Biznesi i vogël: Pa ndërhyrjen e qeverisë sipërmarrjet familjare në faliment, 360 mijë të papunë

COVID-19 godet ekonominë globale, duke shtrirë pasojat edhe në ekonominë tonë kombëtare. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm thotë se e ardhmja e sipërmarrjeve familjare është falimenti nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria. 

Briselda Hoxha

Në Shqipëri sipas të dhënave, kemi 85-90 mijë biznese kanë ulur qepenin për shkak të koronavirusit, pra janë të mbyllura dhe ndërkohë të punësuar në to janë mbi 320 mijë punonjës të cilët rrezikojnë të humbasin punën nëse bizneset vazhdojnë të jenë të mbyllura për në kohë të gjatë. Pjesa tjetër që është e hapur janë farmaci, markete apo dyqane ushqimore. Shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm shprehet se paketa financiare e cila është programuar nga qeveria për biznesin e vogël është e pamjaftueshme.

Shoqata thotë se e përshëndet qeverinë për hapin e marrë, edhe pse është e vonuar, por biznesi i vogël ka nevojë për më shumë fonde pasi ajo që qeveria ka ofruar nuk është aspak e mjaftueshme. Tregtia me shumicë e pakicë, si dhe derivatet që rrjedhin prej këtij sektori e kanë ulur në minimum rendimentin e tyre. Kur nuk ka lëvizje, nuk ka blerës, nuk ka tregëti, nuk ka shërbim, e rrjedhimisht as likuiditet. Kreu i shoqatës së biznesit të vogël, Albert Nasto flet për “Shekulli”-n dhe thotë se e ardhmja e sipërmarrjeve familjare është falimenti nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria.

Ndërkohë qeveria në planin A të prezantuar, ka ndarë 65 milionë dollarë të cilat do të jepen për biznesin e vogël por në to do të përfshihen edhe shtresat e varfëra dhe ata persona të cilat do të jenë të papunë. Shoqata e biznesit të vogël kërkon nga qeveria mbi 70 milionë dollarë vetëm për biznesin e vogël për të mbuluar fazën emergjente dhe minimale.

Kryetari i Shoqatës së biznesit të vogël, Albert Nasto, tha se është i pakënaqur me paketën e qeverisë. Sipas tij, 65 mln dollarët janë të pamjaftueshme pasi biznesit aty i takon shumë pak. Sakaq, nga qeveria biznesi i vogël kërkon minimum mbi 70 milionë dollarë fond në muaj vetëm për biznesin e vogël që të përballojë situatën emergjente dhe sipas tyre mbi 70 milionë dollarë është ndihma minimale.

Jemi të pakënaqur me shumën që është dhënë. Jemi pak të turbulltë. Shifra është e pamjaftueshme për ne, sidomos për këtë muaj. Sot 99% është biznes i vogël dhe i mesëm. 90 mijë biznese të vogla kanë mbyllur qepenat, por i shumëzojmë këtu me 4 persona. Paketa duhet të ishte shpallur më parë, duhet transparencë e plotë. Kaloi 100 mln dollarë për firmat e mëdha, dhe 65 mln dollarë për familjet në nevojë dhe biznesin. Biznesi nuk përfiton asgjë. Janë 90 mijë biznese të  mbyllura, 360 mijë punonjës.

Ne kemi parashikuar se nevojiten të paktën mbi 70 mln dollarë për një muaj që biznesi të kalojë të paktën këtë gjendje emergjente duke marrë ndihmën minimale se ndryshe është katastrofë. Ne kemi 11 pika të realizueshme, të shtyhen, kamatëvonesat, uji dhe dritat të paguhen nga qeveria. Nëse qeveria ma mbyll me urdhër biznesin duhet të na dëmshpërblejë fitimin e munguar. Sot janë vetëm 107 mijë biznese nga 120 mijë. Kjo është gjëmë e madhe, mbështesim qeverinë, por nuk mund të falimentojmë, qeveria lekë ka, të hedhë lekë të reja në treg, ne kemi paguar 30 vite.” – shprehet Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël.

“Ne i kemi drejtuar qeverisë një letër me 12 pika kryesore për  shtyrjen e llogarive bankare dhe Kryeministri është i vonuar me këtë paketë ai duhet ta paraqiste më parë por pavarsisht kësaj ne e përshëndesim. Edhe biznesi i vogël është shumë i goditur nga COVID-19. Janë taksat lokale për tu paguar. Nuk po themi për fitim këtu por çështjen e mbijetesën, që do të thotë se një nga pikat është dëmshpërblimi Ministria e Financave e di se kush është i regjistruar personat që kanë një subjekt privat. Në këto pika na është plotësuar vetëm shtyrja e financave. Dhe 65 milion dollarë që tha kryeministri është i paplotë. Kemi 30 vite që paguajmë çdo detyrim dhe për këtë shteti duhet të paguajë gjithçka.”- thotë Nasto.

Vendimi në Fletoren Zyrtare për përfitimin e “pagës së luftës”.

Sakaq, me një akt normativ dhe me një VKM qeveria ka vendosur të mbështetë financiarisht personat që mbeten pa punë si pasojë e rrethanave të krijuara nga koronavirusi. Janë caktuar lehtësi në pagesën e taksave për ndërmarrjet e vogla, ndërkohë që të papunët e mëparshëm dhe personat në ndihmë sociale marrin përfitime që fillon nga 26.000 lekë në muaj, deri në dyfishim të asistencës.

Të gjithë të punësuarit në bizneset e vogël, me një xhiro vjetore jo më të madhe se 14 milionë lekë të reja në vit, do të paguhen nga shteti për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik/marrëdhënieve të punës për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID19, ka vendosur Këshilli i Ministrave.

Përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm:

a) Personat fizikë të vetëpunësuar
b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar
c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë
ç) Të punësuarit në personat juridikë.

Ndihma financiare, që do të përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 lekë në muaj

Ndërkohë, përfitojnë rritje ndihme personat në nevojë: pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur deri tani.

Personat që edhe më parë kanë qenë të papunë përfitojnë një pagesë dyfish nga ajo që marrin deri tani.

Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/të punësuarit. Individët, që janë në më tepër se në një listë-pagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur që pagesat e kësteve të parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020do të shtyhen deri më 20 tetor 2020, ndërsa për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 brenda datës 20 dhjetor 2020.

Kërkesat e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Më poshtë është letra e plotë e drejtuar Qeverisë nga Shoqata e Biznesit të Vogël e të Mesëm në Shqipëri, duke kërkuar masa lehtësuese fiskale ndaj biznesit në këtë kohë krize.

Letra e plotë

Tiranë më 15.03.2020                                                           

 Kërkesë:  Për disa masa lehtësuese fiskale ndaj biznesit

Drejtuar:  Qeverisë të Republikës të Shqipërisë

Për dijeni: Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë

Në situatat e pandemisë për shkak të covid-19, në të cilën po kalon vendi, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm  të Shqipërisë, përshëndet masat e ndërmarra nga Qeveria, për mbrojtjen e jetës të qytetarëve. Mbyllja e aktiviteteve ekonomike në shumicën e bizneseve edhe një here e ve në sprovë biznesin e vogël dhe të mesëm pas tërmetit të 26 Nëntorit. Përshëndesim Bankën e Shqipërisë për iniciativën që ndërmorri në shtyrjen e afatit 3 mujor për shlyerjen e kredive dhe interesave bankare ndaj individëve dhe biznesit, por jemi shpresëplotë që kjo të vihet në zbatim sa më shpejt. Nga ana tjetër, natyrshëm kjo situatë pritet të sjellë vështirësi të mëdha ekonomike ndaj biznesit në përgjithësi, por sidomos biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti, për arsye sepse biznesi i vogël është më i ndjeshëm ndaj këtyre situatave. Sot problemet ekonomike varen shumë nga kohëzgjatja e pandemisë. Masat për shëndetin publik kufizojnë dhe dëmtojnë aktivitetin ekonomik. Bizneset vazhdojnë dhe paguajnë shpenzimet fikse megjithëse kanë pezulluar aktivitetin ekonomik. Në treg ka ndryshime të mëdha të rregullit ekonomik kërkesë-ofertë. Bizneset do të përballen me krizë parash, rrjedhimisht punëtorët do të ngelen pa punë. Në këto kushte, biznesi është i detyruar ose të marrë borxh para në banka dhe rrugë informale ose të falimentojë. Lidhja biznes i vogël – biznes i madh do të prishet dhe njëkohësisht  do të shkatërrohen balancat ekonomike. Pas mbarimit të krizës shëndetësore, ekonomike dhe sociale, frika e biznesit është e madhe nga largimi i punonjësve jashtë shtetit. Paniku për një krizë financiare do të çojë në një krizë kredie etj. Të ndodhur në këto kushte e shohim të arsyeshme për t’i kërkuar qeverisë marrjen e disa masave dhe plane veprimi ndërmjet palëve me grupet e interesit, për lehtësimin e barrës fiskale dhe monetare ndaj biznesit. Duke marrë shembuj nga vendet e prekura nga pandemia, si Franca, Italia, Gjermania, Spanja, Kosova etj.të cilat kanë miratuar paketa fiskale shtesë edhe shteti ynë, duhet të miratojë një paketë ekonomike dhe sociale ku detyrimisht përfshihet biznesi i vogël dhe i mesëm. Deri në mbylljen e krizës shëndetësore sociale dhe ekonomike kërkojmë:

-Qeveria të shikojë sektor pas sektori mundësinë e veprimtarisë ekonomike e varur kjo nga situata në të cilën vendi do ndodhet për shkak të pandemisë.

-Qeveria të krijojë mundësinë e shtyrjes së pagesave, gjobave dhe detyrimeve fiskale të biznesit ndaj shtetit.

-Rimbursimin e plotë të pagës së punonjësve.

-Rimbursimin e detyrimeve për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Shtyrjen e pagesave të energjisë elektrike dhe ujit si dhe taksave vendore.

-Për bizneset që pësojnë dëme nga kjo situatë, qeveria të gjejë forma për kompesimin e plotë të tyre.

-Të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës.

-Të kompesohet e plotë pagesa e qerasë si dhe tatimit në burim i qeradhënësit, për të gjitha bizneset të cilat janë qeramarrës.

-Të shtyhet për një periudhë të caktuar nga ana e qeverisë deklarimet e bilanceve, për shkak të vështirësive të mbledhjes së dokumentacionit nga ana e kontabilistëve.

-Banka e Shqipërisë të injektojë para në treg për të ulur efektin e krizës.

-Zbutjen e normave të interesit duke i krijuar bizneseve mundësi më të mëdha kreditimi.

Në planin afatgjatë, për shkak të krizës si dhe ankimimeve tona të shpeshta për tatime dhe taksa të larta, qeveria duhet të rishikojë edhe një herë një program të një pakete të re fiskale dhe zbutjen e kostove ndaj biznesit. Kjo paketë do t’i krijonte mundësi edhe bizneseve të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Në zbatimin e ligjit në kushtet aktuale, qeveria jo vetëm të ndërmarri masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit, por dhe masa lehtësuese që vendi të mos ndodhet para një recension i cili do të sillte falimentimin e mijëra bizneseve dhe largimin e mijëra shqiptarëve drejt perëndimit. E shohim me vend t’i bëjmë thirrje biznesit të veprojë me rigorozitet ndaj masave të marra nga qeveria, gjithashtu askush të mos abuzojë me çmimet e produkteve dhe shërbimeve dhe urojmë që kjo situatë të kalohet me lehtësi dhe sa më shpejt. Ju faleminderit për mirëkuptimin për Shoqatën e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë. Kryetari Albert Nasto.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet