
Arben Rrozhani
Aktorja Eva Alikaj u shpreh e zemëruar se nuk i japin role në teatër, spektakle dhe seriale, edhe pse mbi shpinë ka famën e Elsës së komedisë “Pallati 176” dhe disa role të tjerë në filmat e viteve ’80. Sulmoi Teatrin Kombëtar se nuk i jep role, edhe pse merr rrogën si aktore prej se është kthyer nga Austria, sulmoi Vera Grabockën se nuk e mori si VIP te një show dhe Ermal Mamaqin se nuk e bëri pjesë të një seriali televiziv.
Eva/Elsa nuk është në rolin e duhur, kur ankohet në ekra tre dekada pasi gjithçka është kthyer përmbys, edhe arti dhe kultura. Aq më shumë ajo dhe qindra mijëra si ajo që ikën nga vendi për të shikuar mirëqenien e tyre materiale, kur shqiptarët (përfshirë edhe kolegët e saj) kaluan sprova mbijetese për një jetë normale njerëzore në Shqipërinë ende në tranzicion.
Kuptohet e tashmja e aktores së famshme dikur, sot në dekadën e gjashtë të jetës. Ka gjetur vendlindjen për të kaluar dhe mbushur atë pjesë të jetës, kur është hedhur pas krahëve mospasja e të mirave materiale, kur nuk të josh më qenia e Vjenës si qyteti më i mirë në botë për të jetuar, kur ke rritur fëmijën dhe të vret boshllëku në shtëpi, që nuk e mbush pasja e të mirave materiale. Është një sfidë për të gjithë prindërit që rritin dhe nxjerrin në jetë fëmijët që tani e mbrapa shikojnë jetën e tyre.
Ajo nuk ka të drejtë të ankohet se merr rrogën, por jo role në Teatrin Kombëtar. Por, prej 17 majit 2020 Shqipëria nuk ka as godinë të Teatrit Kombëtar, sepse qeveria&bashkia e shkrinë me rruspa dhe qindra policë për t’i hapur vendin projektit korruptiv të kullave në qendër të Tiranës. Nuk ka as rekuizitë, as kostumografi, as fotografi, sepse ato u ngarkuan si plehra dhe u çuan në Sharrë. Aktorët janë shpërndarë si zogjtë e korbit. Ata të Teatrit Eksperimental bëjnë teatrin shëtitës nëpër rrethe, ata të Teatrit Kombëtar nuk bëjnë asgjë, edhe pse, ata, ashtu siç thotë Eva, marrin rrogën dhe kanë si godinë një mjedis të përshtatur magazine afër Liqenit Artificial, sepse qeveria ia arriti që artistët t’i shndërronte në rrogëtarë, pa nerv artisti dhe aktivisti.
Eva nuk duhet të mërzitet as me Verën dhe as me Ermalin që nuk e marrin te projektet e tyre. E para se nuk e nderojnë dhe e dyta se ata janë privatë dhe vendosin vetë.
Vera, në të 70-at, është regjisore në ato “dating show”-t e turpit ku një i ri provon 20 femra dhe e anasjellta, për të dalë çift, apo mbledh ca “VIP”-a për të shtuar audiencën, por jo për ndonjë vlerë më shumë për artin dhe kulturën në vend.
Ashtu edhe aktori ynë i humorit që futi në kast edhe kryeministrin e vendit, edhe këngëtaret e tallavasë dhe disa prej të mbeturve nga lavdia e dikurshme e skenës dhe ekranit shqiptar. Mbledh paratë nga sponsorët duke future gjoja si rastësisht emrat e kompanive, fut edhe të parin e qeverisë për të bërë skemën edhe më fitimprurëse, shton edhe femrat e skenës dhe të show-bizz për të joshur adhuruesit e turbo-folkut ballkanas dhe nxjerr “pjatën” fituese të artit që po zëvendëson filmin artistik dhe teatrin e vërtetë, pas të cilit Eva është kapur edhe pas 3 dekadash dhe, gabimisht kujton se do ta ngrejë sërish lart, si Elsën dikur. Por jo. Ajo kohë ka ikur pa kthim, bashkë me artin dhe kulturën e vërtetë. Kuptojë këtë, Elsaaaaaa!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply