Gjendet në Alaska letra e futur në shishe 50 vite më parë, ishte shkruar nga një rus (Foto)

Një shishe me një letër të shkruar 50 vite më parë nga një ushtarak rus është gjetur në brigjet e Alaskës Perëndimore.

Shishja që përmbante një letër të shkruar me shkrim dore në rusisht u gjet nga Tyler Ivanoff në fillim të muajit, ndërsa po mblidhte dru zjarri afër Shishmaref, 966 kilometra në Veriperëndim të Anchorage.

“Isha thjesht duke mbledhur dru dhe vura re një shishe jeshile me tapë. Jo saktësisht tapë, por një kapak i mbyllur fort dhe vura re që kishte një shënim në shishe”, tha Ivanoff.

Duke qenë se Tyler Ivanoff nuk mund të lexonte rusisht, vendosi që përmbajtjen e letrës ta postonte në rrjetet sociale dhe me anë të miqve ai arriti të zbulonte se letra është shkruar më 20 qershor 1969 nga një oficer rus Anatoly Botsanenko.

Ndërkohë kanali shtetëror televiziv i Rusisë, “Russia-1”, ka kontaktuar personin që e ka shkruar letrën, Botsanenko.

Ai në fillim ka qenë në dyshim se kjo letër është e atij por pasi ka parë shkrimin e ka besuar.

“Duket se është shkrimi im” tha ai.

Botsanenko në kohën kur e ka shkruar letrën ka qenë 36 vjeçar dhe ka punuar në anijen e quajtur Sulak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet