‘E akuzuara për diploma false dhe plagjiaturë, shefe e inspektimit të 240 shkollave’

Ish-zv.ministri, Taulant Muka kundër urdhrit të ministres së Arsimit, Besa Shahini për ekipin dhe drejtuesen e tij, Ejona Isufaj, e akuzuar nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion se ka përfituar, nga Universiteti “Vitrina”, 800 – 1500 euro në çdo muaj dhe që mori doktoraturë false nga kompania IREIRE. Mësuesit: Nuk do ta lejojmë, cenon rëndë figurën tonë

Enida Vërça

Deklarata e ministres së Arsimit, Besa Shahini për inspektimin e 240 shkollave të vendit, duke nisur prej 9 shtatorit, ka ngjallur reagime dhe është parë si një kërcënim ndaj figurës së mësuesit. Ish-zv/ministri i Arsimit të Lartë, Taulant Muka thotë për “Shekulli”-n se shefja e cila është vendosur për të kryer këtë inspektimi është një emër i njohur, pasi ka mashtruar për shkollimin e saj dhe më pas e ka pranuar publikisht këtë gjë. ” Besa Shahini propagandon për “inspektim” të mësuesve dhe shkollave. Ministrja Shahini jo vetëm që ka thyer çdo normë etike dhe profesionale, por duhet të na jap të gjithëve përgjigje se si është e mundur shefja e inspektimit në Ministrinë e Arsimit Ejona Isufaj, që ka pranuar publikisht për diplomën diplome false dhe është akuzuar disa herë për diploma të tjera false, të bëjë inspektimin e figurës më të rëndësishme të një kombi, mësuesit?! Si mundet institucionet e dijes dhe mësuesit të inspektohen nga persona pa diplomë dhe integritet profesional? Mësuesit duhet ta refuzojnë këtë inspektim, ngrenë zërin dhe të mos frikësohen”, thotë Muka. Në fjalën e tij, eksperti i arsimit thotë se qasja e Ministres se Arsimit ka disa probleme dhe kurrsesi nuk duhet që figura e mësuesit të tolerojë veprime të tilla. ” E para, pse duhet Ministrja një proces normal të inspektimit ta trumbetojë si një ngjarje të madhe në rrjetet sociale? Ministrja duhet te ketë aq formim sa të dijë që rrjetet sociale nuk janë mjete të komunikimit zyrtar, dhe se institucionet arsimore për çdo aktivitet njoftohen përmes email-it, dërgimit të udhëzimeve përmes postës apo formave të tjera të komunikimit zyrtar”, thotë ai.

Komunikimi

Një tjetër pikë në të cilën ndalet ish-zv/ministri është edhe mënyra se ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka zgjedhur të komunikojë një nismë të tillë, duke e konsideruar si një tallje ndaj arsimtarëve. “Ku ka parë Besa Shahini t’ju drejtohet ministrja e arsimit mësuesve në facebook? Është tallje më figurën e mësuesit, por edhe shembull negativ që drejtuesi i tempullit të dijes i jep gjithë shoqërisë!”, nënvizon ai. Më tej ndalet edhe te koha në të cilën ka zgjedhur ministria e Arsimit për të kryer inspektimin e këtyre shkollave dhe mësuesve. Sipas tij, çdo gjë duhej bërë më herët dhe tani në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, nuk është momenti për të krijuar situata të cilat krijojnë panik dhe problem në zhvillimin e procesit mësimor. “Pse duhet inspektimi të ndodhë pak ditë nga fillimi i shkollës dhe jo më parë? Kjo do mundësonte që çdo problematikë që do evidentohej të zgjidhej përpara fillimit të procesit arsimor “, sqaron ai.

Propaganda

Muka thotë për gazetën ‘Shekulli’ se deri më tani dikasteri i ministrisë ka bërë propagandë në çdo nismë që ka ndërmarrë dhe nuk ka asnjë të dhënë nga rezultatet e punëve që janë kryer. “Vendi ynë po përballet me një propagandë 24-orëshe. Pashë videon e ministres ta shpërndanin shumica e mediave, pa kërkuar informacion nga ministrja mbi ketë proces, dhe pa shtruar problematikat që lidhen me këtë papërgjegjshmëri të veprimit të ministres. Media duhet të jetë përkrah mësuesve, dhe ti mbështesë pa kompromise, dhe jo të bëhet pjesë e propagandës qeveritare që tenton të frikësojë institucionet e dijes dhe të promovojë një realitet virtual, shumë i ndryshëm nga ai faktik”, thotë ai. Sipas ish-zv/ministrit, mësuesit, media dhe shoqëria duhet të vendosi para përgjegjësisë ministren Shahini, duke i kërkuar përgjigje nëse ajo së bashku me stafin e saj pranojnë si fillimin e inspektimit ndaj tyre dhe më pas ndaj figuravës së mësuesit.

Inspektimi

Por çfarë do të përmbajë inspektimi i 240 shkollave në rang vendi dhe si do të kryhet ai? Si fillim, inspektimi do të behët në mënyrë të rastësishme në një nga shkollat e arsimit parauniversitar, i mesëm apo bazë. Inspektimi i dikasterit të ministrisë do të ndalet në klasat e këtyre shkollave. Nëse është bërë përgatitja e duhur për të pritur nxënësit. Vëzhgimet do të ndalen bankat e shkollës, karriget, dërrasa e zezë, dyert, dritaret, nëse janë në kushte për të nisur vitin e ri shkollor. Po ashtu edhe në materialet që u duhen nxënësve për të kryer procesin mësimor, si laboratorët, për lëndët e ndryshme, hartat apo edhe pajisje të tjera të cilat ndihmojnë në realizmin e orëve mësimore. Shpërndarja e librave do të jetë një tjetër hap i cili do të vëzhgohet. Nëse është bërë shpërndarja e librave falas dhe a ka mungesë të tyre për klasa të caktuara. Po ashtu pajisja me regjistrat. Në çdo vit të ri shkollor, mësuesit detyrohen që muajit e parë të mbajnë shënime në regjistrat personal, në mungesë të regjistrit vjetor.

Ligji

Në bazë të ligjit për Arsimin Parauniversitar, institucioni që ka detyrë të inspektojë zbatimin e kërkesave ligjore në Arsimin Parauniversitar është ISHA, Inspektorati Shtetëror i Lartë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave numër 352, datë 3 prill 2013, në pikën II. Misioni, funksioni dhe organizimi i ISHA-s, në pikën 2, germa “d” shprehimisht shkruhet: “ISHA informon publikun për veprimtarinë e inspektimit dhe vendimet e marra”. Referuar të dhënave ndër vite, që ka bërë ISHA në mjediset e arsimit parauniversitar, të dhënat shpesh herë nuk janë bërë publike, duke i fshehur ato. Kështu vetëm një vit më parë nga inspektimi i më pak se 200 shkollave të arsimit parauniversitar, ISHA dhe Ministria e Arsimit, nuk i bën të ditura gjetjet dhe po ashtu masat e ndërmarra për shkelësit e ligjit.

Inspektimi i shkollave, mësuesit: Nuk do ta lejojmë!

Mësuesit e arsimit parauniversitar e kanë konsideruar si një kërcënim deklaratën e ministres së Arsimit, Besa Shahini, të dhënë ditën e djeshme për inspektimin e shkollave në mënyrë të rastësishme. Ata shprehen për “Shekulli”-n se një inspektim i tillë është bërë edhe vitin që lamë pas, por pa asnjë rezultat. Demush Kurtaj, mësues matematike në shkollën “Avni Rustemi” të Kukësit, thotë se monitorimi është në kuadrin e një kërcënim dhe kjo nuk i ndihmon aspak mësuesit për të nisur vitin e ri shkollor. “Unë e them me bindje të plotë, që znj. ministre nuk e di as numrin e shkollave aktuale që janë në Shqipëri. Ky është një kërcenim i hapur ndaj një figure të tillë, siç është mësuesi”, thotë ai. Më tej shton se arsimtarët janë përdorur gjithmonë në interes të politikave .”Mësuesi fatkeqësisht vazhdon të shikohet si një plaçkë dhe të përdoret vetëm për propagandë”, thotë ai. Nela Metaj, mësues në shkollën “Ali Demi”, thotë për “Shekulli”-n se nuk do ta pranojnë një monitorim të tillë dhe se nismat e ministrisë së Arsimit po e degradojnë çdo ditë figurën e tyre. “E dëgjova sot (dje), ministren Shahini për inspektimin e shkollave dhe mësuesve. Jo vetëm unë, por shumë kolegë, nuk e pranojnë dhe i bashkohen kësaj nisme. Përse e them këtë? Klasat, librat, apo regjistrat do të jenë ashtu siç MASR i sjell. Nuk është faji i jonë dhe nuk mund të penalziohemi ne, nëse mungojnë librat, nëse klasat janë të palyera, apo nuk ka karrige për t’u ulur nxënësit në këtë vit të ri shkollor”, deklaron ajo. Më tej shton se mësuesit janë duke u përgatitur për protesta në këtë vit të ri, për shkak të problemeve që ata janë të detyruar të përballen ndër vite. “Jemi figura më e nëpërkëmbur. Kemi 6 vite që nuk ka rriten rrogat, pagesat krahasuar me vendet e rajonit janë më të ulëta. Orët mësimore janë gjithmonë duke na u rritur, të gjitha këto na shtyjnë për protesta”, deklaroi ajo. Lidhur me dekoratën e ministres ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Parauniversitar. Sindikata thotë se pavarësisht gjetjeve që mund të rezultojnë në këtë inspektim,nuk ka asnjë mundësi fizike dhe kohore të riparohen problematikat. “Cilët mësues do inspektojë ministrja, ata që po bëhen viktima të stresit të cilin po ia shkakton po ajo vetë ?! Apo ata që sipas “formimit pedagogjik të shkëlqyer” të ministres,duhet të lënë punën sepse për ta nuk ka nxënës ?! Jeni ju e sigurt që keni të drejtën dhe moralin profesional të vlerësoni dhe penalizoni kontributin e tyre në arsim, punën dhjetëravjeçare në shërbim të shkollës shqipe, respektin e qindra nxënësve apo brezave të nxënësve që këta mësues kanë përcjellë në vite?! Si do përballesh me mësueset dhe qytetarët e vendit tim për krimin shtetëror që po i shkakton arsimit shqiptar, mësueseve të përkushtuar, shkollës shqipe, e nderuar ministre?! Do kujtohesh si stafetuesja e denjë e shkatërrimit të njërës nga kolonat e identitetit tonë kombëtar. Kolegë, refuzoni çdo individ që shkel mbi dinjitetin tonë profesional! Të ngrihemi në reagim që të tregojmë se jemi të denjë për emrin mësues!”, shkruan SPA.

Ejona Isufaj, inspektorja e MASR-së me diploma të falsifikuara

Ejona Isufaj, shefja e inspektimit në Ministrinë e Arsimit, është e njohur në mediat shqiptare për diplomën plagjiaturë si dhe falsifikimin e diplomave. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion në inspektimet e bëra asokohe tha se Ejona Isufaj ka përfituar, nga Universiteti “Vitrina”, 800 – 1500 euro në çdo muaj. Për doktoraturën e saj false, të marrë nga kompania IREIRE, autori i firmosjes së doktoraturës së saj u dënua me pesë vjet burg, ndërkohë që Isufaj vazhdonte të ishte pjesë e sistemit arsimor në Shqipëri. Drejtore e Drejtorisë së Inspektoratit, Ligjshmërisë dhe Mbikëqyrjes Institucionale në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit (I.SHA.) Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion ka deklaruar se nëpërmjet falsifikimit, e cila duke qenë se është koshiente ka pranuar publikisht që disponon dhe ka përdorur një gradë shkencore Doktorature” si dhe gradë shkencore Master” lëshuar nga Instituti Francez “IRERIE”. “Të gjitha deklarimet e saja mediatike janë në kundërshtim me deklarimet e saja te mëparshme, pasi shoqata tashmë ka në dispozicion dosjen me prova të pakontestueshme dhe pikërisht diploma “Master” dhe Doktoturë” të lëshuar nga një institut fantazmë. Kjo shtetase me vetëdije ka marrë dy tituj shkencore pa asnjë orë mësimi me një vetëdije të plotë, është paraqitur edhe pranë universitetit “Vitrina”, duke vjedhur në kushtet e mashtrimit”, është shprehur asokohe Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion. Pas këtyre akuzave, në një deklaratë për mediat, Isufaj sqaroi asokohe se ka qenë viktimë e një institucioni që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe askush nuk e kishte mbrojtur. Ajo më pas pranoi se doktoratura e saj ishte false, duke theksuar se vetëm në vitin 2012 kur kishte tentuar të njëjësojë diplomën kishte kuptuar që Instituti Francez, pra institucioni ku ajo kishte studiuar nuk njihej nga shteti shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet