
Katër persona janë vënë në pranga në Tiranë për mashtrim, falsifikim dokumentesh, fshehje të të ardhurave dhe mospagim taksash e tatimesh.
Policia njofton se të arrestuarit janë 4-vjeçari Ergys Vejseli, 44-vjeçarja Gentiana Konini, 32-vjeçarja Klotida Çela dhe 37-vjeçari Petrit Cara, të katërt banues në Tiranë, me aktivitet tregtar agjenci udhëtimi.
Të arrestuarit kanë përfituar nga situata e pandemisë dhe kanë marrë para duke u mundësuar udhëtarëve që të udhëtojnë në vendet e BE, kryesisht në Gjermani.
Konkretisht ata kanë marrë nga 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, dhe kanë falsifikuar po ashtu edhe formularët e testeve të Covid apo garancitë e destinacionit në vendin pritës.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shtegtimi”.
Operacioni i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe elektronike, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shtegtimi”, si rezultat i të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E.V., 34 vjeç, G. K., 44 vjeçe, K. Ç., 32 vjeçe dhe P. C., 37 vjeç, të katërt banues në Tiranë, me aktivitet tregtar biznes privat agjenci udhëtimi.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi“, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply