
Kleo Lati
Sa herë që marr në duar një libër, gjithnjë provoj se në botën e ndjenjave të Unit tim, si lexues, diçka ndodh. Është një trazim i bukur, një vërshim ndjesish dhe emocionesh që lidhet me teatrin e jetës që shpaloset në faqet e librit. Por janë ndjesi që lidhen edhe me Unin e shkrimtarit apo të poetit, autorit te librit që mbaj në duar dhe që pastaj nis dhe shfletoj nga faqja e parë deri në faqen e fundit.
Libri i fundit që lexova këto ditë është libri i parë me poezi i poetes Afërdita S. Satka, botim i shtëpisë së mirënjohur botuese “FAN NOLI” . Gjetja poetike spikat qysh në lidhjen dhe simbolikën mes emrit të autores dhe titullit të librit të saj: “Aphrodite” “. .. Prindërit më quajtën Afërditë/ Asgjë nuk dinin rreth origjinës së emrit/ Nuk dinin që kishte lidhje me perënditë”… Dhe nëse sipas mitologjisë Afërdita ishte perëndesha e dashurisë dhe e bukurisë, poetja Afërdita e këtij libri me 90 poezi – e cila tashmë e di fort mirë kuptimin e simbolikës që mbart ky emër – na shfaqet e bukur sa në kopertinë me një pikturë ku është fiksuar vetë ajo, aq edhe në vargjet e librit: “E dashuruar, e fortë/ Plot hire gruaje/ Tokësore, por e ngjashme me Perëndinë!”… Dhe pastaj kalon nga e veçanta tek e përgjithshmja, duke shprehur dëshirën e saj të çiltër: “Model për gjithë vajzat e dua Aphroditën”…
Poezia e Afërdita Satkas nuk është e palëndët, siç ndodh jo rrallë sidomos tek poetët e rinj, që kuturisen në ëndërrime boshe, në fluturime poetike, në fantazira që pak ose aspak kanë lidhje me jetën, me realitetin. Përkundrazi, shumica dërrmuese e poezive të këtij vëllimi fitojnë një domethënie të pranueshme pikërisht sepse kanë në vargjet e tyre lëndë jetësore. Kështu, në të i këndohet poetikisht babait, nënës, vëllait, atdheut, vendlindjes së poetes, Velipojës, “më e bukura e botës”. Nëpër vargje vizatohet poetikisht natyra, qielli gri, gjethet, pranvera, vjen i ngrohtë dhe përmallshëm zëri i nënës, madhështia e kalasë së Rozafës dhe Shkodra “qytet me vepra dhe histori”, deti, Valbona, Berati, Mali i Shënjtë, liqeni magjik i Ohrit, lulet, mimoza, qiparisi, loti, buzëqeshja… Me thjeshtësi, por më ndjenjë dhe brishtësi femërore, autorja e këtij libri na paraqet një tablo të gjerë jetësore, duke e bërë sa më tokësore poezinë e saj. Autorja shpreh jo vetëm ndjenjat, emocionet dhe përjetimet e veta për gjithçka të lëndët që kanë si temë poezitë e saja, por shpreh edhe dëshirën për përsosjen njerëzore, për pasurimin e shpirtit njerëzor. “Kurrë mos urre e shpirtin mos e mbush me ligësi”, apo “se zemra nga e keqja tkurret e gurësohet”. Poetja është e ndjeshme jo vetëm ndaj natyrës dhe bukurive të saja, por edhe ndaj fenomeneve të jetës, asaj i vret syrin e shëmtuara, i krijon dhimbje në shpirt përdhosja e personalitetit njerëzor, ndaj gati sa nuk shpërthen: “Më mirë “pakt” me përbindëshat imagjinarë/ Sesa zvarrë e i nënshtruar si gjarpri nën gur…”.
Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi poetik, kupton se poetja Afërdita Satka ka jo vetëm vetëdijen për mundësitë njerëzore, por edhe për mundësitë e vetë poezisë, që ajo e bën njeriun më të bukur shpirtërisht. Në një ndër poezitë e bukura të librit, në atë me titull “Kafja e poetit”, adhurimin për poetin e panjohur, autorja e shpreh edhe përmes një detaji shumë të goditur: Kafeneja e preferuar e poetit nuk e ka më atë magji kur ai nuk duket më atje, si zakonisht. “Bosh dhe e akullt duket qoshja, ku vargjet thurte Ai”… Të bukurën, poetiken, autorja e gjen jo vetëm te vargjet e poetit, por edhe tek sytë plot dritë tw njerëzve, tek drita e hënës, tek dashuria dhe mirësia njerëzore, kudo ku ka jetë. E gjen edhe tek një vazo e thyer, sjellë si dhuratë për vajzën e vet nga gjyshi kur ai ishte në kurbet, që “çdo copë e thyer e saj është poezi”.
Autorja Afërdita S. Satka dhe kopertina e librit të saj me poezi
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply