
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila njëherësh ishte e përfshirë në organizimin e “Sunny Hill” ka reaguar pas anulimit të festivalit. Kjo pas zhvendosjes së tij në Tiranë, për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës. Ajo ka ripostuar një fotografi të faqes zyrtare të “Sunny Hill” në InstaStory, ku u zbulua se festivali do të zhvendoset në Tiranë.
Dua Lipa (Foto: Instagram)
Megjithatë, krijuesja e hitit “Levitating” nuk ka bërë asnjë koment tjetër në lidhje me këtë. Nga ana tjetër, babai i këngëtares, themeluesi i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, u shpreh i dëshpëruar teksa ia ka dedikuar edhe një letër krerëve të shtetit.
Dua Lipa (Foto: Telegrafi)
“Sunny Hill” ishte paraparë të mbahej më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në një lokacion të ri, Bernicë. Ngjarja më e madhe kulturore pritej të kthehej pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë.
Themeluesi i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka publikuar një letër të cilën ia dedikuar posaçërisht krerëve të shtetit rreth anulimit të Festivalit. Festivali u bë i ditur se u anulua për shkak të vonesave në dhënien e pronës për shfrytëzim në Bërnicë, me ç’rast është detyruar të zhvendoset në Tiranë. Ai u shpreh i dëshpëruar, ndërkohë që shtoi se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit ka qenë rreth 23 milionë euro si dobi direkte për imazhin e shtetit, mbi 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit si dhe promovim i vlerave më të mira të kulturës.
Dukagjin dhe Dua Lipa (Foto: Facebook)
Në bazë të tij, nga dhjetëra mijëra njerëz – gjysma e pjesëmarrësve vazhdimisht kanë qenë vizitorë nga jashtë Kosovës.
Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.
Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022. Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:
a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;
b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces. Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë.
“Ne në vitin 2019 kemi zhvillu bisedime për caktimin e një hapësire për festivalin… Kemi zhvillu diskutimet dhe është identifiku një hapësirë nga Komuna e Prishtinës në atë kohë”, tha ai. Kastrati tha se i kishin treguar Qeverisë “që nevoja për procedimin e këtij procesi është e madhe. Ai tha se “edhe tani kur po flasim nuk ka vendim”. Sipas tij, ka qenë e pamundur që të pritet edhe më tutje për një vendim nga Qeveria. “Në këtë situatë ka qenë e pamundur me pritë më shumë”, tha ai.
Kastrati tha se “ne kemi dashtë me qëndru në Prishtinë”. Ai përmendi “betejat mes partive politike” që tha se u bënë në kurriz të këtij festivali. “Definitivisht jemi pala më e palumtur në proces sepse betejat kanë filluar mes partive politike në kurriz të festivalit”, tha Kastrati. Edhe tani që është njoftuar zyrtarisht se festivali është zhvendosur në Tiranë, Kastrati nuk heziton të thotë se do të donin të mbahej në Prishtinë. “Natyrisht që kishim pasë dëshirë që ky festival të mbahej në Prishtinë”, tha ai.
Kastrati tregoi se është paraparë “rekord i pjesëmarrjes” e edhe “rekord i akreditimit të mediave ndërkombëtare që kanë pasur të vijnë në Prishtinë”. Supozimet se Dukagjin Lipa mund të ishte marrë vesh paraprakisht me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për mbajtjen e festivalit atje, Kastrati i quajti konspiracione. “Ajo është një konspiracion shumë i çuditshëm sepse Dugi dhe kryetari i Tiranës njihen moti. Mund të ketë diskutime të rastit”, tha ai. Kastrati siguroi ata që nuk duan të shkojnë në Tiranë për festivalin se do të kompensohen plotësisht për paratë e shpenzuara në blerjen e biletave.
Reagime të ashpra në Kosovë
“Sunny Hill Festival 2022” tashmë u bë e ditur se do të ketë një lokacion të ri pas anulimit në Prishtinë dhe do të zhvendoset në Tiranë për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës. MAPL po ashtu bëri një sqarim në lidhje me dhënien e pronës duke ia lënë fajin Komunës së Prishtinës.
Megjithatë, zhvendosja e “Sunny Hill Festival” në Tiranë nuk u prit mirë nga një pjesë e madhe e artistëve e po ashtu edhe politikanëve. Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Besnik Tahiri, Vlora Çitaku dhe Lutfi Haziri – janë disa prej politikanëve që kanë reaguar në lidhje me anulimin e “Sunny Hill”. Memli Krasniqi – Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në secilin shtet tjetër të botës, një artiste kulmore si Dua Lipa, do të trajtohej si aset e pasuri. Por, fatkeqësisht, jo edhe në Kosovë. Është krejt e pabesueshme, por, Qeveria po e përzë nga Prishtina një ndër iniciativat më të mëdha dhe të suksesshme artistike, “Sunny Hill” Festival. Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti i mbyllën derën të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vendin tonë. Ky veprim, më shumë se gjithçka, tregon për xhelozinë e sëmurë, injorancën e thellë, e kompetencën e munguar të komplet një Qeverie e cila secilën ditë po na sjell një skandal më të madh se tjetrin. Turp!”.
Lumir Abdixhiku – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës
“Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë. Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do.
Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë.
Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë”.
Besnik Tahiri – Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
“Sot, paradite fola për vendimmarrjen shumë të ngadalshme të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar më kqyrke çka po them!!!! Tash qe edhe deklarata zyrtare që në mungesë të ekspedivitetit dhe dinamikës së mirëfilltë në punë, e humbëm një festival që e patëm në promovim të Kosovës – atë të Sunny Hill. Shkoi në Tiranë!!!! Me këtë qasje totalisht fëmijërore dhe joserioze, se di ku është nisur kjo qeveri. Dorëheqje për ‘Qeverinë Breshka’”.
Vlora Çitaku – Nënkryetare e PDK-së
“Dua Lipa është yll botëror! I mbushë stadiumet kudo në botë. Secili kryeqytet në botë kish me e pasë lakmi Sunny Hill Festival. Ama bash secili. Hiq ma larg se para pak ditësh, Kryeministri i Luksemburgut na foli në Dublin për Duan, Dugin, dhe dëshirën e tij për të ardhë ne festival në Prishtinë. Bile, me mburrje na e tregonte një foto me yllin tonë. Kosova ka nevojë për Duan, jo Dua për ne. Dështim dhe sabotim i qëllimshëm nga ana e Qeverisë”.
Lutfi Haziri – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës
“Është e drejtë e Komunës me e dhënë tokën në shfrytëzim për një Festival qysh është Sunny Hill. Po ashtu, është e drejtë e Komunës dhe detyrë me e mbrojtë Sunny Hillin, me e mbajtë në vendlindje. Hajde Përparim, na prijë, krejtve na ki mbrapa kësaj pune. Besoj edhe krejt elitën kulturore të Prishtinës. Është mëkat me e lëshu me ik prej Prishtinës këtë vlerë, me përmasa ndërkombëtare!”.
‘Festë’ në Tiranë
Në Shqipëri njoftuan me entuziazëm të madh që festivali “Sunny Hill” ishte zhvendosur atje. Fillimisht, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njoftoi në Instagram, duke shpërnarë njoftimin e “Sunny Hill”. Edhe më i lumtur për këtë u duk kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”, ka shkruar Rama “S’ka si Tirona jo”, ka shtuar ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply