
Ndërsa afrohet 10 maji, dita kur do nisë “Eurovision”, përfaqësuesja e Shqipërisë Ronela Hajati, është bërë objekt ndëshkim dhe polemikash, pas provave zyrtare ku artistja shqiptare ishte gjithashtu e para. Fotot dhe videot e postuara në rrjetet sociale pasditen e djeshme morën mjaft vëmendje. Mirëpo, galeria me fotot e Ronelës u fshi nga faqja zyrtare e festivalit dhe më pas u ripostua pa njërën prej tyre. Veprim që është shoqëruar me shumë pikëpyetje nga fansat në rrjete sociale.
“Duke qenë se Ronela Hajati çeli provat, fotografitë e saj ishin të parat që u shfaqën të shtunën në mesditë duke marrë vëmendjen kudo, në Twitter dhe Instagram. Konkretisht, fotoja kryesore (e publikuar në krye të postimit), shfaqte Ronelën me katër balerinët e saj me duart duke lëvizur gjatë performancës drejt pjesës së poshtme të trupit,” shkruan @eurovisionalbania në Instagram, një faqe dedikuar festivalit. “Mesditën e së dielës galeria e fotove të Ronelës u hoq nga llogaria zyrtare e Eurovizionit në Instagram. Më pas u ripostua, por pa foton e parë. Nuk është dhënë asnjë shpjegim dhe Shqipëria ishte i vetmi vend të cilit iu hoq postimi dhe u rihodh më vonë.”
Me anë të një e-maili, nga organizatorët është kërkuar që të hiqet nga performanca pjesa kur Hajati prek me dorë pjesën e saj intime, me pretendimin se skena është “+18” dhe nuk i shkon përshtat natyrës së garës. Po ashtu, shumë diskutime ka hapur dhe e gjithë koreografia që në fakt flet për një dashuri mes dy vajzave, ku Hajati performon me Klaudia Pepën. “Inskenimi i Eurovision ishte ideja ime. Nuk jam e sigurt që të gjithë do ta marrin mesazhin. Por mesazhi është, të gjithë mund të duan kë të duan – dhe nëse vendos ta mbajë sekret, është e drejta e tyre ta bëjnë këtë. Kështu që…,“-tha Ronela Hajati në prapaskena për performancën e saj në skenë.
Por deri më tani nuk ka komentuar nëse do të pranojë apo jo kërkesën për të hequr nga koregrafia pjesën tjetër. Mirëpo të gjithë admiruesit e saj kanë “shpërthyer” në Twitter, duke kërkuar që Eurovisioni të tërheqë pas kërkesën.
“Nëse EBU konsideron se ky imazh është ‘shumë provokues’, mendoj se është detyra jonë të mbushim rrjetet me të, pasi delegacioni prej tre muajsh po punon për një koreografi që është kërkuar të ndryshohet një javë pas provave,”-shkruan një prej tyre. Ndërsa të tjerë dërgojnë foton provokuese në të gjitha rrjetet sociale të Eurovisionit.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply