizuar, ishte qëndrimi sa më i “ftohtë” i folësit në raport me ngjarjen. Të gjithë personazhet pa përjashtim i janë nënshtruar përsëritjes së dublave, sepse kërkesa e drejtoreshës artistike ishte jo aktrim, pornarracion dhe shumë pak emocion, gjë që e bënte realisht të vështirë realizimin. Në plan të parë duhet të dilte historia, ngjarja dhe jo aftësia aktruese e personazhit folës. Elementi i katërt ishte emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre traumave njerëzore, që në e zgjidhëm me ndihmën e shenjtores shqiptare Shën Tereza të Kalkutës. Shprehja e saj përmbyllëse e videos, besoj se jep kuintesencën e arsyes bazë të ushtrimit të dhunës. Elementi i pestë dhe i fundit ishte minutazhi i shkurtër. Komprimimi i një jetë në 60 deri në 100 sekonda është profesionalisht një sfidë e jashtëzakonshme, por kjo bën të mundur të jesh pjesë e komunikimit të mediave kontemporave dhe të gjeneratave të sotme. 

Dënime me vdekje, burgosje të gjata, dëbime edhe të familjarëve, asimilimi i fesë… Si ka mundësi që ende sot jo rrallë justifikohen krimet e diktaturës, madje një pakicë i thur edhe lavde atij sistemi?

Ideologjizimi i masave në sisteme diktatoriale ka qenë një fenomen shkatërrues i njerëzimit në shekullin e kaluar. Viktimat e luftës së dytë botërore dhe ato të periudhës së luftës së ftohtë kanë treguar se njeriu është i aftë në gjenialitetin e tij të kryejë edhe krimet më monstruoze të mendueshme. Kjo ndodh kur Zoti zëvendësohet nga idhujt dhe kur dashuria zëvendësohet nga dhuna si mjet komunikimi dhe si alternativë për zgjidhjen e problemeve. Besoj se Europa ka përpunuar mjaft mirë këto tragjedi dhe ka nxjerrë mësime nga gabimet e të kaluarës. Në Shqipëri akoma nuk mund të pretendohet një gjë e tillë, meqë përpunimi sistematik i të shkuarës historike është tepër i vobektë, ky si në aspektin historik ashtu edhe në ato social dhe juridik. Hapi i parë dhe i domosdoshëm për trajtimin e temës është hedhja dritë mbi faktet e krimeve të diktaturës.

Këtu dëshmitarët janë “lënë të vdesin”, pa i marrë dëshmitë, dokumentet pjesërisht janë prishur dhe zhdukur, me dhe pa vendime zyrtare dhe strukturat e ngarkuara me këtë mision janë të keqpaisura si me personel ashtu edhe me mjete financiare. Nuk është aspak e çuditshme që ekzistojnë edhe persona që do të lavdërojne diktaturën, burgun, përdhunimin dhe vrasjen. Ashtu siç do të ekzistojnë gjithmonë edhe hajdutët dhe grabitësit.

Kjo është natyra njerëzore. E rëndësishme është që opinionit publik ti vihen në dispozicion faktet e vërteta në mënyrë që ajo pjesë e popullsisë që nuk glorifikon për natyrë dhunën, të mos zhgënjehet nga fakte të rreme. Pastaj nëse ndokush për arsye moshe, eksperience personale në raport me shoqërinë, për arsye të realizimit të tij personal etj. Do vazhdojë të mendojë se meqë teorikisht një 20-vjeçar është më mirë se një 80-vjeçar, atëherë edhe ai sistem ku 20-vjeçari ka jetuar duhet të jetë më i mirë se sistemi ku jeton 80-vjeçari, ky është një këndvështrim krejt subjektiv dhe analizë personale që del jashtë çdo interesi publik.

Jeni shprehur se vdekja e dytë e viktimave të komunizmit është harresa. Çfarë mendoni se do të ndryshojë ky projekt në këtë këndvështrim?

“Vdekja e dytë” është një nocion biblik dhe nënkupton vdekjen definitive të personit pas gjykimit nga Zoti dhe dënimin e tij në ferr. Kjo do të thotë, që figurativisht ose jo (varen nga këndvështrimi), “vdekja përfundimtare” ndodh me harresën. Kjo tezë është e vlefshme jo vetëm për viktimat e diktaturës, por edhe për çdo të dashur që ka ndërruar jetë. Nëse shoqëria shqiptare pretendon të bëhet një shoqëri moderne europiane, nuk mund t´ja lejojë vetes të “dënojë me vdekje” për së dyti viktimat e diktaturës. Mendoj dhe për këtë kam fakte reale, që nisma jonë në këto gjashtë javë ka dhënë një kontribut shumë të madh në këtë aspekt. Rezonanca tek të rinjtë, prindërit, shtresat intelektuale, të artit, të shkencës, të diplomacisë ka qenë kaq e madhe, saqë e kam të pamundur të mendoj se gjithçka do të shuhet pa patur disa hapa të tjera shumë konstruktiv në drejtim të ballafaqimit me historinë dhe me ndërgjegjen.

 “MEMO” ju bën juve zërin që rrëfen historinë tragjike të një prej viktimave të Sait Borishit. Pse u ndalët tek kjo histori? Ç’mund të na thoni diçka më tepër rreth saj?

Në nismën tonë edhe pse jemi shumë pak persona, rolet dhe detyrat janë të ndara mjaft mirë dhe kemi një logjistikë eficente, që na ka lejuar të kemi një produktivitet të lartë në kohë të shkurtër pa cenuar kualitetin e produktit. Për konsekuencë “rolet” shpërndahen nga drejtuesja artistike, e cila gjykon se cilit personalitet i shkon cila histori. Vetëm në disa raste tepër të radha na është dashur të ndryshojmë historinë, për të plotësuar dëshirat e personazhit që do e lexonte atë. Unë jam njohur me historinë e jetës së zotit Sait Borishit nëpërmjet shkrimtarit “tonë” Agron Tufa dhe do të këshilloja këdo që është i interesuar të thellohet në jetën dhe tragjedinë e tij, të lexojë librat e rekomanduar nga zoti Tufa.

Në faqet tona në internet janë të gjitha referencat e historive të përpunuara nga shkrimtari. Natyrisht është e pamundur të trajtosh ftohtë histori të tilla, prandaj edhe lidhja e lexuesit me personazhin në letër është e paevitueshme, por qëllimi kryesor i nismës sonë, nuk është ai i personalizimit të tragjedive, përkundrazi mesazhi ynë është që asnjë padrejtësi dhe tragjedi njerëzore nuk është më e rëndësishme ose më e parëndësishme se tjetra, pavarësisht nga mosha apo statusi social dhe intelektual i viktimës.

Nëse flasim për tendencën për ta ç’bërë atë që ka ndodhur në sistemin komunist, rasti I afërt që bëri jo pak bujë ishte kampi i Tepelenës. Çfarë po ndodh aktualisht me atë projekt? U fol për mistifikim të ngjarjeve në atë Kamp, por cila është e vërteta sipas jush?

Do të doja më gjithë forcën e mendjes dhe të shpirtit, që jo vetëm Kampi i Tepelenës, por as ai i Savres, i Porto Palermos, i Gradishtit, burgu i Spaçit, i Burrelit, i Maliqit e dhjetëra e dhjetëra të tjerë të mos kishin ekzistuar kurrë dhe mohuesit e kësaj historie të dhimbshme të kishin të drejtë. Kjo në radhë të parë për të gjithë ato fëmijë, gra e burra, klerikë e personalitete të shkencës dhe të artit, që humbën jetën dhe që u masakruan pa asnjë arsye racionale. Në radhë të dytë për Shqipërinë, sepse do kish qenë një vend shumë më i mirë seç është tani. Për një kulturë qytetare që është zhdukur më një të rënë të dorës dhe është zëvendësuar nga një dhunë e masave dhe e forcës fizike.

Në radhë të tretë edhe për vetë mohuesit e krimeve, sepse po të mos kish ndodhur një apokalips i tillë, jam i bindur se edhe ato vetë do të ishin me të mirë dhe më të vlefshëm për shoqërinë. Mjerisht faktet flasin të kundërtën. Mjaftojnë 60 sekonda nga videot e nismës sonë për të mbydhur çdo diskutim mbi këtë temë.

Projekti i transformimit të kampit të Tepelenës në “Muzeun e Punës së Detyruar” vazhdon me ritme relativisht të pranueshme. Si fillim do të ndërtohet në qendër të kompleksit një memorial për fëmijët që humbën jetën në atë kamp, për të vazhduar pastaj me hapat e tjerë për muzealizimin e gjithë kompleksit. MEMO është e përfshirë në këtë projekt dhe ka si një prej objektivave kryesor të saj dhënien e ndihmës për ndërtimin e këtij muzeu, fillimisht nëpërmjet mbledhjes së  dëshmive të mbijetuarve.

Jeni shprehur se Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme evropiane pa u përballur me të shkuarën e saj, veçanërisht me atë pjesë të errët që është më pak e njohur. Çfarë iniciativash të tjera nevojiten, qoftë edhe sociale që ky mision apo detyrim ndaj të vërtetës historike të përmbushet sipas këndvështrimit tuaj?

Shqipëria e ka relativisht të qartë përkatësinë europiane të saj, por bërja pjesë në familjen europiane me të gjitha të drejtat dhe detyrimet si anëtare e barabartë me të tjerët është një proces që nuk përmbyllet vetëm duke vërtetuar përkatësinë gjeografike apo duke plotësuar disa kërkesa juridike dhe ekonomike. Bazë për përfshirjen e një anëtari me të drejta të plota në një familje është përqafimi ose jo i disa normave dhe kodeve morale të gjithpranuara. Këto norma dhe kode morale duhet të mishërohen dhe nuk mjafton të shkruhen diku si të tilla për të mos u zbatuar dhe respektuar kurrë.

Kështu për shembull dënimi pa asnjë ekuivok i krimeve të sistemeve totalitare diktatoriale të çdo ngjyre dhe tonaliteti është një princip i padiskutueshëm. Dënimi moral i bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit dhe heqja e të drejtës së tyre të “shesin” akoma moral nga pozicione publike dhe ato me efekt edukativ, do të ishte një hap tepër pozitiv në ecurinë e Shqipërisë drejt Europës.

Rishkrimi i historisë, duke e bazuar atë në të vërtetën reale pa asnjë tifozllëk apo preferencë klanore ose ideologjike është një domosdoshmëri për të vërtetuar nivelin zhvillimit të një shoqërie. Ndërtimi i një platforme transparente dhe moderne për përpunimin e të kaluarës do të ndihmonte rritjen shpirtërore të shoqërisë shqiptare, dhe sigurisht do të shtonte probabilitetin e integrimit më të shpejtë në familjen europiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet