
Ledjo Zeneli
Pandemia që sapo kemi kaluar krijoi një atmosferë tepër të ndjeshme në rang global, kushtet e larmishme të së cilës u bënë objekt studimi nga një sërë fushash shkencore; duke filluar që nga ato natyrore si biologjia, mjekësia e deri tek ato sociale si psikologjia, sociologjia dhe politika. Në këta kushte ndodhën një varg ndryshimesh në jetën sociale të individëve dhe shoqërive. Shumë sjellje të institucionalizuara që dominonin prej një kohe të gjatë botën sociale u kufizuan nga shteti, i cili e kërkoi legjitimitetin e kësaj veprimtarie politike në autoritetin ose dijen shkencore. Edhe pse krijimi i grupeve të specialistëve si “komuniteti i ekspertëve” mund të thuhet se ishte i nevojshëm për menaxhimin e situatës, në fakt ka shërbyer përgjatë pandemisë edhe në funksion të prodhimit të legjitimitetit për kufizimet dhe shtimin e kontrollit shtetëror në jetën shoqërore. Megjithatë, përpara se të kalojmë në pjesën kryesore të këtij artikulli, vlen të theksohet një pikë shumë e rëndësishme e cila do të na ndihmojë të kuptojmë këtë situatë shumë dimensionale.
Fenomeni pandemik, mund të redukohet deri në themel në ndryshimin që qëndron mes qasjeve që kanë sistemi laik dhe anti – laik për njeriun dhe shoqërinë; ku sigurisht futet edhe elementi më i prekshëm nga ky fenomen, pra trupi biologjik i njeriut. Me sistem anti – laik nënkuptohet një sistem ku dominon feja ose në tërësi njohuria mistike dhe metafizike në lidhje me jetën, njeriun dhe botën ku jetojmë. Pra një sistem ku jeta drejtohet në mënyrë intensive nga institucione të formësuara pikërisht nga kjo dije. Sisteme të tilla mund të thuhet se ishin dominuese në periudhën paramoderne. Me zhvillimin e pikëpamjes iluministe, e cila bazohet në mendimin dhe pranimin se logjika njerëzore është e aftë të kuptojë dhe kontrollojë vetë – pa nevojën e një autoriteti trashedental – këtë botë, lindi edhe sistemi laik. Sistemi laik, ndryshe nga ai anti – laik, bazohet më shumë në të drejta natyrore dhe nuk pranon kurrësesi dominimin e pikëpamjeve anti – laike në jetën politike. Këto dy sisteme, përveç pikëpamjeve të ndryshme që kanë në lidhje me mënyrën e organizimit politik dhe moralin që duhet të karakterizojë shoqërinë njerëzore, ndryshojnë gjithashtu edhe në qasjen që kanë ndaj trupit biologjik të njeriut.
“Trupi i njeriut si mënyrë ligjërimi nuk është vetëm një qënie fiziologjike por edhe kulturore. Me këtë aspekt ekspozon edhe një veçori simbolike. Trupi është përfaqësim i ligjërimit. Trupi i njeriut është gjuha e heshtur e ligjërimit…Ideologjia në trupin e njeriut merr një formë të atillë sikur mbahet me duar dhe shihet me sy. Përplasja mendore brenda kësaj forme sensualizmi dhe perceptueshmërie kthehet në përplasje trupore. Mënyra juaj e të ulurit, mënyra sesi përshëndeteni, mënyra e veshjes dhe shprehja e fytyrës janë pjesë të gjuhës së trupit dhe u përcjellin një mesazh ideologjive të kundërta: Ja, ligjërimi që përfaqësoj ndodhet përballë me gjithë konkretizimin e tij. Ligjërimi anti-laik i cili i shikon trupat e tij si kijimtari të vullnetit hyjnor, trupat apo hapësirat e tjera i vlerëson gjithashtu nga aspekti i hyjnores ose të shenjtes. Sipas kësaj pikëpamjeje marrëdhënia mes trupave dhe veçanërisht marrëdhënia që ndërtojnë këto trupa me hapësirat përcaktohet nga urdhëresa fetare. Ndërkohë që nga ana tjetër, ligjërimi laik e shikon trupin si një qënie natyrore. Pra sipas kësaj pikëpamjeje njeriu është një produkt i natyrës dhe jo një qënie teologjike apo fetare siç konceptohet nga ligjërimi anti – laik”[1].
Qasja jo teologjike dhe plotësisht natyrore që ka laicizmi për trupin biologjik krijon kushtet e përshtatshme për dominimin e njohurisë shkencore dhe reduktimin e asaj teologjike në përcaktimin e veprimtarisë së jashtme që do të ushtrohet mbi këto trupa. Për shembull moda si ambicie e përkohshme dhe që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, shërben si një mjet kontrollues për trupat biologjikë duke kontribuar kështu në institucionin e ekonomisë. Nëse trupi drejtohet nga pikëpamja laike, pra thjeshtë si një produkt natyror do të jetë lehtësisht i ekspozuar ndaj ndryshimeve dinamike të modës dhe si rrjedhojë edhe ndaj këtij kontrolli të jashtëm. Ndryshe ndodh me një trup biologjik i cili përfaqësohet nga parime anti – laike; pavarësisht faktit se vihen re ndryshime edhe në këto trupa, adaptimi dhe mënyra e pranimit të pikëpamjes laike nuk do të jetë e gjihëanshme. Veçanërisht përsa i përket mendësisë, pra botëkuptimit në lidhje me jetën në tërësi ose aspekte të veçanta të saj.
Në kushtet e laicizmit, ashtu si moda, edhe shkenca gjen një terren tepër të favorshëm për të dominuar mbi trupat biologjikë. Në një shoqëri laike, shkenca pranohet si mjeti më i rëndësishëm për të kuptuar botën sociale dhe natyrore. Dhe pikërisht për shkak të dobisë së saj praktike gëzon një autoritet mjaft të madh. Ky autoritet u bë mjaft i dukshëm gjatë pandemisë ku shtetet dhe qytetarët po prisnin me padurim gjetjen e vaksinave për të luftuar sëmundjen. Gjatë kësaj periudhe kohore shtetet filluan të rrisnin masat kontrolluese në nivel institucional pothuajse në çdo aspekt të jetës sociale. Pushteti politik na u shfaq si i vetmi mjet për tu mbrojtur nga sëmundja dhe mos nënshtrimi ndaj tij u dënua në forma të ndryshme. Ky pushtet mbi trupat tanë në fakt qëndronte mbi baza të ndërtuara nga autoriteti shkencor. Gjatë kësaj kohe, pavarësisht humbjes së besimit ndaj shtetit dhe shkencës në shtresa të caktuara të shoqërisë, autoriteti shkencor u shfaq dhe u bë i pranishëm kudo në sferën publike; madje edhe mospranimi apo dyshimi i krijuar ndaj tij tregon rëndësinë dhe sovranitetin që arriti të krijojë gjatë pandemisë. Kështu, shkenca e cila legjitimoi pushtetin politik, në fakt mund të cilësohet si një nga komponentët më të rëndësishëm të “biopushtetit”. Tani mund të futemi në pjesën kryesore të këtij artikulli duke bërë një përkufizim të konceptit “biopushtet”.
Biopushteti është një koncept i Michel Foucault i cili e shikonte pushtetin si një forcë jo e zotëruar në mënyrë përfundimtare dhe e centralizuar në një pikë të vetme, por si një forcë e cila shfaqet nga një sërë burimesh të ndryshme. Sipas tij njeriu nuk mund të shpëtojë në mënyrë absolute nga pushteti dhe pikërisht për këtë arsye as dija njerëzore. Ai gjithashtu bën një dallim interesant mes dy lloje pushtetesh: pushteti sovranist dhe pushteti disiplinues.
Foucault pa në procesin e modernitetit një tendencë të re të pushtetit; për të moderniteti është një proces i kalimit nga pushteti sovranist drejt atij disiplinues. Në shoqëritë e sovranitetit pushteti ishte i dukshëm dhe i ndjeshëm dhe sulmi ndaj tij dënohej me torturë publike, e cila ishte forma kryesore e ndëshkimit në këto shoqëri. Qëllimi i torturës publike ishte rindërtimi i sovranitetit të cënuar. Në kundërshtim me këtë pushteti disiplinues nuk është ndëshkues. Pushteti disiplinor ose biopushteti ka si synim menaxhimin e jetës biologjike të popullatës duke investuar në të[2].
“Pushteti i ri[3] paraqitet me funksionet e kundërta : jo negativ, por pozitiv ; jo marrjeje dhe kufizimi, por rritjeje, përforcimi, kontrolli, nxitjeje, mbikëqyrjeje, etj. Po ashtu, duke u ushtruar pozitivisht, pushteti i ri nuk është më i ndërprerë, por sa më i vijueshëm, në hapësirë dhe në kohë, duke synuar të kotrollojë dhe formësojë të gjitha sjelljet, gjestet, nivelet jetike, kushtet dhe territorin e jetesës. Përderisa fusha e ushtrimit të tij është ekzistenca e njeriut si trup aktiv dhe lloj i gjallë në përgjithësi, ai mësyn tanimë fusha të tëra ndaj të cilave pushteti sovran ishte indiferent. Vatrat e tij, ato që e ushtrojnë dhe ato që e përcjellin, janë në këtë rast më të shumta, horizontale, ndërkohë që pushteti sovran ishte i rrallë dhe përgjithësisht në zbritje hierarkike. Pushteti sovran ishte ceremonial, shpenzues dhe i bujshëm ; i rëndë në makinerinë e vet dhe prirej i tëri drejt polit të lavdishëm heroiko-ushtarak të Princit. Biopushteti është ekonomik, i fshehtë, i heshtur, imanent, pa ceremoni, por me rregullore, dhe priret drejt individit dhe masës së popullsisë së gjallë. Sovrani paraqitej dhe shpalosej në mënyrë volontariste, si mishërim i një transhendence dhe në emër të saj, ndëkohë që biopushteti ushtrohet dhe depërton në mënyrë imanente, anonime, në emër të natyrës, mirëqenies, shëndetit, higjienës, etj” [4]
Bazuar në citatin e mësipërm ku përkufizohet biopushteti në raport me pushtetin sovranist mund të thuhet pa frikë se karakteristika të ndryshme të tij u vunë re në mënyrë tepër konkrete gjatë pandemisë. Kufizimi i orareve të lëvizjes, mbajtja e distancës sociale, anullimi dhe kufizimi i festave kombëtare dhe fetare, deklaratat e shtetit drejtuar popullatës për të hequr dorë nga vizitat mes njëri – tjetrit, edhe në kushtet e vizitave që vinin si pasojë e detyrimeve të forta morale nga normat e shoqërisë, siç janë vizitat nëpër dasma apo funerale; të gjitha këto në fakt janë tregues të biopushtetit. Kjo periudhë u karakterizua në çdo ngjarje të saj nga biopolitika me fokus ruajtjen dhe vendosjen e jetës mbi çdo vlerë tjetër. Pikërisht në këtë pikë vihet re qasja e sistemit laik ndaj trupit biologjik të njeriut. Siç është theksuar më lart, duke qenë se laicizmi e shikon dhe trajton trupin e njeriut si produkt natyror dhe refuzon çdo pikëpamje tjetër e cila bazohet në parime mbi natyrore, i jep atij vlerë maksimale duke hedhur poshtë çdo shprehje tjetër ligjërimi anti – laik apo tradicional që në kushtet e kërcënimit të këtij trupi biologjik përpiqet të dominojë duke marrë parasysh rrezikun e vdekjes në emër të plotësimit të detyrimeve morale që imponojnë këto vlera, të cilat brenda laicizmit mund të ekzistojnë vetëm në kushtet normale të jetesës. Biopushteti në kërë rast na shfaqet si simbolikë e laicizmit; por akoma më shumë, edhe si një instrument që fuqizon dhe legjitimon këtë pikëpamje filozofike. Biopushteti në fakt u aplikua kudo; në mediat televizive, në retorikën e përdorur nga politikanët dhe mjekët, në debatet apo diskutimet mes familjarëve të gjendur përballë dilemës së rrënjosur mes vendimit të zbatimit të detyrimeve morale të vlerave tradicionale apo heqjes dorë nga to në emër të mbrojtjes së jetës, e cila mishërohet në ekzistencën biologjike si përfaqësim i laicizmit.
“JetaMbiTëGjitha” u bëmotoja kryesore dhe trupëzimi më i dukshëm i biopushtetit dhe laicizmit në aspektin e trajtimit të qënies sonë biologjike.
[1]Şen, S. (2006). Laik ve Anti-Laik Söylemlerde Beden İmgesi: Söylemin’Beden’selleşmesi.
[2]Latifi, B. (2013). Foucault mbi dijet humane. SYMBOL, (1), 101-112.
[3]Pra biopushteti ose pushteti disiplnues
[4]Orgest Azizi. Michel Foucault : bio-pushteti dhe qeverisja e jetës. Nga gjendja natyrore te biopushteti, Dr. Alment MUHO, Dapt i Shkencave sociale dhe pilitike Universiteti UFO, Tirane, Feb 2009, Tirane, Albania. ffhal-02094135f
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply