Anulimi i PPP-së për Milot-Balldren, “Zgjidhja”: Ra një koncesion skandaloz

Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka reaguar pasi zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi se marrëveshja PPP për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren është anuluar, pasi kompania që fitoi tenderin nuk i përgjigjej dot kontratës.

 

Partia “Zgjidhja” ngre pikëpyetje mbi lehtësinë e anulimit të kësaj kontrate të miratuar nga parlamenti, me vlerë deri në 300 milionë euro për 17 kilometra rrugë.

 

“Zgjidhja” thekson që Rama e thelloi gropën e koncesioneve të lëna nga Berisha, duke tradhtuar interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse u japin interesa vetëm përfituesve të koncesioneve, thuhet në deklaratë.

 

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Numri dy i qeverisë deklaroi mbrëmë se marrëveshja PPP për ndëtimin e aksit rrugor Milot-Balldren është anuluar për shkak se kompania që fitoi tenderin nuk i përgjigjej dot kontratës. Por kontratat e tjera të këtij lloji do të vijojnë nga qeveria, edhe pse qeveria s’ka kokërr leku për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Partia ‘Zgjidhja’ ngre pikëpyetje mbi lehtësinë e anulimit të kësaj kontrate të miratuar nga parlamenti, me vlerë deri në 300 milionë euro për 17 kilometra rrugë. Qeveria ishte informuar se kompania fituese nuk kishte kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla, sepse, ndërsa premtonte të financonte 52 milionë euro nga kapitali i vet, kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion eurosh.
Njëlloj si në këtë rast, më 21 janar të këtij viti qeveria njoftoi se do të tërhiqej nga partneriteti publik -privat për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, me vlerë 225 milionë euro dhe këto fonde do të viheshin në funksion të “Paktit për Universitetin”.
Në një vend normal, ku funksionon ekonomia e tregut, anulimi i këtyre kontratave, që janë shndërruar në ligje, do të kishte kosto të mëdha për buxhetin e shtetit, sepse firmat do të kërkonin mbrapsht paratë. Por mënyra se si ato rrëzohen, me një të rënë të lapsit, tregon këto janë ngritur mbi pazare të qeverisë dhe të klientëve të saj, për të përfituar të dyja palët, përmes fryrjes jashtë imagjinatës të kostove, siç janë rrugët e ‘florinjta’ që Rama ka dhënë me PPP.
Partia ‘Zgjidhja’ i kishte paralajmëruar shqiptarët për rreziqet që paraqisnin koncesionet dhe projekti ‘1 miliard dollarë’ i qeverisë. Qeveria, prej 6 vitesh nuk solli asnjë investim të vetëm të huaj, por bëri dhjetra koncesione, me miliarda që i merr borxh për t’ua shpërndarë biznesmenëve të saj. Rama e thelloi edhe më shumë gropën e koncesioneve të lënë nga Berisha, duke tradhëtuar interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse u japin interesa vetëm përfituesve të koncesioneve.
Kjo dramë me paratë e shtetit dhe të shqiptarëve do të marrë fund vetëm me ardhjen në pushtet të të forcave të reja politike si partia ‘Zgjidhja’, e cila do t’i zhbëjë politikat e Berishës e të Ramës dhe do t’u vendosë tatime të jashtëzakonshme firmave përfituese të koncensioneve korruptivë e skandalozë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet