Artet, nisin regjistrimet, kritere të reja për maturantët

Urdhri/ Nisin regjistrimet e maturantëve për konkurset në Bachelor dhe Master në Universitetin e Arteve. Aplikimi në datat 20 deri në 23 gusht. Dokumentet që nevojiten, pikët për konkurrim dhe rregullorja  

Enida Vërça

Universiteti i Arteve në Tiranë nëpërmjet një urdhri njofton regjistrimet e konkurrenteve për konkurset e pranimit në programet e studimit me kohë të plotë në ciklin “Bachelor”, në çdo fakultet, për të gjitha programet e studimeve të ofruara, të cilat kanë nisur prej ditës së djeshme, datë 13 gusht 2019 pranë sekretarive mësimore, nga ora 08:00 deri më orën 16:00. Konkurrentët do të regjistrohen deri në orarin e përcaktuar nga secili fakultet për fillimin e konkurseve të pranimit. Pas regjistrimit, saktësohet se konkurset e pranimit për të gjitha programet e studimit të ofruara nga fakultetet e Universitetit të Arteve Tiranë do të zhvillohen nga data 20 gusht 2019 deri më datën 23 gusht 2019. Në këtë urdhër, i cili mban firmën e rektorit të universitetit Kastriot Çaushi, nënvizohet se janë dekanët e çdo fakulteti të cilët duhet të marrin masat për shkarkimin nga  Portali U-Albania të listës së aplikantëve që konkurrojnë në programet përkatëse të studimit. “Afishimin e tyre në mjediset e fakulteteve si dhe të dërgohen për tu publikuar në faqen zyrtare elektronike të UART në adresat e E-mail [email protected]“, thuhet në urdhër.

Dokumentacionet

Për nisjen e regjistrimeve në një nga programet që ofrojnë fakultetet përkatëse të Universitetit të Arteve bëhet me dije se kandidatët duhet të pajisen me një serë dokumentacionesh. Në këtë mënyrë, pretendentët duhet si fillim të kryejnë pagesën e tarifës së konkurrimit. Më pas, nevojitet fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës. Më tej shtohet se regjistrimi pranë sekretarive përkatëse bëhet nga vetë konkurrenti ose nga një person i autorizuar prej tij/saj, me prokurë të posaçme. “Bazuar në ligjin nr. 80/2015, datë 22.07.2015 për “Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”; Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 295, datë 10.05.2019, Për “përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 201 9-2020” Urdhri i përbashkët Nr. 1, datë 07.06.2019, “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara te ciklit të dytë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2019-2020″, Udhëzimit Nr. 10, datë 15.05.2019, Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programe e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe ne programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve, në institucionet e arsimit të lartë, mund të kryhet duke iu përmbajtur urdhrit në procesin e regjistrimit”, nënvizohet mes të tjerash. Po ashtu saktësohet se kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurset e pranimit ata kandidatë sipas listës së dërguar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Konkursi

Pikët maksimale për konkurrim në një nga programet e studimeve me kohë të plotë të Universiteti të Arteve është përcaktuar që të jenë 200 pikë, të cilat sigurohen nga vlerësimi i mesatares së shkollës së mesme, si dhe pikët e fituara nga kandidati gjatë zhvillimit të konkursit. Sipas skemës së përcaktuar, bëhet e ditur se 30 për qind të totalit të këtyre pikëve, kandidati do t’i sigurojë nga mesatarja  shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, përkatësisht 60 pikë. Ndërsa pjesa tjetër e 140 pikëve i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit për secilin program studimi. Kufiri minimal i pranimit të konkurrentëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të jetë 90 pikë. Kandidatët që sigurojnë më pak pikë nuk kanë të drejtë që të vijojnë më tej procedurat për të siguruar studimet e larta në këtë degët e Arteve.

Urdhri

Në këtë urdhër sqarohet se i gjithë kalendari i procedurave do të bëhet në zbatim të Urdhrit të përbashkët Nr. 1, datë 07.06.2019, “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2019-2020”. Për zbatimin e këtij  urdhri anëtarët e grupit të monitorimit, Dekanët e Fakulteteve të UART, Përgjegjësit e Njësive Bazë, Sekretaritë e Fakulteteve, Drejtoria Ekonomike, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Sektori Mësimor, Sektori i Teknologjisë Informacionit, Sektori i Statistikë Informacionit, Sektori i Shërbimeve. “Të njoftohet për marrjen e masave të veçanta për administrimin dhe ruajtjen ambienteve të UART, për periudhën e konkurseve, shërbimi 1 ruajtjes dhe sigurisë fizike OKTAPUS. Ky urdhër të shpallet në faqen zyrtare të Ëeb-it, të Universitetit të Arteve”, nënvizon urdhri.

Masteri

Universiteti i Arteve ka përcaktuar kriteret e pranimit për të gjithë ata kandidatë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet edhe në nivelin master. Sipas rregulloreve, pranimet në Fakultetin e Artit Skenik, të Arteve të Bukura dhe atë të Muzikës do të bëhen në bazë të konkurseve, ndërkohë që kandidatët do të kenë mundësi të futen në to pas regjistrimit në sekretaritë mësimore. Për të konkurruar, çdo kandidat duhet të paraqesë një dosje personale pranë fakultetit ku dëshiron të vazhdojë studimet, e cila përmban një sërë materialesh, shkruan gazeta shqiptare. Kështu, në dosjen personale të atyre që duan të vazhdojnë studimet master pranë Fakultetit të Artit Skenik duhet të jenë: CV personale, diploma e studimeve Bachelor, lista e notave të programit të studimit të kryer, dëshmi mbi rezultatet e arritura në procesin e realizimit të programit mësimor, projekte, shfaqje, filma, ekspozita etj. Po ashtu, dosja duhet të përmbajë dëshmitë e aktiviteteve artistike, si brenda dhe jashtë shkollës, e më konkretisht: Posterë, fletëpalosje, fotografi, dhe çdo material tjetër që dëshmon aktivitetet artistike të konkurrentit.

Tarifat nuk ndryshojnë, 4 mënyra për pagesat

Krahas kritereve dhe kuotave të reja të pranimit në degët e Arteve, janë përcaktuar edhe katër llojet e tarifave që maturantët dhe kandidatët e tjerë duhet të shlyejnë duke nisur nga faza e konkurrimit, e deri tek regjistrimi në degën e fituar. Konkretisht bëhet fjalë për katër lloje të ndryshme tarifash, që janë: tarifa e konkurrimit për degët e arteve, ajo e regjistrimit që do të shlyejnë vetëm kandidatët që shpallen fitues, tarifa e ndjekjes së studimeve si program i parë, si dhe tarifa për ndjekjen e një programi të dytë. Shlyerja e këtyre tarifave është e detyrueshme si për programet “Bachelor”, ashtu edhe për programet e nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”.  Për ciklin e dytë të studimit jepet e detajuar edhe tarifa për kredit. Po ashtu një tjetër vendim të kaluar nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë janë përcaktuar edhe tarifat e shkollimit që duhet të shlyejnë studentët mbetës dhe përsëritës. Lidhur me këtë kategori studentësh, konfirmohet se për vitin e ri akademik, studentët të cilët nuk kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi, në kohëzgjatjen normale të tij, e që konsiderohen studentë mbetës, ose përsëritës për lëndët përkatëse, ata do të paguajnë vetëm tarifën vjetore të shkollimit. Ndërsa në rastet kur studenti është mbetës mbi kohëzgjatjen normale të shkollimit ai duhet të shlyejë tarifën për kredit. Të drejtën për të konkurruar për degët e arteve gjatë raundit të parë e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që plotësojnë në kohë formularin A2, si dhe kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.5. Maturantët nuk mund të konkurrojnë për studimet në degët e arteve nëse nuk kanë përzgjedhur në formularin A2, degët që janë pjesë e fakulteteve të këtij Universiteti. Sa i takon kuotave, sipas vendimeve të marra nga strukturat përgjegjëse, për vitin e ri akademik 2019-2020 në programet e ciklit të parë të studimeve në Universitetit të Arteve do të pranohen për herë të parë rreth 500 kandidatë. Fakulteti i Muzikës rezulton të ketë edhe numrin më të lartë të kuotave të pranimeve përkatësisht me 245 kandidatë, ai i Artit Skenik me 100 kandidatë, si dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura do të vijojnë studimet rreth 154 studentë të rinj.

Konkursi për maturantët, si ndahen sipas degëve

Në prag të regjistrimit të konkurrentëve, Universiteti i Arteve në Tiranë, njofton mbi rregulloren në të cilën do të ndjekin fakultet përkatës. Kështu, nëpërmjet një njoftim në faqen zyrtare të universitetit, është publikuar rregullorja në programin e ciklit të parë të studimeve Bachelor për vitin e ri akademik 2019-2020. Pranimi në ciklin e parë të studimeve, si dhe mbështetur në Rregulloren e UART të ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, Pranimi në Fakultetin e Artit Skenik do të bëhet me konkurse. Rezultati me pikë i konkurseve të pranimit që zhvillohen pranë këtij fakulteti në të gjitha programet studimit sipas kësaj rregulloreje si dhe kritereve të miratuara nga Senati Akademik i Universitetit të Arteve së bashku me rezultatet e pikëve të Maturës Shtetërore do të përbëjnë rezultatin përfundimtar. “Dekani i Fakultetit, mbështetur nga propozimet e Përgjegjësve te Njësive Bazë, merr masa dhe organizon ngritjen e Komisioneve të Pranimit për programet e studimi.  Përbërja e Komisionit të Pranimit të programit të studimit shpallet në ditën e fillimit të konkursit.  Në përbërjen të Komisionit të Pranimit aktivizohen: Titullarë të fushës përkatëse. Kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurs të gjithë kandidatët sipas listës së dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Sporti”, sqaron udhëzimi. Më tej saktësohet se Konkursi për Fakultetin e Artit Skenik do të zhvillohet në ambientet e Fakultetit, të përcaktuara nga dekanati. Sa i takon vlerësimit të kandidatëve, njoftohet se Vlerësimi për paraqitjen individuale të çdo kandidati bëhet nga Komisioni i Pranimit të Programit të Studimit, përbërja dhe numri i të cilit caktohet nga Dekani i Fakultetit”. Numri i anëtareve të komisionit në asnjë rast, nuk duhet të jetë me i vogël se 3 (tre). Gjatë  paraqitjes individuale të kandidatëve, anëtarët e jurisë mbajnë shënimet përkatëse. Po ashtu çdo anëtar i jurisë ka të drejtë t’i drejtojë kandidatit që konkurron kërkesa konkrete, të cilat i duken të arsyeshme për një shpërfaqje sa më të mirë te tij. Mbas paraqitjes së kandidatit të fundit, në mbarim të gjithë seancave që parashikohen në kriteret e konkurrimit, Komisioni i Pranimit të Programit të Studimit, nën drejtimin e kryetarit, mblidhet për të vlerësuar një për një paraqitjet e secilit kandidat. Vlerësimi përmban debatin si formë kryesore dhe në fund vendosjen e pikëve për secilin kandidat. Komisionet e Programeve të Studimit në Fakultetin e Artit Skenik për mbarëvajtjen e konkursit është përcaktuar që të marrin masa të tilla: 1. Aktrim. Për secilin kandidat Komisioni i Pranimit të programit të studimit Aktrim xhiron me kamera njërin prej materialeve që e gjykon të arsyeshëm. 2. Regji. Komisioni depoziton në një dosje të veçantë platformën regjisoriale të gjithë kandidatëve për programin e studimit Regji. 3. Skenografi- Kostumografi. Komisioni depoziton punimet e kryera gjatë ditëve të konkursit së bashku me dosjet personale për secilin kandidat për programin e studimit Skenografi & Kostumografi. Po ashtu depoziton ne një dosje të veçantë testin teorik për secilin kandidat të sekretuar. Në këtë specialitet komisioni e fillon punën e tij pas përfundimit të procesit të konkursit të konkurrenteve. 4. Regji Filmi dhe TV. Komisioni depoziton në një dosje të veçantë regjisorial mbi baza fotografie për secilin kandidat për programin e studimit Regji Filmi dhe TV. Po ashtu depoziton në ketë e dosje edhe platformën regjisoriale nga secilin kandidat gjate konkurrimit. 5. Koreografi. Komisioni depoziton në një dosje të veçantë libretin koreografik të kandidatëve për programin e studimit Koreografi. Po ashtu xhiron me kamera edhe njërin prej materialeve koreografike që komisioni e gjykon të arsyeshëm për secilin kandidat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet